Lewis Hamilton

Sport

Lewis Hamilton, tre gara për të shmangur 'rekordin e zi' me Ferrarin

3 Shtator, 15:52| Përditesimi: 3 Shtator, 15:54

  • Share

Rrugëtimi i vështirë i Lewis Hamiltonit me Ferrarin në Formula 1 duket se nuk po njeh fund. Pavarësisht shpresës për një “fillim të ri” pas pushimit veror, fati ishte sërish i pamëshirshëm në Çmimin e Madh të Holandës. Në xhiron e 23-të, gjatë daljes nga kthesa e tretë, Hamilton humbi kontrollin e SF-25 dhe përfundoi në barriera, duke mbyllur para kohe garën. Ishte “zeroja” e dytë radhazi për shtatë herë kampionin e botës këtë sezon.

Me 15 Çmime të Mëdha të zhvilluara këtë sezon, britaniku po vazhdon serinë më të keqe të karrierës së tij, pa u ngjitur në podium asnjëherë deri tani (fitore në Sprintin e Kinës nuk llogaritet në statistikat zyrtare). Rezultati i fundit e vendos Hamiltonin në vendin e dytë në një klasifikim të padëshiruar, duke kaluar Ivan Capelin në mesin e pilotëve të Ferrarit që kanë pritur më gjatë për podiumin e parë.

Kush mban rekordin?

Vendin e parë në këtë listë e mban Didier Pironi, i cili zhvilloi 19 fundjava gare para se të ngjitej në podium me Ferrarin, duke e arritur suksesin e parë në Çmimin e Madh të San Marinos në vitin 1982. Tashmë, Hamilton ka vetëm tre gara për të thyer serinë negative dhe për të shmangur regjistrimin pranë një rekordi që ka qëndruar i paprekur mbi 40 vjet.

Monza, sfida tjetër

Hamilton e di se fundjava në Monza do të jetë e vështirë, veçanërisht pasi do të vuajë një penalizim prej pesë pozicionesh në start, për shkak të moszbritjes së shpejtësisë gjatë një situate me dy flamuj të verdhë në Holandë. Përveç Monzës, Baku dhe Marina Bay janë dy pistat e tjera që i japin mundësi për të shmangur këtë rekord negativ.

Agjenda e Çmimit të Madh të Monzës:

E premte 5 shtator: Provat e lira I dhe II në orën 13:00 dhe 17:00

E shtunë 6 shtator: Provat e lira III në 12:30, Kualifikueset në 16:00

E diel 7 shtator: Starti i garës në 15:00

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Berisha vijon të sulmojë drejtësinë, KLGJ nuk reagon: A ka dy standarde?