Çelja e sezonit turistik në Lezhë

Sociale

Lezha çel sezonin turistik veror, kryetari i bashkisë: Do ta kthejmë zonën në një ndër vendet më të mira në rajon

25 Maj, 09:43| Përditesimi: 25 Maj, 09:44

  • Share

Në një atmosferë festive dhe me pjesëmarrje të gjerë të qytetarëve dhe vizitorëve, Lezha ka çelur zyrtarisht sezonin turistik veror. Ceremonia u zhvillua në bregdetin e Shëngjinit, i cili u gjallërua nga muzika, ushqimi tradicional dhe aktivitetet promovuese, duke prezantuar ofertën e pasur turistike të këtij rajoni.

Teksa shpalosen ofertën e tyre, operatorët turistik shprehen optimist për një sezon veror të suksesshëm në bregdetin e Lezhës.

“Do të ketë risi të reja, gjithashtu edhe çmime mjaft konkurruese në krahasim me vitet e tjera. Shërbimet do të jenë me risi se ne ofrojmë pishinën. Kemi fitness, gjithashtu do të jetë një shërbim ekstra për klientët tanë të cilët i kemi në mënyrë të vazhdueshme;. Jemi të kënaqur me ritmin që kemi aktualisht, kemi kërkesë të lartë të turistëve të huaj, gjithashtu edhe të Kosovës.”, tha Griselda Marini, menaxhere hoteli.

“Ne operojmë me pasta të freskëta në treg. Këtë vit turistët do të gjejnë pastat më të mira në bregdetin shqiptar. Po mundohemi gjithçka perfekte nga ana e shërbimit, në sallë dhe restorant. Produktet e detit janë kryesoret te ne.”, tha kuzhinieri Ndoc Shtjefni.

“Ekonomia dhe ofertat vazhdojnë të jenë në standartet normale të një shërbimi nga çfarë ofrohet dhe paguhet, Shëngjini është shërbim me 5 yje. Ju kërkoj që ta provoni dhe ta shijoni. “, tha operatori turistik Fatmir Ndoj.

Të pranishëm në hapjen e sezonit turistik ishin autoritete vendase dhe nga të gjitha trevat shqipfolëse, ndërsa kryetari i Bashkisë Lezhë Pjerin Ndreu u shpreh se zonat turistike do të njohin një zhvillim të mëtejshëm në vitet në vijim, përmes projekteve konkrete që synojnë përmirësimin e infrastrukturës dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve turistike.

“Njerëzit po investojnë, është një kombinacion i jashtëzakonshëm këtu, shqiptarët të Shqipërisë, biznesmenë nga Shëngjini, Lezha dhe Kosova po bëjnë një histori tashmë në zhvillimin e turizmit të këtij qyteti kaq të bukur. Sivjet vijmë me shumë ndryshime, vitin tjetër edhe më shumë. Brenda 3 vitesh, gjitha zona e bregdetit do të jenë vendet më të bukura për t’u vizituar në Shqipëri e rajon. Kemi projekte dhe po punojmë të mundur që ta transformojmë këtë zonë, e cila përveçse turizmit, s’ka ça prodhon tjetër se është shtylla kryesore e familjeve lezhjane. Do ta kthejmë në një ndër vendet më të mira në rajon.”, tha kryetari i bashkisë.

Çelja e sezonit turistik në Lezhë shënon një nisje premtuese, me pritshmëri të larta për një rritje të numrit të turistëve vendas dhe të huaj përgjatë bregdetit dhe destinacioneve të tjera turistike të këtij rajoni.

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Berisha kërkon anulim të zgjedhjeve, si ju duket?