E kthyer në traditë të përvitshme, në Lezhë u festua “Dita e Shtegtarit”, një feste kushtuar emigrantëve që jetojnë në vende të ndryshme të botës.
Sheshi “Gjergj Kastrioti” u mbush me qytetarë të shumtë mbrëmjen e 15 gushtit, ku pjesa më e madhe ishin emigrantë të ardhur për të kaluar pushimet verore pranë familjarëve të tyre.
Atmosfera festive u shoqërua me muzikë dhe aktivitete kulturore, ndërsa të pranishmit e konsideruan këtë festë si një nga mënyrat më të bukura për t’u bashkuar dhe për të ruajtur lidhjet me vendlindjen.
“Jemi shumë të kënaqur, një organizim shumë i bukur, po ndihemi shumë mirë këtu”, tha një emigrante.
“Festë shumë e bukur, nuk e kisha menduar që Lezha ishte kaq e madhe dhe kaq mikpritëse”, tha një tjetër.
Kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, u shpreh se “Dita e Shtegtarit” është një ndër festat më të rëndësishme për qytetin, e cila vjen pas 15 netëve me aktivitete artistike e kulturore në sheshin qendror.
“Kjo është një ndër ditët më të rëndësishme të këtij qyteti, pasi kulmon dita e qytetarëve me atë të emigrantëve që kthehen me pushime. Kemi 15 ditë që e kemi mbushur këtë shesh me aktivitete të ndryshme. Pjesëmarrësit shtohen çdo vit”, tha Pjerin Ndreu
Festa zgjati deri në mesnatë, ndërsa për dy ditë me radhë emigrantë të shumtë u pritën edhe nga kryebashkiaku Pjerin Ndreu, duke e kthyer këtë ngjarje në një urë të fortë komunikimi mes diasporës dhe vendlindjes.
Komente
