Folklori i pasur i trevës së veriut, ka nevoje t’u përcillet brezave për t’i shpëtuar harresës së viteve.
Kjo po ndodh në Lezhë, ku falë angazhimit të instrumentistit dhe rapsodit të njohur Llesh Prenga, janë brezi i ri i fëmijëve që po mbajnë gjallë traditën.
Çiftelia dhe vallja popullore e trevës së veriut e shoqëruar me kostumografinë e pasur, po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e të rinjve të pasionuar dhe kuriozë pas traditës folklorike.
“Kam dy vite që jam regjistruar në kursin e kërcimit për valle popullore. Më pëlqen shumë shumë si zhaner. Deri tani kemi mësuar shumë valle të reja dhe kërcime dhe kemi marr pjesë edhe në koncerte dhe kemi marr çmime”, tha valltarja Dea Preçi.
“Ne ruajmë traditën duke veshur veshjet e gjyshërve tanë”, tha valltarja Sabina Temali.
“Kam 1 vit që merrem me çifteli, tani po mësoj edhe instrumente tjera, si sharkia, i kërkova vet profesorit që të ma mësojë. Kam marr pjesë në shumë festivale. Çiftelinë e kam trashëgimi nga daja ime”, tha Alfons Deda, instrumentist në çifteli.
Instrumentisti dhe rapsodi Llesh Prenga thotë se interesi i të rinjve lezhjan për folklorin po vjen gjithnjë në rritje dhe kjo është mjaft pozitive për ruajtjen e traditës së një kombi me histori në këtë drejtim.
“Ne kemi hapur kursin për çifteli dhe krahas çiftelisë kishte interes dhe për valle popullore dhe kam 2 vite që kam hapur kursin. Të rinjtë kanë shumë interes që ta mësojnë folklorin”, tha Llesh Prenga, rapsod e instrumentist.
Këta fëmijë instrumentistë dhe valltarë kanë marrë pjesë në shumë event brenda dhe jashtë vendit duke prezantuar traditën folklorike qindrave vjeçare të trevës së veriut, ku janë vlerësuar edhe me çmime.