Qarku i Lezhës është përballur me një situatë të vështirë nga zjarret gjatë 48 orëve të fundit. Sipas të dhënave zyrtare të Mbrojtjes Civile, janë regjistruar 20 raste gjithsej, nga të cilat 17 në bashkinë Lezhë, 2 në Kurbin dhe 1 në Mirditë.
Por falë angazhimit të strukturave në terren, është bërë e mundur shuarja e të gjitha vatrave, por zjarret kanë lënë pas dëme të konsiderueshme në sipërfaqe pyjore dhe në pemëtari. Prefekti i Qarkut Lezhë, Taulant Malshi, thotë se për dy raste janë referuar materiale në Prokurori, pasi dyshohet se kemi të bëjmë me zjarrvënie të qëllimshme.
Prefekti Malshi thotë se “janë marrë të gjitha masat për të përballuar situatat që mund të krijohen gjatë muajve korrik dhe gusht”, ndërsa apelon për “kujdes maksimal, pasi temperaturat kanë arritur deri në 38°C, duke rritur rrezikun për zjarre”.
Aktualisht në Qarkun e Lezhës nuk ka asnjë vatër zjarri aktive, por strukturat e emergjencave vijojnë të jënë në gatishmeri për t’i paraprirë dhe përballuar me sukses çdo situate që mund të krijohet.
Lajmi kryesor:
Zjarret shkrumbojnë 56 ha me pyje e ullishte, Vlora më e prekura! Digjet tregu në Durrës, prefekti: S’kishte kushte teknike
A.Q/SI.E./ReportTv.al