Zbatimi i një projekti të bashkisë së Lezhës për të rrethuar varrezën publike ka hasur në kundërshtimin e banorëve të fshatit Ungrej.
Ata kanë përzënë punëtorët e kompanisë ndërtuese me pretendimin se kanë shkaktuar dëme në varre, ndërsa kërkojnë nga bashkia të informohen mbi këtë projekt, pasi nuk është vendosur as tabela e punimeve.
"Vite më parë me kontributet e tyre kanë bërë murin rrethues, ndërsa bashkia kërkon ta kthejë në rrethim me tela", thanë ata.
Zyrtarët lokalë pasi u njohën me këtë shqetësim thanë se do të takojnë të hënën banorët e Ungrejt. Ndërsa në faqen e prokurimeve rezulton se tenderin për Rrethimin dhe Sistemimin e Varrezave në të gjitha Njësite Administrative te Lezhës e ka fituar kompania “LODI CONSTRUCTION” me një fond prej 23 321 720 lekësh, ndërsa punimet duhet të përfundojnë brenda tre muajve.