Lezhë- Parakaloi në shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor në aksin rrugor Shkodër-Lezhë, procedohet administrativisht drejtuesi i automjetit me gjobë 12 mijë lekë dhe heqjen e 10 pikëve nga patenta.
Shërbimet e Policisë Rrugore të Lezhës, njoftuan sot (12 korrik) se pas publikimit të një videoje në faqen “Harta Digjitale e Aksidenteve Rrugore”, në të cilën shfaqej një automjet që kryente parakalim të rrezikshëm në aksin rrugor Shkodër-Lezhë, kanë kryer menjëherë veprimet për identifikimin e drejtuesit të automjetit.
“Nga verifikimet e kryera u identifikua drejtuesi, njëkohësisht pronari i automjetit, A. D., banues në Shkodër. Në zbatim të nenit 141 dhe nenit 127 të Kodit Rrugor, ky i fundit u ndëshkua me masë administrative 12 000 lekë, për shkeljen e kryer. Gjithashtu, i janë zbritur 10 pikë nga leja e drejtimit”, njoftoi policia.
Drejtoria i bën thirrje qytetaravë dhe medias që të vijojnë të japin kontributin e tyre në evidentimin e shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor, dhe të denoncojnë, pasi “reagimi do të jetë i menjëhershëm, i paanshëm dhe konform ligjit”.
Komente
