Lezhë- Është zhvilluar sot në Gjykatën e Lezhës seanca e radhës ndaj portugezit Ruben Saraiva, i akuzuar si vrasësi me pagesë i biznesmenit Ardian Nikulaj dy vjet më parë në lokalin “Coral” të të ndjerit në Shëngjin, nën motive hakmarrjeje.
Të paktën 10 dëshmitarë do të dëshmojnë në gjykatë, në çështjen penale ndaj portugezit Saraiva. Paraqitja e tij është bërë me forca të shumta policie dhe masa të forta sigurie, që prej orës 09:00 të mëngjesit të sotëm kur është paraqitur në godinë (30 qershor).
Portugezi Ruben Saraiva i vënë nën akuzë për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj në prill të vitit 2023 në Shëngjin, u përball sot për herë të parë me një pjesë të dëshmitarëve të thirrur nga prokuroria në proçesin gjyqësor penal që po zhvillohet ndaj tij.
Kamarieri i lokalit, banakieri dhe persona të tjerë kanë dëshmuar gjatë ditës së hënë në gjykatë, në një seance gjyqësore maratonë e cila zgjati për disa orë.
Avokati i Saraivës, Kujtim Cakrani, thotë se “deklarimet e tyre nuk provojnë se i mbrojturi prej tij është autori i vrasjes së biznesmenit Ardian Nikulaj”, ndërsa dhe ai vetë “vijon që të mbajë qëndrim mohues”.
Ruben Saraiva është i vetmi përson i cili është marrë i pandehur dhe po përballet me gjykim të zakonshëm në gjykatë për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj, pasi katër britaniket e tjere dhe shqiptari Edmond Haxhia të akuzuar si bashkëpunëtor në këtë kërkim ende nuk janë ekstraduar nga Britania e Madhe. Krimi ka ndodhur për hakmarrje nga fisi Lekstakaj, ku përplasja ndër vite mes tyre (që nga 1997) ka shkaktuar bilanc me disa viktima.
Procesi ndaj tij po vijon me gjykim të zakonshëm, ndërsa vetë i dyshuari i ka mohuar akuzat në mënyrë të përsëritur. U vu re prezenca e shtuar e forcave të policisë dhe atyre operacionale që rrethuan godinën dhe morën masat e duhura për shmangien e ndonjë incidenti.
Portugezi u ekstradua në Shqipëri më 31 dhjetor 2023 nga Maroku, ku dhe u arrestua dhe ku ishte fshehur pas atentatit, pasi autoritetet marokene pranuan kërkesën e drejtësisë shqiptare për ta dorëzuar atë. Ndaj tij rëndojnë akuzat “vrasja për gjakmarrje” dhe “prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve”. Ruben Saraiva me nënshtetësi portugeze dhe rezidencë në Angli dyshohet se është ekzekutori i Ardian Nikulajat.
Për këtë vrasje në Angli janë arrestuar dhe ndodhen në proces ekstradimi edhe pjesa tjetër e grupit, një shqiptar që dyshohet se ka bërë pagesën dhe organizimin për llogari të kushërinjve të tij që kërkonin hakmarrjen dhe katër anglezë, të cilët vëzhgonin lëvizjet e viktimës dhe ia kalonin informacionet vrasësit Ruben Ribeiro Saraiva.
Më 7 mars të këtij viti Prokuroria e Lezhës dërgoi për gjykim dosjen. Pasi dëgjoi palët, gjyqtari Renis Sheshi pranoi kërkesën e prokurorit Françesk Ganaj, duke e kaluar çështjen për gjykim. Avokati i Ruben Saraivës, Kujtim Cakrani në përfundim të seancës gjyqësore, u shpreh se nuk ka prova që e implikojnë klientin e tij në këtë vrasje.
Komente
