LEZHË - Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në qytetin e Lezhës, ku 65-vjeçari Gjergj Tusha është gjetur i pajetë në breg të lumit Mat, në Tale të Lezhës.
Policia njofton se rreth orës 14:40, në Sallën Operative ka telefonuar e bija, e cila kishte humbur kontaktet me 65-vjeçarin që prej paradites.
Pas disa orësh kërkime, burri u gjet i pajetë me shenja dhune në trup dhe një plagë e shkaktuar nga armë zjarri.
Gjithashtu policia sqaron se kërkimet për 65-vjeçarin nisën pasi e bija kishte telefonuar Sallën Operative duke njoftuar se kishte humbur kontaktet me të atin.
"Rreth orës 14:40, në Sallën Operative ka telefonuar shtetasja A. Gj., duke njoftuar se kishte humbur kontaktet me babain e saj, shtetasin Gj. T., 65 vjeç, banues në Pllanë, Lezhë. Menjëherë, shërbimet e Policisë kanë nisur kërkimet për gjetjen e tij. Pas disa orësh kërkimesh, rreth orës 17:30, në breg të lumit Mat, në Pllanë, Lezhë, është gjetur pa shenja jete shtetasi Gj. T. Nga këqyrja paraprake, viktima ka shenja dhune, përfshirë një plagë në trup, dyshohet nga armë zjarri",- njofton policia.
Burime për Report Tv bëjnë me dije, se viktima rezulton i pajisur me tre urdhër mbrojtjeje nga i biri. Në vitin 2022, ai ka marrë urdhër mbrojtje për dhunë fizike dhe psikologjike, ndërsa në vitin 2023 djali i tij është arrestuar për dhune.
Ndërkohë, është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e rrethanave, dokumentimin ligjor, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.
Shërbimet e Policisë dhe ato të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër, po kontrollojnë në zonë me qëllim kapjen e autorit.
Komente
