LEZHË - Një 65-vjeçar është gjetur i pajetë mbrëmjen e sotme në afërsi të hidrovorit të Tales në Lezhë.
Në njoftimin zyrtar të policisë thuhet se nga këqyrja paraprake, 65-vjeçari Gjergj Tusha ka shenja dhune, përfshirë një plagë në trup, e cila dyshohet nga armë zjarri.
Gjithashtu policia sqaron se kërkimet për 65-vjeçarin nisën pasi e bija kishte telefonuar Sallën Operative duke njoftuar se kishte humbur kontaktet me të atin.
"Rreth orës 14:40, në Sallën Operative ka telefonuar shtetasja A. Gj., duke njoftuar se kishte humbur kontaktet me babain e saj, shtetasin Gj. T., 65 vjeç, banues në Pllanë, Lezhë. Menjëherë, shërbimet e Policisë kanë nisur kërkimet për gjetjen e tij. Pas disa orësh kërkimesh, rreth orës 17:30, në breg të lumit Mat, në Pllanë, Lezhë, është gjetur pa shenja jete shtetasi Gj. T. Nga këqyrja paraprake, viktima ka shenja dhune, përfshirë një plagë në trup, dyshohet nga armë zjarri",- njofton policia.
Është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e rrethanave, dokumentimin ligjor, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.
Ndërkohë, shërbimet e Policisë dhe ato të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër, po kontrollojnë në zonë me qëllim kapjen e autorit/ve.
Komente
