Lezhë - Një 43-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Lezhës pasi u kap në flagrancë në aksin rrugor “Milot-Morinë”, duke transportuar, 6 egjiptianë
Sipas Policisë Defrim Matmuja rezulton me precedent penal për të njëjtën veprimtari kriminale - 'Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve'.
Blutë sekuestruan automjetin më të cilin transportoheshin emigrantët dhe 1 celular.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të punës intensive për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shettasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufijve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Narkotikëve dhe me Seksionin e Sigurisë së Autostradës “Milot-Morinë”, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Piloti”.
Gjatë operacionit, në aksin rrugor “Milot-Morinë”, shërbimet e Policisë kapën në flagrancë shtetasin D. M., i cili po transportonte me automjet, 6 shtetas egjiptianë, me qëllim për t’i ndihmuar që të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme.
Nga hetimet dyshohet se ky shtetas organizonte dhe zhvillonte veprimtarinë e dhënies ndihmë emigrantëve, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt pagesës.
Në vijim të veprimeve u arrestua në flagrancë shtetasi D. M., 43 vjeç, banues në fshatin Breglumë, Kukës, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer më shumë se një herë.
Vijon puna për dokumentimin e kësaj veprimtarie kriminale dhe për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.
Komente
