Për të zgjidhur situatën katotike me mungesën e vendeve të parkimit në Lezhë, Bashkia ka përzgjedhur lulishten “11 janari” pranë Gjykatës për të ndërtuar aty një parking nëntokësor. Negociatat për koncension janë duke u zhvilluar me kompaninë private "Eurocompany" sh.p.k në pronësi të Arian Tukut.
Por kjo ofertë në dorë të bashkisë të cilën kryebashkiaku Pjerin Ndreu e bëri vetë publike, ka një rrugëtim të gjatë drejt miratimit.
Report Tv mësoi Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore se “Lulishja 11 janari” ku parashikohet të ndërtohet parkingu nëntokësor (4 kate +1 kat objekt shërbimi mbi tokë), i përket zonës arkeologjike B. Që do të thotë, se si një qytet historik, çdo gërmim në Lezhë kërkon aprovimin e Institutit.
Pjerin Ndreu tha se bashkia e Lezhës i është drejtuar Institutit për të bërë aty një test arkeologjik, një përgjigje e domosdoshmë per të kuptuar nësë gërmimet për parkingun nëntokësor e prekin apo jo historinë.
Instituti kombëtar i Trashëgimisë Kultore, i hedh poshtë këto pretendime dhe për Report Tv bën të ditur se aplikimi nga kompania për parkingun nuk është i plotë dhe se për kryerjen e sondazheve arkeologjike duhet paraprakisht të lidhet një akt-marrëveshje.
"Investitori duhet të lidhë paraprakisht akt marrëveshje tre-palëshe me subjekt të licencuar në arkeologji, i cili do të ndjekë në mënyrë periodike ditore kryerjen e punimeve të gërmimeve si dhe me IKTK që do mbikëqyrë këtë subjekt", përgjigjet Instituti për Report Tv.
Reagimi për Report Tv
INSTITUTI KOMBËTAR I TRASHËGIMISË KULTURORE
Në lidhje me projektin e parkingut nëntokësor në qytetin e Lezhës, zona arkeologjike “B”, ju sqarojmë se:
Në vijim të aplikimit të subjektit “ARCHITECTURE STUDIO MAX XII” sh.p.k 26.08.2021, dhe zhvillues subjektin “EUROCOMPANY” sh.p.k, për ndërtimin e parkimit nëntokësor 4 kate +1 kat nëntokë, zona arkeologjike “B” Lezhë, Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale (KKTKM) ka shqyrtuar:
- I. Projektin “Studim i parkut ekzistues dhe propozim i një sheshi polifunksional parkim nëntokësor 4 kate +1 kat objekt shërbimi mbi tokë në funksion të sheshit të ri”, brenda kufirit të zonës arkeologjike “B” të qytetit të Lezhës;
- II. Konceptin e sondazheve arkeologjike të përgatitur nga individi i licencuar Z. Skënder Muçaj në kuadër të projektit “Studim i parkut ekzistues dhe propozim i një sheshi polifunksional parkim nëntokësor 4 kate +1 kat objekt shërbimi mbi tokë në funksion të sheshit të ri”, brenda kufirit të zonës arkeologjike “B” të qytetit të Lezhës.
Pas shqyrtimit të dokumentacionit, KKTM ka vendosur se për kryerjen e sondazheve arkeologjike duhet paraprakisht të lidhet një akt-marrëveshje.
"Investitori duhet të lidhë paraprakisht akt marrëveshje tre-palëshe me subjekt të licencuar në arkeologji, i cili do të ndjekë në mënyrë periodike ditore kryerjen e punimeve të gërmimeve si dhe me IKTK që do mbikëqyrë këtë subjekt".