Ngjarja që në fillim u raportua si aksident ditën e djeshme në qytetin e Lezhës, rezultoi të ishte një tentativë për vrasje. 25-vjeçari Antonio Uldedaj është shpallur në kërkim pasi tentoi të vriste ish-bashkëshortin e motrës Marsido Pati duke e përplasur me makinë teksa ai po lëvizte me motor. Ngjarja fillimisht u raportua si aksident, ndërsa sot policia njofton se 25 vjeçari e ka përplasur qëllimisht disa herë me makinë, motorin me drejtues ish-kunatin e tij, në aksin “Lezhë-Shëngjin”, në vendin e quajtur “Kthesa e Knallës”.
Më pas i riu është larguar nga vendi i aksidentit ndërsa 32 vjeçari që ndodhej në motor u dërgua me urgjence në Spitalin Rajonal të Lezhës, ku pas marrjes së ndihmës së para mjekësore mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Sipas hetimeve të deritanishme, shkak për ngjarjen janë bërë konfliktet për zgjidhjen e martesës të 32-vjeçarit me ish-bashkëshorten, motrën e 25-vjeçarit Antonio Uldedaj.
Njoftimi i policisë
Lezhë/Zbardhet ngjarja e ndodhur ditën e djeshme, e raportuar fillimisht si aksident rrugor, në Shëngjin, ku një automjet përplasi një motomjet. Tentoi të vriste ish-bashkëshortin e motrës së tij, për shkak të konflikteve për zgjidhjen e martesës, duke i goditur disa herë, me automjet, motomjetin, shpallet në kërkim 25-vjeçari. Sekuestrohen automjeti dhe motomjeti që u përfshinë në këtë rast.
Paraditen e djeshme, Policia është njoftuar se kishte ndodhur një aksident rrugor në aksin “Lezhë-Shëngjin, në vendin e quajtur "Kthesa e Knallës", ku një automjet kishte përplasur një motomjet dhe drejtuesi i automjetit ishte larguar nga vendi i aksidentit. Specialistët e Policisë Rrugore kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, kanë kryer hetime të thelluara për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje që u raportua fillimisht si aksident.
Nga hetimet e deritanishme u identifikua dhe u shpall në kërkim shtetasi A. U., 25 vjeç, banues në Lezhë, pasi rezultoi se ka përplasur qëllimisht, disa herë, me automjet, motomjetin me drejtues ish-bashkëshortin e motrës së tij, shtetasin M. P., 32 vjeç, banues në Ishull-Shëngjin, për shkak të konflikteve për zgjidhjen e martesës.
Me cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti dhe motomjeti që u përfshinë në këtë rast. Vijon puna intensive për kapjen e 25-vjeçarit. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, mbetur në tentativë.