Lezhë- Një 33-vjeçar i cili po drejtonte makinën në gjendje të dehur dhe pa patentë në rrugën dytësore “Milot-Lezhë, ka rënë në prangat e policisë së Lezhës.
Në njoftimin zyrtar për mediat, blutë informojnë se Jetmir Moriqi nuk i është bindur efektivit të policisë për të ndaluar, madje vijoi të ecte më shpejt.
“Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin J. M., 33 vjeç, banues në fshatin Bushat, për veprat penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë”. Ky shtetas, duke drejtuar automjetin, në rrugën dytësore “Milot-Lezhë”, nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë Rrugore, për të ndaluar automjetin dhe ka vijuar lëvizjen me shpejtësi. Pas ndalimit të tij nga shërbimet e Policisë, iu bë testi i alkoolit, nga i cili rezultoi në gjendje të dehur. Gjithashtu, nga verifikimet rezultoi se shtetasi J. M. nuk ishte i pajisur me leje drejtimi”, informoi sot policia.
Gjithashtu në pranga ka rënë edhe një 33-vjeçar tjetër. Adrian Haka (Cara) ra në pranga pasi po drejtonte motorin në gjendje të dehur.
"Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë edhe shtetasin A. H. alias A. C., 33 vjeç, banues në Fushë Kuqe, Kurbin, pasi u kap në aksin rrugor “Mamurras- Laç”, duke drejtuar motomjetin, në gjendje të dehur", thuhet më tej në njoftim.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Lezhë, për veprime të mëtejshme.
Komente
