Administratori i një subjekti të shfrytëzimit të inerteve dhe dy shoferë janë vënë në pranga, pasi u kapën duke transportuar me dy trajlera dhe pa dokument shoqërues materiale inerte. Ndërsa në momentin e ndalimit të arrestuarit u munduan të manipulonin policët për mungesën e faturave tatimore.
Automjetet me të cilat po transportoheshin materiale inerte, u ndaluan në aksin rrugor Skuraj-Milot, në vendin e quajtur Milot, ku u arrestuan në flagrancë s A. B. 26 vjeç, banues në Laç (me detyrë administrator i një subjekti për shfrytëzimin e inerteve në lumenj), A. Sh. 40 vjeç dhe A. K. 55 vjeç, banuesë në Tiranë (shoferë të firmës).
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 trajlera të mbushur me materiale inerte me qëllim transportimin e tyre, për të cilat nuk dispononin asnjë dokument shoqërues.
Gjithashtu, në momentin e konstatimit të tyre nga shërbimet policore, të arrestuarit kanë tentuar të manipulojnë faturën tatimore duke paraqitur të dhëna të rreme që nuk korrispondonin me sasinë, subjektin blerës e shitës të mallit.
Vijojnë veprimet hetimore, në bashkëpunim me Prokurorinë, për identifikimin dhe arrestimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Lezhë, për veprime të mëtejshme.