Kultura etnografike dhe trashëgimia artizanale e qytetit historik verior u prezantua përmes 5 veshjeve të ndryshme të krahinave të Lezhës, në Ditën Ndërkombëtare të Trashëgimisë Kulturore. Kostumografia e zonës së Zadrimës, Mirditës, Kallmetit dhe atmosfera e valleve tradicionale të Lezhës u bënë bashkë në një event të veçantë organizuar në Memorialin e Gjergj Kastriotit në Lezhë.
Për përgjegjësin e trashëgimisë kulturore Paulin Zefi, Lezha është bartëse e një trashëgimie të pasur tradicionale dhe këtë e tregojnë edhe pasuria e elementëve etnografikë të veshjeve popullore .
“Lezha ka një pasuri shumë të madhe jo vetëm trashëgimi kulturore por edhe trashëgimi shpirtërore. Këtu kemi 5 veshjet kryesore tradicionale të Lezhës. Ka peshën e vetë. Kemi Kallmetin, i cili është një fshat në skaj, që ka peshën e vet karakteristike me një veshje të veçantë, pasi nuk ka elementë fetarë por ka element të antikitetit ilir”, shprehet Zefi.
Pjerin Ndreu Kryebashkiaku i Lezhës tha se aktivitete të tilla janë një mundësi e mirë për ruajtjen e traditës dhe promovimin e vlerave të trashëgimisë kulturore kombëtare.
“Lezha është një kombinacion i disa aktiviteteve i një trashëgimie kulturore shumë të pasur që në fakt Bashkia Lezhë është munduar të evindetojë sa herë është mundësia duke shkuar në të gjitha trevat, duke treguar se çfarë trashëgimie të pasur ka Lezha”, thotë Ndreu.
Të pranishem në event ishin dhe një grup studentesh të Historisë, të cilët u njohën me traditat dhe objektet e trashëgimisë së zonës së Zadrimë, Mirditë, Kallmet, Pllanës dhe Malësisë.