Për herë të parë është krijuar harta digjitale e parkut arkeologjik të Lezhës. Në krye të kësaj pune qëndron profesor Neritan Ceka i cili tha se kanë dalë në pah fakte të reja historike për fortifikimin e qytetit antik të Lisusit.
***
Në Lezhë u prezantua për herë të parë kartografia e Parkut Arkeologjik. Tashmë institucionet qëndrore e lokale do të kenë në dispozicion një hartë digjitale të pasurisë arkeologjike, e cila më parë nuk ekzistonte.
“Pra, për herë të parë jepet kartografia e parkut arkeologjik të Lezhës që me pare nuk ekzistonte e cila pastaj me pas vihet në shërbim qoftë të bashkisë, qoftë të kërkimit shkencor, qoftë të institucioneve të turizmit. Synimi është krijimi i një sajti ëebgis ku hidhet i gjithë informacioni i kartografimit”, thotë Nerita Ceka.
Përveç hartës, studimi solli edhe një rishikim të të dhënave historike. Deri tani mendohej se Akrolisi, fortifikimi në malin e Shëlbumit, ishte shumë i lashtë dhe i përkiste periudhës së Bronzit, ndërsa studimi i ri tregon se është i periudhës protourbane, kur filloi dhe formimi i qytetit antik të Lisusit.
“Së dyti është të studiojmë më në hollësi asete arkeologjike që janë Akrolisi, dhe gjithë qyteti antik i Lezhës. Këtu mund të themi që kemi të reja në datimin, në përcaktimin. Pra për shembull për Akrolisin që është konsideruar një fortifikim i kohës së bronzit nuk është i tillë është i periudhës protourbane shekullit të V dhe përbën fillimet e qytetit të ardhshëm të Lezhës i cili zhvillohet ku është sot kalaja pak kohë më vonë se ai rreth fillimit të shekullit të V dhe gjatë shekullit të IV pastaj në fund të shekullit të IV duhet të jetë krijimi i qytetit antik Lezhë. Pra është një kronologji e re në krahasim me arritjet e mëparshme”.
Një tjetër arritje është realizimi i planimetrisë së plotë të Akrolisit dhe qytetit antik të Lezhës.
Nëse më herët ekzistonte vetëm një skicim në letër i vitit 1972, sot këto të dhëna janë të përpunuara me teknologji moderne.
“Kemi një hartë të re të gjeofizikës së zonës, jo më vetëm në 2D, por edhe në 3D. Në thellësi të ndryshme shfaqen struktura që ende nuk janë gërmuar, por që tashmë i ofrohen arkeologëve si një orientim për kërkimet e ardhshme”.
Harta e re digjitale është në dispozicion të arkeologëve të cilët mund të kryejnë ekspedita të reja, gërmime e studime në nëntokën e pasur të Lezhës.
Komente
