Mes skelave, aty ku punohet për restaurimin e kishës së Shën Gjon Kryepremit në Mërqi të Lezhës është promovuar libri i studiuesit Thanas Gjika, i cili prej vitesh jeton në ShBA. Në mungesë të tij, miq të librit dhe përfaqësues të dioqezës së Lezhës, vlerësuan botimin e ri me karakter studimor "Disa Korrigjime në Shënimet Sqaruese dhe Hartat e Dhiatës së re".
"Libri është përpjekje e autorit të bëjë analizë apo ballafaqim të tekstit biblik me fakte historike e që ka lidhje historike ilire-arbërore. Bibla është vlera fetare, e kulturore shkrimet e saj i ka në dokumente të shkruara dhe në legjenda e gojëdhëna", shprehet Dom Nik Ukgjini, Studiues.
"Një moment i bukur pasi vete libri me titullin që ka tregon rëndësinë që ka kjo tokë që ka mirëpritur figura të mëdha, me siguri prania e kalimi i apostullit ka lënë bekimin për këtë tokë", thotë Dom Angjelin Krygja, Sekretari i Ipeshkvisë.
Ky është botimi i trete i Gjikës, përmes të cilit hedh tezën se Apostulli Shën Pali ka udhëtuar në trojet shqiptare gjatë periudhës ilire, e konkretisht në Hajmel të Lezhës dhe në ishullin e Sardës në Shkodër.