Lezhë- Policia e Lezhës ka sekuestruar 34 kilogram kanabis në vijim të operacionit për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve.
Në pranga ka rënë David Ndoj, ndërsa në kërkim është shpallur Mir Ndoj.
David Ndoj u ndalua në momentin kur po fuste automjetin në oborrin e banesës së vjehrrit të bashkëpunëtorit të tij, në tentativë për të fshehur drogën, Mir Ndoj, bashkëpunëtori dhe dhëndri i pronarit të banesës i cili përfitoi nga errësira dhe u largua në këmbë.
Gjatë kontrollit në banesë u gjet dhe sekuestrua lënda narkotike e paketuar për shitje në sasi dhe e grirë, e gatshme për shitje në doza, 1 pajisje që përdorej për paketimin e lëndës narkotike dhe 2 automjete.
Operacioni u kodua 'Vakumi'.
Njoftimi i policisë:
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve i DVP Lezhë, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, pas disa javësh hetime, bazuar në informacione policore të administruara, në bashkëpunim me Sektorin Operacional, ka organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Vakumi”.
Si rezultat, u arrestua në flagrancë shtetasi D. N., 21 vjeç, banues në Lezhë, u shpall në kërkim shtetasi M. N., 36 vjeç, banues në Lezhë, si dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin N. B., banues në Lezhë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Gjatë operacionit, në rrugën e fshatit Balldre, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar 2 automjete me të cilat qarkullonin shtetasit D. N. dhe M. N. Nga ndërhyrja e shpejtë e shërbimeve të Policisë është bërë i mundur ndalimi i shtetasit D. N., i cili ka tentuar ta fshehë lëndën narkotike në banesën e shtetasit N. B., pasi ka futur automjetin në oborrin e banesës së këtij shtetasi. Shtetasi M. N. (dhëndri i shtetasit N. B.) duke përfituar nga errësira dhe nga njohja e terrenit, ka mundur të largohet. Vijojnë kontrollet për kapjen e tij.
Policia ka sekuestruar rreth 34 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, një pjesë e presuar në qese vakumi gati për shitje, ndërsa pjesa tjetër do të përpunohej për ta shitur në doza.
Në vijim të veprimeve procedurale, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit N. B. (vjehrri i shtetasit të shpallur në kërkim), u gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale 1 pajisje që përdorej për paketimin e lëndës narkotike.
Nga hetimet ka rezultuar se këta shtetas, pasi siguronin lëndë narkotike, e ndanin dhe e shisnin në sasi, si dhe në doza, në qytet.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Komente
