Lezhë- Nisja e sezonit turistik veror ka vënë në lëvizje edhe grupet e trafikut dhe shpërndarjes së drogave të forta dhe sintetike.
Prej disa ditësh Policia e Lezhës ka goditur të paktën 3 prej këtyre grupeve, duke sekuestruar sasi të konsiderueshme kokaine, hashashi, MDMA, ekstrazi dhe droga të tjera në shpërndarje me qëllim fitimin.
Goditja e fundit është bërë në plazhin e Shëngjinit ditën e djeshme, teksa sot (9 qershor) policia vendore konfirmoi se mori nën akuzë 6 të rinj, mes tyre 4 turistë të huaj, për veprën penale të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve. Pas shoqërimit dhe marrjes në pyetje, teksa pretenduan se ishin përdorues, të rinjtë u lanë të lirë, por policia dyshon se pas shqiptarëve fshihet një grup shpërndarësish që po hetimet.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, për A. J., 25 vjeç, F. Y., 30 vjeç dhe për 4 turistët e huaj D. C., 33 vjeç, K. A., 37 vjeç, P. P., 34 vjeçe dhe A. H., 33 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik ndaj tyre dhe në automjetet me të cilat ata qarkullonin, në Shëngjin, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale sasi të vogla të lëndëve të dyshuara narkotike kokainë, kanabis dhe ekstazi”, bëri me dije policia vendore.
Dosja për këtë rast i ka kaluar prokurorisë vendore për veprime të mëtejshme proceduriale.
Komente
