Lezhë- Policia e Lezhës arrestoi sot topografin e shpallur në kërkim dhe dënuar në mungesë me 5 vite burgim për tjetërsimin e pronave në bregdet.
Luigj Paloka i kishte shpëtuar drejtësisë deri më sot për tre akuzat e shpërdorimit të detyrës, grupit të strukturuar kriminal dhe falsifikimit, teksa ishte hetuar dhe gjykuar në mungesë për dosjen e tjetërsimit të 234 mijë metrave katrorë tokë në bregdetin e “Ranës së Hedhun”, ku të pandehur kanë qenë një grup me të paktën 11 persona nga Prokuroria e Posaçme.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare ekzekutuan vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për shtetasin L. P., 83 vjeç, banues në fshatin Balldre, të cilin kjo Gjykatë e ka dënuar me 5 vjet burgim, në kuadër të një procedimi për veprat penale “shpërdorimi i tokës”, “falsifikimi i dokumenteve” dhe “falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve”, të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”, tha policia vendore.
Pjesë e kësaj dosjeje ka qenë edhe ish-kryebashkiaku demokrat i lezhës, Fran Frrokaj, që gjithashtu është dënuar për tjetërsimin e tokave në bregdet.
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pranoi dosjen e SPAK për gjykim. Vendimi i dënimit për fraksionin ku bënte pjesë dhe Paloka u dha në vitin 2022 nga Apeli i GJKKO me formë të prerë, teksa SPAK paralelisht pati edhe dosjen e dytë që e procesoi më 2023.
Tjetërsimi i pronave në Lezhë u bë goditja më e madhe e SPAK me sekuestrimin e 55 milionë eurove pasuri, të ardhura nga vjedhja e tokës së shtetit. 13 milionë euro pasuri të sekuestruar në korrik i përkasin grupit të Fran Frrokaj dhe 10 të tjerëve, ndërsa 42 milionë euro pasuri të sekuestruara në vitin 2017 i përkasin grupit të vëllait dhe motrës së ish-deputetit Arben Ndoka.
Komente
