Trafiku është një gangrenë për Lezhën, i cili duket se do të marrë zgjidhje vetëm pasi të ndërtohet By-Pass i Shëngjinit dhe autostrada Milot-Balldre.
***
Sezoni turistik i këtij viti në Lezhë ishte mjaft i suksesshëm, duke shënuar një rritje në masën 10%. Të dhënat u bënë publike gjatë një takimi të përbashkët të pushtetit lokal me policinë e aktorë të tjerë.
Kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, theksoi rëndësinë e projekteve infrastrukturore që pritet të nisin, si autostrada Milot–Balldren dhe By-Passi i Shëngjinit, të cilat do t’i japin zgjidhje trafikut të rënduar në këtë zonë.
“Procedura e Milot-Balldre është hapur më 2 ose 3 tetor shpallet fituesi. Njësoj nga janari puna ka filluar. Po kështu do të nisë puna dhe për By-Passin e Shëngjinit. Sezoni ishte i suksesshëm dhe kjo është evidentuar edhe në analiza dhe prononcime të drejtuesve të shtetit,” tha Ndreu.
Drejtori i Policisë Vendore, Altin Mena, theksoi se nuk pati asnjë shqetësim nga zhurmat apo muzika në lokale.
“Matjet treguan se nuk u tejkaluan 84 dB, pavarësisht disa ankesave. Lokalet zbatuan orarin per muziken”, tha Mena.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë tre muajve të verës, në plazhet e Lezhës u frekuentuan nga rreth 1.5 milionë pushues, pjesa më e madhe e të cilëve shqiptarë nga Kosova, të cilët vazhdojnë ta kenë Shengjinin, destinacionin e tyre kryesor.
Komente
