LEZHË - Një 45-vjeçar u paraqit dje në spitalin e Lezhës pasi ishte vetëplagosur në këmbë me armë zjarri.
Policia nën me dije se sot pas hetimeve rezultoi se arma që posedonte 45 vjeçari Mond Gjoka ishte pa leje dhe se pas vetëplagosjes në lokalin e tij e ka fshehur armën, që të mos zbulohej e vërteta.
Për këtë, policia ka vendosur arrestimin e tij. Për momentin Mond Gjoka është në spital në kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën.
'Në vijim të informacionit të dhënë mëngjesin e djeshëm, për vetëplagosjen në këmbë, me armë zjarri, të shtetasit M. Gj., 45 vjeç, banues në fshatin Rraboshtë, informojmë se janë kryer veprimet procedurale për arrestimin e 45-vjeçarit, sepse nga verifikimet rezultoi se armën e zjarrit e posedonte pa leje.
Gjithashtu, ky shtetas, pas vetëplagosjes, në lokalin e tij, e ka fshehur armën, me qëllim pengimin e zbulimit të së vërtetës së rastit. Shtetasi M. Gj. vijon të jetë në kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.', njofton policia.
45-vjeçari Mond Gjoka u vetëplagos me armë zjarri pranë një lokali në fshatin Gryk Zezë të Lezhës.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkakut si dhe për dokumentimin ligjor të këtij rasti, për të parë nëse ka patur ndonjë konflikt mes personave të tjerë dhe 45-vjeçarit i cili paraprakisht nuk rezulton të jetë person me precedent të mëparshëm penal.