Një zjarr ka përfshirë mëngjesin e sotëm zonën pranë magazinave të Bashkisë Lezhë, përgjatë aksit Lezhë-Milot, në afërsi të kryqëzimit të Rriles. Flakët kanë përfshirë një hapësirë të konsiderueshme me mbetje inerte dhe materiale të tjera ndërtimi.
Tymi u përhap në drejtim të zonave të banuara si dhe në rrugën nacionale duke shkaktuar shqetësim për banorët dhe rrezik për qarkullimin e automjeteve.
Në një prononcim për mediat, nënkryetari Fatjon Zefi bëri me dije se flakët janë përhapur rreth orës 03:30 të mëngjesit, duke përfshirë një vend depozitimi mbetjesh të riciklueshme.
Sipas tij, mbetjet në fjalë janë kryesisht të grumbulluara nga ndërmarrja e shërbimeve dhe nuk bëhet fjalë për mbetje organike. Zefi theksoi se koha e rënies së zjarrit ngjall dyshime për zjarrvënie të qëllimshme, ndërsa shtoi se po punohet për neutralizimin e plotë të situatës brenda ditës së sotme, në mënyrë që të mos ketë më prani tymi në zonë.
“Rreth orës 03:00 të mëngjesit jemi njoftuar nga rojet për zjarrin në disa mbetje joorganike, rafte metalike, karrige, banka të shkollave, që mblidhen nga drejtori të Bashkisë dhe depozitohen këtu ngaqë janë materiale të ricklueshme. Bashkia është edhe drejt finalizimit të një projekti me GIZ, për shfrytëzimin e këtyre materialeve, pra për të mos i dërguar në landfille. Zjarri kuptohet që mund të ketë qenë i qëllimshëm, në atë orë s’ka pasur arsye tjetër se përse të ndodhte. Flakët janë shuar dhe janë vetëm tymra që ziejnë nga brenda të materialeve të depozituara”, tha ai.
Ai bëri të ditur gjithashtu se për trajtimin e këtyre mbetjeve po punohet në bashkëpunim me organizatën GIZ dhe se brenda këtij viti pritet të ngrihet një qendër e posaçme për trajtimin e tyre, për të shmangur dërgimin në landfill.
Nuk është hera e parë që ky landfill që administrohet nga bashkia, përfshihet nga flakët, çka ka rritur shqetësimet e komunitetit lokal. Dyshimet e para ngrenë pikëpyetje mbi mundësinë e zjarrvënies së qëllimshme, megjithatë hetimet mbi shkaqet e zjarrit janë ende në vazhdim.
Komente
