Marshalli Khalifa Haftar, i cili që nga muaji prill ka nisur fushatën ushtarake për të marrë në zotërim kryeqytetin libian Tripoli, i ka bërë thirrje popullatës për "mobilizim të përgjithshëm" dhe "xhihad" kundër një ndërhyrjeje të mundshme ushtarake turke në Libi në mbështetje të Qeverisë së Marrëveshjes Kombëtare.
"Ne e pranojmë sfidën dhe shpallim luftën e shenjtë islamike dhe mobilizimin e përgjithshëm," tha marrëshalli Haftar në një fjalim në rrjetin televiziv al-Hadath.
Ndërkohë, sekretari i përgjithshëm i OKB, Antonio Guterres, ka paralajmëruar Turqinë për dërgimin e trupave në Libi.
“Ndërhyrja ushtarake turke në Libi vetëm do të përkeqësojë konfliktin dhe komplikojë përpjekjet për një zgjidhje paqësore të konfliktit".
Guterres theksoi se "shkeljet e vazhdueshme të embargos së armëve të imponuar nga Këshilli i Sigurimit vetëm i keqësojnë gjërat".
Në një raport të fundit, ekspertët e OKB të ngarkuar me monitorimin e zbatimit të embargos, e vendosur në vitin 2011, gjetën shkelje si nga Turqia (në favor të Qeverisë së marrëveshjes kombëtare), ashtu edhe nga Jordania dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (në favor të Marshallit Haftar).
"Respektimi i rreptë i embargos është thelbësor për të krijuar një mjedis të favorshëm për ndërprerjen e armiqësive," tha Guterres, duke bërë thirrje "për një armëpushim të menjëhershëm në Libi dhe një kthim në dialogun politik nga të gjitha palët".