Titos Jochalas

'Librat e poemat që grekët shkruan për Skënderbeun'

14 Qershor 2018, 07:44| Përditesimi: 14 Qershor 2018, 17:59

  • Share

“Në Greqi ka pesë libra të vjetër, ka dy poema mbi 200-vjeçare që i kushtohen Skënderbeut, ka edhe piktura. Ndoshta mungon vetëm një shtatore pa u derdhur për të”. Kështu tha për “Shqiptarja.com”, Titos Jochalas, pjesëmarrës në Konferencën Shkencore që po mbahet në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut, në Pallatin e Kongreseve në Tiranë. Kjo konferencë ka nisur punimet në muajin maj dhe do të vijojë deri në nëntor,  sipas një kalendari të përcaktuar me sesionet përkatëse.


Pikturë nga grekët për Skënderbeun

Albanologët dhe studiuesit shqiptarë dhe nga bota, të ardhur nga Italia, Spanja, Greqia, Anglia, Franca, e më gjerë, me temat e tyre të larmishme, të mbështetura mbi kërkimet dhe zbulimet në arkivat ndërkombëtare, kanë ngjallur interes, jo vetëm për pjesëmarrësit, por edhe për studiuesit.  Albanologu Titos Jochalas ka mbajtur një ligjëratë mbi veprën e tij studimore ”Skënderbeu në historiografinë dhe letërsinë greke moderne”. Tito Jochalasi është një albanolog grek, që si rrallëkush i është dedikuar albanologjisë duke shkruar për të me vërtetësi. Ai ka kontribuar në studimet albanologjike shqiptare, edhe para viteve ’90, kur komunikimi ishte më i vështirë mes dy vendeve, shprehet shkrimtari dhe studiuesi Nasho Jorgaqi.

Titos Jochalasi, albanologu më i shquar grek, është një intelektual me një formim të gjithanshëm, një shkencëtar shumë serioz, një intelektual shumë i formuar. Është intelektual i disa planeve. Ai të habit me seriozitetin dhe saktësinë, me të cilat karakterizohen studimet e tij, dhe ajo që më shton akoma më shumë respektin për të, është fakti që ai mbajti lidhje të veçanta me ne shqiptarët edhe për ngjarjet e viteve ‘90 kur marrëdhëniet shqiptaro-greke ishin të vështira. Titos Jochalasi ka arritur të gjejë shtigje për t’u marrë me problemin e historisë sonë. Dhe të merresh me problemin e historisë shqiptare në Greqi, kjo punë ka dashur një vizion serioz. Megjithëse ka qenë e rënduar pozita e tij në Greqi, ne takoheshim në atë kohë vëllazërisht me të, shkonin atje me Androkli Kostallarin e të tjerë studiues.

Shkrimtari dhe studiuesi Nasho Jorgaqi

Për Jorgaqin, pozita e vështirë e Jochalas në Greqi vinte nga origjina arvanitase. “Ai është me rrënjë arvanitase, dhe megjithëse rrezikonte, prapë ai i ka mbështetur shumë shqiptarët. Titos Jochalasi nuk flet shumë për origjinën  e tij”, rrëfen Jorgaqi, por të gjithë studiuesit e dinë se ai ka lindur në vitin 1942 në Margëlliç të Çamërisë. Është shqiptar ortodoks. Bashkëshortja e tij është nga arbëreshët e Italisë. Pa e ndjerë të nevojshme të zërë në gojë origjinën, Titos Jochalasi ka dhënë kontribute për historinë dhe kulturën shqiptare. Ai ka dhënë kontribute, jo vetëm me veprën  e tij që i kushtohet figurës së Gjergj Kastriotit Skënderbeut në letërsinë dhe historiografinë e Greqisë, por edhe me studime të tjera për arvanitasit e arbëreshët e Italisë. Ka botuar  fjalorin e Marko Boçarit, fjalorin Kupitorit, gramatikën e gjuhës shqipe hartuar prej mjekut të Ali Pashë Tepelenës, dhe një seri studimesh e kërkimesh të kulturës e traditave të arvanitasve të Greqisë.

Profesor Jochalas, ndërsa dëgjuan se çfarë pasqyron libri juaj “Skënderbeu në historiografinë greke”, ajo që na bënë kurioz është sesi e kanë përjetuar pushtimin osman grekët, duke i krahasuar me atë që kanë përjetuar ndërkohë shqiptarët?

- Është një histori tragjike e përbashkët, pushtimi osman ka shkaktuar viktima, e vetëm viktima. Më duket që 440 vjet kemi humbur marrëdhëniet me civilizimin dhe me Europën, për fatin e keq vërtetohet kjo humbje e kohës, kur të tjerët në Europë e kishin qytetërimin, ne kishim skllavërinë, ishin skllevërit e turkut. Ndoshta sot duhet që popujt të Ballkanit, të rreshtohen e të bashkohen si në atë kohë të Skënderbeut për të qenë miq të vërtetë mes tyre, dhe jo miq, siç bëhen historitë e momentit. Shqiptarët kanë figurën dykrenore, ku një kokë duhet të shohë në Europë, ndërsa koka tjetër duhet të shoh brenda vetvetes, që shqiptarët të mos humbasin traditat, gjuhën, pra vlerat që ata kanë trashëguar deri sot.

Për sa i përket mitit historik dhe letrar të Skënderbeut, a vërehen dallime në përshkrimin e figurës së tij nga dy popujt, njëri që e ka birin e vet dhe tjetri e sheh si heroin që luftoi armiqtë e Greqisë?

-Më duket që figura e Skënderbeut unifikon, ka unifikuar këta dy popuj, grekët dhe shqiptarët, dhe grekët kanë parë në figurën Skënderbeut një model unitar, një model të armiqve të përbashkët, shqiptarë dhe grekë. Dhe grekët kanë shkuar katër-pesë libra biografikë, 2 poema, tragjedi dhe piktura të Skënderbeut. ka dy poema mbi 200-vjeçare që i kushtohen Skënderbeut, ka edhe piktura. Ndoshta mungon vetëm një shtatore pa u derdhur për të. Skënderbeu është vlerësuar për kontributin që u ka dhënë popujve të Ballkanit, u ka dhënë lirinë. Ashtu si Skënderbeu ka emocionuar shqiptarët, ka emocionuar edhe grekët dhe janë shumë libra edhe letërsi që janë shkruar deri sot, e këto janë një pasuri e historisë që rikthen në vëmendjen tonë unitetin e madh ballkanik. Skënderbeu është një figurë e madhe, jo vetëm për Shqipërinë, por dhe për Europën. Sot ai e ka në dorë ende shpatën e diplomacisë, ndoshta për të bërë beteja të tjera fitimtare për Shqipërinë dhe popullin e tij shqiptar. Grekët e përshkruajnë Skënderbeun si një figurë që bashkoi grekët gjatë revolucionit kombëtar dhe si një figurë që lidhet me fitoret e tyre kundër turqve.

Çfarë rrëfejnë librat e shkruar për Heroin tonë Kombëtar. A ka gjëra që s’i dimë në këto libra?

-Në librin tim të parë “Skënderbeu në letërsinë dhe historiografinë e Greqisë së re”, unë kam treguar se si e kanë parë Skënderbeun grekët. Me interes është se grekët kanë shkruar shumë vepra për Skënderbeun, vepra letrare, poetike, në një kohë që në Shqipëri edhe nuk kishte shkruar kaq shumë për të.

Mund të në përmendësh disa nga librat e shkruar nga grekët? 

-Ka një libër të Velefantit,  i shkruar 200 vjet më parë  që i kushtohet Perandorisë Bizantine, ku tregohen historitë e Kostandinit të Madh dhe më pas tregohet për princin e fundit të perandorisë bizantine, Gjergj Kastriotin. Aty shkruhet historia e Gjergjit të Kastriotëve, që njihet me emrin Skënderbe  Princi i Skiptarëve. Aty ka dhe një pikturë grafike për Skënderbeun.  Mihalopuli ka shkruar “Historia e Gjergj Kastriotit Mbret i Shqipërisë”. Ndërsa i studiuar në librin tim, Skënderbeu është figura  që hap lidhjet miqësore dhe lidhjet e nderit mes dy popujve. Për të janë shkruar edhe dy poema. Një poemë katërmijëvargjesh dhe një poemë të shkurtër për kryengritjen e Epirit, të shkruar nga Dandolosi dhe Grigorio Stavridhis.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?