Monika Kryemadhi dhe Ilir Meta

Opinion

Librat e shenjtë në duart e buta të çiftit presidencial

15 Gusht 2021, 10:44| Përditesimi: 15 Gusht 2021, 17:42

  • Share

Para disa ditësh çifti presidencial Meta – Kryemadhi u çfaq në media me një foto të realizuar në Amerikë. Burrë e grua me Biblën në dorë, dhuratë nga një përfaqësues i lartë fetar, në foto edhe ai i pranishëm me bashkëshorten. Qartazi me këtë foto ata kërkonin që të transmetonin në sytë e shikuesve një mesazh. Se çifti presidencial Meta-Kryemadhi kanë filluar t’a urrejnë mëkatin dhe i janë drejtuar rrugës së Zotit. Kanë ndjekur këshillën biblike që thotë se Bibla nuk na është dhënë për informimin por për transformimin tonë. Dhe çifti presidencial dëshminë e këtij transformimi e kanë manifestuar në prani të çiftit të lartë klerikal në qëndrën e botës, në Amerikë. Tepër e bukur për t’u marrë e vërtetë. Mendoj se shqiptarët nuk janë në atë shkallë naiviteti që të gëlltisin mesazhe të tilla. Nuk thonë kot se është e vështirë të bësh që njerëzit e paturpshëm të ndjehen të turpëruar. Politikanët e lartë shqiptarë dy herë në vit në raste festash të mëdha fetare vizitojnë kryeqëndrat e kultit në Shqipëri dhe këshilla e parë që marrin e që nuk duhet t’a harrojnë, se Librat e shënjtë duhet të jetë si bukë për përdorim të përditshëm, jo si tortë për raste të veçanta. Ky mendim të vjen menjëherë kur shikon foton dhe hipokrizinë presidenciale. Të paktën në atë pozim të mirë menduar të ishin të vërtetë si shqiptarë, të ishin të sinqertë me besimin e tyre fetar, duke mbajtur në duar njëri Biblën dhe tjetra Kuranin. Në avion gjatë kthimit mbas vizitës në Tiranë në intervistën para gazetarëve pyetjes së një gazetareje mbi tolerancën fetare në Shqipëri  Papa Françesku iu përgjigj: “Jo, nuk është tolerancë, është Vllazëri Fetare”, duke e ngritur këtë fenomen unikal shqiptar në vlerë universale të popujve të botës.

Të kujtohesh për Biblën mbas 30 vjetësh në politikë dëshmon atë që pohonte  presidenti amerikan Abraham Linkoln: “Tragjedia e jetës është se ne plakemi shumë shpejt dhe na vijnë mendtë shumë vonë”. Çiftet tona presidenciale janë familjarisht në hall me peshë të rëndë. Si duket bashkëshortët Meta-Kryemadhi mbas konsultimesh socio teologjike kanë zgjedhur që të bëjnë dalje dhe largim nga skena politike në formë të butë. Sepse Bibla në duart e tyre me mësimet e saj në këto 2-3 shekujt e fundit ka treguar se është doktrina teologjike më e përshtatëshme për ulje të buta, me anë kompromisesh të kënaqshme për çdo palë. Por në rastin e tyre dhe koha do e tregojë se çifti Meta-Kryemadhi dhe Berishajt hallin e kanë fryrë aq shumë sa mendoj se mëkatet e tyre kanë vënë në lëvizje një mekanizëm më të ashpër ndëshkimi, që shkon paralel me masën e fajit. Të gjitha fetë si temë qëndrore kanë mëkatin dhe ndëshkimin. Kur vjen puna te mëkati dhe ndëshkimi kultura dhe historia perëndimore, veçanërisht ajo amerikane, kanë si pikëmbështetje konceptin e paraqitur në një libër që pak kohë më parë festoi 700 vjetorin e botimit. Fjala është për poemën epike “Komedia Hyjnore” të Dante Alighieri. “Komedia Hyjnore” është e botuar në të gjithë botën, por ka një veçori se në botën anglisht folëse është përkthyer e botuar më shumë se 100 herë në 100 vjetët e fundit. Shkrimtari nobelist Jorge Luis Borges ka thënë se: “Komedia Hyjnore është libri më i mirë që letërsia ka realizuar ndonjëherë”, ndërsa TS Eliot përmblodhi ndikimin e saj kështu: “Dante dhe Shekspiri ndajnë botën midis tyre. Nuk ka asnjë të tretë. Në vazhdën e këtyre vlerësimeve qarkullon si gojëdhënë një detaj gjatë ndërrimit të pushtetit në Shtëpinë e Bardhë midis Presidentit Ronald Regan dhe George Bush. Duke hedhur vështrimin te Bibla në duart e Barbara Bush, pas një psherëtime Regani tha: “Shpesh me keqardhje kam menduar për Niksonin gjatë presidencës. Do ishte shpëtuese për atë në rast se në zyrën Ovale krahas Biblës do të mbahej dhe Komedia Hyjnore. Bibla është forma e jetës, Komedia hyjnore është forma dhe përmbajtja”. Ndoshta këtë detaj Regani e kish zgjedhur si këshillë për pasardhësin! Me rastin e 700 vjetorit të Dantes shtëpia botuese “Onufri” botoi të plotë, me parathënie të shkrimtarit Ismail Kadare librin “Komedia Hyjnore”. Me këtë libër botuesi Bujar Hudhri si misionar i kulturës nderoi lexuesit shqiptar dhe veten, lartësoi kulturën shqiptare. Botimi kaloi si rëndom botimet e tjera, pa ndonjë festim mediatik. Aq sa u duk sikur me botimin e Dantes botuesi  “kish bërë një mëkat”. Këtë e mendoj kështu sepse 2 vjet më parë u botua libri “Blloku” me autor Isuf Kalo, ish mjeku i diktatorit Enver Hoxha. Presidenti Ilir Meta e thërriti autorin në Presidencë, pinë kafe në lulishte, biseduan dhe me librin në duar pozuan për gazetat. Kjo nuk ndodhi me rastin e botimit të Komedisë Hyjnore. Përse kjo mungesë vëmëndjeje? Presidenti Meta është  i përbetuar për Kushtetutën e Republikës. Ai e di edhe pse nuk e ka lexuar që egziston edhe një “Kushtetutë e ligjeve morale të njerëzimit”, Komedia Hyjnore.

Dikush nga rrogëtarët pranë tij duhet t’a informojë Presidentin Ilir Meta se me rastin e 700 vjetorit të Komedisë Hyjnore, si vlerë universale e përjetëshme e njerëzimit dy fletë aliazhi titan-ar me përmasa rreth 29 cm x 43 cm dhe të palosura në katërsh, në stil fizarmonike, që përmban 14,200 rreshta u dërguan në hapësirë. Njëra fletë me vlerë 160.000 Euro u lëshua në hapsirë ndërsa tjetra do të nënshkruhet nga astronautët dhe do të kthehet në tokë në vitin 2022. Mendoj se nuk është e rastit indiferenca e Presidentit në këtë rast. Për shkak të ferrit dantesk Presidenti Ilir Meta nuk e duron dot si libër Komedinë Hyjnore në ambjentin e zyrës presidenciale sepse e vuan si torturë mendore dhe vuajtje shpirtërore. Pelegrinazhet e tij me trastat e medaljeve në shpinë si simptoma dhe si shprehje e vuajtjes prej ferrit dantesk më sjellin në mendje fjalët e reformatorit protestant John Calvin që thoshte: “Tortura e një mëndjeje të keqe është Ferri i një shpirti të gjallë”. Si Martin Lutheri edhe John Calvin, Ferrin e Dantes e kishin bazë të doktrinës së tyre reformuese.

Kur i është dhënë lexuesit Komedia Hyjnore më 1320, në Firence librat shiteshin në farmaci për të dëshmuar idenë e zakonshme se fjalët në letër ose në pergamenë me idetë e tyre mund të ndikojnë në mendjen e njeriut aq sa ndikon çdo ilaç i mirë në trupin e njeriut. Tema kryesore e Komedisë Hyjnore është udhëtimi shpirtëror i njeriut nëpër jetë. Në këtë udhëtim ai mëson për natyrën e mëkatit, se qeniet njerëzore i nënshtrohen tundimit, kryejnë mëkate edhe pse i njohin pasojat e tij, kategorizon dhe shpjegon kuptimin e formave të së keqes njerëzore, nga ato më banalet deri në krimet fizike e ato më të shthururat, duke mos lënë mundësi shpëtimi nga ndëshkimet e përjetshme të ferrit në të gjitha format e tij. Dante na thotë që secili prej nesh është heroi i historisë së vet, edhe nëse ditët dhe netët tona nuk duken të jashtëzakonshme për askënd. Ferri është cituar disa herë në Bibël por, në të vërtetë asnjëherë nuk është përshkruar. Dante ishtë i pari që e përshkroi si një vend fizik. Danteologët janë të mendimit se Dante kishte pikësynimin  apo pretendonte që të mund të plotësonte ato mungesa që mendonte se ishin lënë jashtë nga Bibla. Dante ishte i interesuar të eksploronte të vërtetat universale, siç i kuptonte ato, por mjeti që ai zgjodhi për ta bërë këtë është jashtëzakonisht specifik. Kjo më shtyn të mendoj se Bibla si histori e njerëzimit dhe Komedia Hyjnore si hartë e natyrës njerëzore plotësojnë njëra tjetrën, përbëjnë një unitet.

Duke konsideruar që Dante gjithmonë ka pasur në mendje audiencën e tij dhe tërheqjen e saj ndaj veprës, e fillon tregimin e trilogjisë me Ferrin që është më i pasuri me veprim, me përshkrim dramatik, larmi, karakterizim, si një gjëndje tmerri vuajtjeje shpirtërore dhe mendore që mishëron konceptin mitologjik ku njeriu jeton pa asnjë raport me Zotin. Ferri nuk përfaqëson thjeshtë një dhomë torture të përjetëshme. Në të vërtetë është një meditim i thellë mbi të keqen. Është një alegori e veçantë që nënkupton se ka shumë rrugë gabimi dhe vetëm një mënyrë për të shpëtuar. Idea e Dantes për Ferrin udhëhiqet nga pikëpamja e Aristotelit mbi Arsyen si gjëja më e rëndësishme në jetë.  Në thelb do të përbënte idenë e mëvonshme të Protestantizmit që predikonte se arsyeja e një individi është rruga drejt shpëtimit. Pavarësisht nëse është ose jo një vepër me përmbajtje fetare e merr lexuesin në një udhëtim brenda vetes, në një udhëtim të pasur me ndodhira dhe detaje të forta stimuluese. Komedia Hyjnore është Kushtetuta Morale e Njerëzimit. Gjatë gjithë Mesjetës, politika ishte e dominuar nga lufta midis dy fuqive më të mëdha të asaj epoke: Papati dhe Perandoria e Shenjtë Romake. Secili pretendonte se ishte me origjinë hyjnore dhe se ishte i domosdoshëm për mirëqenien e njerëzimit.

Në Komedinë Hyjnore, Dante dënoi korrupsionin e Kishës Katolike të kohës së tij: dekadencën financiare të indulgjencave, sjelljet e shthurura morale dhe fizike të Vatikanit, makinacionet politike të papatit dhe veprimet jo në frymën e krishterë që ata kryenin. Pra, në shumë mënyra, Dante ishte një reformator paraprirës në përputhje me frymën e protestantëve të shekullit të 16-të. Në vendet me kulturë perëndimore që bazohen në shtetin e së drejtës, sidomos në kulturën amerikane, koncepti “Mëkat” njihet sipas përcaktimit të Biblës por Ndëshkimi i Mëkatit bazohet në konceptin e Ferrit dantesk të përshkruar në Komedinë Hyjnore. Në raste krimesh që interesojnë të gjithë shoqërinë amerikane sillet edhe argumenti dantesk që thotë se sa më ekstrem të jetë krimi mbi individin dhe mbi shoqërinë aq më pak vdekja duket si një ndëshkim i kënaqshëm. Prandaj jetojmë eksperienca ku shtete të ndryshme e kanë në fuqi dënimin me vdekje në disa mënyra dhe disa e kanë hequr me ligj. Ȅshtë emblematik argumenti i diskutuar para ca kohësh në Fox Nevvs ku njëri nga gazetarët e njohur amerikan u shpreh: “Nëse juristët që mbrojnë dënimin me vdekje do të mund të vendosnin për krimet e dhunëshme si dënim në mënyrë efektive për diçka tjetër që të kujton Ferrin dantesk unë mendoj se numri i këtyre krimeve të dhunëshme do të ishte disa herë më i pakët”. Ne ferrin dantesk nuk ka trupa pa jetë. Ka shpirtëra dhe ndërgjegje që kanë emra dhe fytyra të njohura në histori, të çnderuar dhe të poshtëruar, që vuajnë nën tortura shpirtërore duke rënë nga një rreth i Ferrit te tjetri, ku shkalla e vuajtjes shpirtërore, gërryerja e ndërgjegjes rritet në proporcion të drejtë me shkallën e kategorizimit të mëkatit sipas Dantes. Duke u rikthyer te fotua e çiftit presidencial mendoj se pozimi më i pranueshën për sytë e njerëzve do të ishte fotua ku Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi të mbanin Komedinë Hyjnore në duart e tyre të buta. Po kështu mendoj që në konferencën e parë të shtypit mbas cilësimit “I padëshirueshëm” ish Presidenti tjetër Sali Berisha në vend të fotove me ish presidentët amerikanë do të ishte mirë që të shtrëngonte fort në duart e tij të ashpra Komedinë Hyjnore, atë që drejtësia amerikane e ka më për zemër për ndëshkimin e shpirtrave mëkatarë. Për fatin e tyre të keq Pendesa dhe Lutja e faljes te ata nuk duket gjëkundi. Si njëri dhe tjetri janë në “Hall ferri Dantesk”. Kur në një shoqëri plaçkitja bëhet një mënyrë jetese për një grup njerëzish, me kalimin e kohës ata krijojnë për vete një sistem ligjor që e autorizon atë dhe një kod moral që e glorifikon atë. Si Sali Berisha edhe Ilir Meta edhe pse u mikluan nga grupe shqoërore si makiavelistët shqiptarë të kohës moderne u dehën nga pushteti dhe e injoruan deri e përçmuan me sjellje antishqiptare momentin “hyjnor” të jetës së tyre politike, që interesi historik i Shqipërisë u kryqëzua me interesin gjeostrategjik të fuqisë më të madhe në botë. Ky kryqëzim ishte fati i lum i Shqipërisë dhe fati i ferrit të tyre dantesk.

Shqiptarët në këto 100 vjet të egzistencës së shtetit kanë përjetuar ferrin e asaj që te romani “Prilli i thyer” shkrimtari Kadare e analizon dhe e përshkruan si “industria e gjakut” dhe “gjaku si mall”. Në kohën e Mbretërisë gjatë së cilës fenomeni “hakmarrja” stimulohej në forma të tërthorta dhe adhurohej “kanuni,” u mbajt në efiçencë “industria e gjakut”, ndërsa në komunizëm sipas një mekanizmi shtetëror u zhvillua forma më e përbindëshme e “industrisë së gjakut”, ajo e “armiqve të partisë”. Ferri si dimension fizik dhe torturë psiqike e raskapitje shpirtërore ishte i gjallë, real në diktaturën komuniste, i përshkruar hollësisht me të nëntë rrathët e ferrit dantesk në romanet ‘Rrugët e Ferrit” dhe “Ferri i Çarë” të shkrimtarit Visar Zhiti. Koha e demokracisë shumëfishoi formën hibride më të çuditëshme të “Industria e gjakut”. Në këto 30 vjet tranzicion një përzjerje e të tria formave të mësipërme të industrisë së gjakut ku politika dhe sistemi i drejtësisë krijuan mekanizmin, aliazhin më makabër të vdekjes, e mbuluan vendin nga veriu në jug me pellgje gjaku që ziente dhe zjen mes flakësh të Ferrit dantesk.  Por tashmë po bëhet gjithnjë e më shumë e qartë se mjegulla po largohet pak e nga pak dhe po duken më qartë konturet e një drejtësie më të afërt me Purgatorin dantesk. Tranzicioni dantesk shqiptar do ketë fundin e tij kur aliazhi politikë- drejtësi nuk do mund më të riciklojë “gjakun si mall”. Për këto 3 dekada riciklimi të industrisë së gjakut dhe të korrupsionit ekonomik mbi dikë duhet të rëndojë dhe po rëndon përgjegjësia e ndëshkimit dantesk. Mendoj se të dy ish presidentët kanë kaluar atë portë ku thuhet “Braktisi shpresat ti që e kalon këtë prag”. Sjellja e tyre tregon se u kanë filluar torturat e ndërgjegjes së keqe në shpirtrat e tyre të gjallë, i raskapit çnderimi dhe zbritja nga Olimpi, ankthi i rrëzimit nga një rreth dantesk në tjetrin. Konferencat e shtypit, fotografitë me ish presidentë, uljet në gjunjë para njerëzve ne sheshe, mitingjet me puthje flamujsh amerikan e shqiptar, përbetimet se nuk janë të korruptuar as familjarisht, etj etj, janë gulçimet e vuajtjeve në rrathët e Ferrit. Kanë hyrë në ingranazhet e rrëzimit nëpër zgafellat e ferrit dantesk dhe nuk ka forcë që e frenon mekanizmin torturues që zhvillohet mbi ata. Përpara 15 vjetësh artisti i madh italian Roberto Benigni ndërmori një tur 3 vjeçar nëpër Europë dhe në Amerikë, i mirëpritur me shumë sukses përgjatë interpretimeve të Komedisë Hyjnore. Pas interpretimit në Florida në sallën me mbi 4000 spektatorë të pranishëm gazeta “The VVashington Post” bënte mes të tjerash edhe këtë koment: Artisti Benigni na thotë në mënyrën më njerëzore se Dante është misterioz dhe popullor në të njëjtën kohë, është njerëzor dhe i thellë, na bind sesa barbar njeriu mund të jetë. Na fton të njohim veten, të bëjmë brenda vetes udhëtimin tonë të jetës që është një udhëtim më i gjatë, më i vështirë, më inovativ dhe më i rëndësishëm se udhëtimi i Armstrongut në hënë. Dante beson se është në natyrën njerëzore që njeriu të mos ndryshojë zakonet, veset në mënyrën e tij të sjelljes, dhe të mos pranojë gabimet e tij. Intuita popullore thotë që vesi del me shpirtin. Nëse dikush mund ta kapërcejë këtë predispozitë njerëzore atëhere thotë Dante, ka shpresë.

Ashtu si Dante shoqërohej nga Virgjili në udhëtimin e tij në Ferr, ashtu njëlloj Ilir Meta dhe Sali Berisha, e të tjerë që presin te Porta, kanë hyrë dhe filluar udhëtimin raskapitës të jetës së tyre, jo udhëtimin drejt gjykatës franceze dhe shqiptare por udhëtimin nëpër ingranazhet e rrathëve të Komedisë Hyjnore me Danten krah tyre, në betejën e hesapeve me veten, në kërkim të shpëtimit përfundimtar.

J.GJ.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • O tej: 15/08/2021 19:46

    Bukur e ke shkruar

    Përgjigju
    • Kb vlore: 16/08/2021 05:24

      Shkrim i mbrekullueshem. Reflekton nje kulture te gjere politike dhe kulturoro artistike. Bravo!

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?