Shkrimtarja e librave të verdhë Agatha Christie

Periferi

Librat në Shqipëri duan të vrasin veten

25 Qershor 2018, 18:35| Përditesimi: 25 Qershor 2018, 18:39

  • Share

Mund të duket si papërgjegjëshmëria e radhës e institucioneve shtetërore: Ja, ra një shi e u përmbyt e u lagën libra në Bibliotekën Kombëtare. Hë, hë. E dyta herë. Pas zjarrit që ra në të njëjtën Bibliotekë para pak kohësh! Në fakt, çdo kronikan i kohës do ta paraqiste të tillë: Si një ngjarje e rëndomtë që ndodhi në të gdhirën e datës 23 qershor 2018, në katin e nëndheshëm të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë.

Një kronikan i rëndomtë, por jo Agatha Christie, Georges Simenon, Edgar Allan Poe, Andrea Camilleri, Umberto Eco… Autorët më të mirë të librave të verdhë do të vinin të gjithë në Tiranë e do të dilnin me një titull mister: Librat duan të vetëvriten në Shqipëri!

Të gjithë do të binin dakord se në këtë bestseller (me siguri) ngjarjet do të zhvilloheshin realisht në ambjentet e nëndheshme të kësaj biblioteke, të këtij vendi ish-komunist, por të mëdhenjve të letërsisë së misterit do t’u duhej të punonin shumë kohë për të “zbardhur” ngjarjen. Ja vlente? Kurrë nuk u kishte ndodhur të thirreshin e të arrinin në një përfundim e të shpjegonin se përse librat në këtë vend tentuan dy herë të vetëvriteshin. Nga situata e vështirë do t’i shpëtonte i madhi Eco, i cili, duke qenë se në vitet e fundit të jetës së tij kishte studiuar, vëzhguar dukuritë në rrjetet sociale, u betua, se me një të hedhur sy Facebook-ut, Instagram-it, Twitter-it e të tjera rrjeteve sociale të vendit me emrin Shqipëri, do të kishte mjaft material të vlefshëm për të ofruar për të gjithë.

Dhe nuk e kishte gabim. Nuk i duhej shumë kohë Umberto Eco-s për të kuptuar se si mësues e profesorë, në vend që të kalonin vite e kohë të vlefshme për të mësuar fëmijët, të rinjtë, e kishin harxhuar atë duke e vrarë mendjen se si të fitonin, të prodhonin diploma false, tu jepnin nota të shkëlqyera e tituj studimesh lloj lloj gomarëve të fiksuar të vishnin kostumin e të diturit vetëm duke paguar. Vuri duart në kokë kur pa se si Altarët e dijes ishin hapur në këtë vend të vogël si kioska të shitjeve të kokoshkave. Nuk donte ta imagjinonte se çfarë kishin prodhuar këto kioska dhe ku ishin sot produktet e këtyre “Universiteteve” e shkollave private jashtë kontrollit të rregullave minimale të logjikës e diturisë njerëzore. Dhe për këtë, sigurisht sipas tij, fajtorë nuk ishin vetëm profesorët, edukatorët e mësuesit. Në këtë krim ishin përfshirë të gjithë.

U mjaftua të shihte promovimet e librave, kush shkruante në Shqipërinë e 2018, si e për ç’tema shkruhej. Çfarë vlerash promovoheshin dhe cila ishte etja e përgjithshme për të vërtetën, informacionin e kulturën. Nuk mund ta besonte, Umberto Eco, që rrjetet sociale vazhdonte t’i vëzhgonte me cepin e njërit sy, se ç’pa aty, ç’lexoi, e sidomos, kë vuri re se kë ndiqnin e pëlqenin gjithë shqiptarët; të gjithë këtë vendosi t’ua kursente miqve të tij shkrimtarë të epokave të tjera. “Ata nuk do të më besojnë se ky vend i vogël, i etur për dije, kulturë në kohën e tmerrshme të diktaturës, sot është kaq indiferent. Por jam i bindur: Padituria që e ka prekur, është shkaku i përpjekjes për vetëvrasje të librave”, mendoi ai.

Pas një bisede të gjatë, të mëdhenjtë e letërsisë së verdhë arritën në përfundimin se “kishte një arsye të madhe, të ndarë në disa qindra mijëra nënarsye të tjera, që librat të tentonin vetëvrasjen në katet e nëndheshme të Bibliotekës Kombëtare”. Por ata, njëzëri, vendosën që të mos bëjnë asgjë publike: Ose shqiptarët ta kuptojnë e të arrijnë vetë në identifikimin dhe zgjidhjen e problemit, ose sëmundja, që po përhapet me shpejtësinë e një epidemie, shpejt mund të prekë dhe të tjera monumente të vlefshme të kulturës e të identitetit të shqiptarëve.

Komento

Komente

  • Agim: 26/06/2018 08:30

    Te vjen keq te luhet ne kete mynyre me librin e pasurine kombetare...valle c'do ju leme brezave beton e kulla...shkrim i bukur ..padija ka bere punen e vet dhe ja "bereqeti"askush nuk e ka mendjen tek libri dhe ku ne metropol Tirane..po ketej nga "malet"tona as qe behet llaf .I jane turrur materjales pa fre dhe lane shpirtin mjeran

    Përgjigju
  • Demir: 25/06/2018 19:13

    Biblioteka ka kohe qe nuk eshte me nje burim dijeje. Qe marsin e vitit te kaluar nese shkoni ne biblioteke nuk mund te terhiqen me libra per te lexuar me pretekstin e renies se zjarrit. Nese deshiron mund te lexosh librin ne biblioteke po a mund te shkohet perdite ne biblioteke per te mbaruar nje liber. Keta njerez sikur duan ta lene kete popull gdhe. Eshte shume institucion i mbaruar , duhet te ribehet nga e para pa perfshire asnje nga ata punonjes qe jane aty aktualisht duke filluar nga drejtoresha. Turp.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Jeni dakord që prokurorët e SPAK të kenë mundësinë për një mandat tjetër?