Sociale

Librazhd/ Banorët e Hotolishtit peticion me 511 firma kundër Ballukut: Ndrysho projektin e rrugës ‘Elbasan-Qafë Thanë’! S’dalim në votime

28 Shkurt, 11:29| Përditesimi: 28 Shkurt, 13:20

  • Share

Banorët e Hotolishtit kërkojnë nga Autoriteti Rrugor Shqiptar të ndryshojë gjurmën e autostradës Elbasan -Qafë Thanë, e cila sipas projektit kalon mes për mes fshatit të tyre. Ata dorëzuan një peticion me 511 firma në Bashkinë e Librazhdit, ku kërkuan që rruga të devijohet në luginën e Shkumbit.

"Ne banorët e njësisë administrative Hotolisht kerkojmë ndryshimin  e projektit aktual të rrugës Elbasan-Qafë Thanë pasi ai dëmton rëndë jetën tona dhe shpërfill interesat e komunitetit. E theksoj ne nuk jemi kundër ndërtimit të rrugës, ne jemi kundër që kjo rrugë të kalojë mes përmes fshatit tonë ku nuk ka asnjë shenjë rruge të mëparshme. Ndarja e fshatit do ta shkatërronte atë përfundimisht. Kërkesa jonë është të ndryshojë traseja, rruga të kalojë anës lumit Shkumbin, siç ishte projekti i parë i ARRSH".  

Të shqetësuar për shtëpitë, bizneset që pritet të shemben dhe tokat bujqësore që do  shkatërrohen, banorët thanë se nëse kërkesa e tyre nuk merret parasysh do të përshkallëzojnë protestat si dhe do të bojkotojnë zgjedhjet e 11 Majit.

"Në rast se nuk na dëgjojnë do të ndjekim të gjitha hapat ligjore do të protestojmë duke bllokuar dhe rrugën aktuale. Nuk do dalim në zgjedhje sepse  bllokon komplet fshatin nuk ka hyrje dalje, është një dëm i madh për të gjithë banorët. Kërkesa i drejtohet ARRSH-së dhe zv/kryeminisres Balluku”, thanë ata.

Punimet për autostradën e kategorisë ‘A’, Elbasan-Qafë Thanë, pjesë e Korridorit VIII po vazhdojnë prej disa muajsh.

Aktualisht makineritë dhe punëtorët e kompanisë ndërtuese po punojnë për hapjen e trasesë në segmentin Elbasan-Papër-Ura e Grykshit dhe më pas do të vazhdojnë drejt Hotolishtit. Nuk ka ende reagim nga Autoriteti Rrugor dhe Ministria e Infrastrukturës për protestat e vazhdueshme të banorëve të Hotolishtit.

Autostrada që lidh Shqipërinë me Maqedoninë e Veriut pritet të përfundojë në 2027-ën dhe do t’i kushtoje buxhetit të shtetit rreth 10 miliardë lekë.

 

R.D/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Mandarina me pesticide, sa të sigurta janë produktet që konsumojmë?