Dy të rinj janë arrestuar nga policia, pasi vodhën një shumë parash ditën e djeshme në një biznes në qytetin e Librazhdit. Ndërkohë është shpallur në kërkim një i tretë, që dyshohet se ka bashkëpunuar me dy të tjerët. Ditën e djeshme, në biznesin e një 58-vjeçari në qytetin e Librazhdit u vodhën një shumë parash.
Policia menjëherë pas njoftimit organizoi dhe finalizoi operacionin ‘Volareka’. Gjatë operacionit u bë e mundur arrestimi në Belsh i E.D., 22 vjeç dhe E.P., 40 vjeç të dy banues në Kamëz.
Ndërsa G.Ll., 26 vjeç u shpall në kërkim pasy dyshohet si i përfshirë në vjedhjen e parave. Pas vjedhjes së parave ata janë larguar me një automjet tip ‘Seat’ të marrë me qira.
'Si rezultat i veprimeve intensive hetimore, të kryera në kuadër të planit operacional "Sundimi i ligjit", si dhe me mbështetjen e informacioneve nga inteligjenca policore, brenda disa orësh, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar "Volareka". Gjatë operacionit u bë i mundur identifikimi i 2 autorëve të dyshuar dhe si rezultat i mirëkoordinimit të punës me shërbimet e Stacionit të Policisë Belsh u bë lokalizimi në Belsh dhe arrestimi i tyre, konkretisht i shtetasve: E. D., 22 vjeç dhe E. P., 40 vjeç, të dy banues në Kamëz.
Gjithashtu, për këtë rast u shpall në kërkim shtetasi G. Ll., 26 vjeç, banues në Lezhë, pasi dyshohet i përfshirë në vjedhjen e parave.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dje, rreth orës 10:45, kanë vjedhur 110 000 lekë, në biznesin e shtetasit A. S., 58 vjeç dhe më pas janë larguar me një automjet tip "Seat" të marrë me qira.', thuhet në njoftimin e policisë.
Gjatë kontrollit fizik shtetasve të arrestuar iu gjet shuma e parave të vjedhura, 110 000 lekë të rinj.
Nga veprimet hetimore sipas policisë rezulton se E.D., ka vjedhur një shumë parash edhe në biznesin e N.G., 59 në fshatin Dragostunjë në Librazhd. Materialet proceduriale i janë kaluar Prokurorisë.