Libri i ri i diplomatit të njohur: Ç’zemra kanë këta njerëz, ushtria serbe shfaroste shqiptarët në Serbinë e Vjetër dhe në Shqipëri

12 Shkurt 2023, 09:33| Përditesimi: 12 Shkurt 2023, 09:37

  • Share

“Serbët rrjedhin nga sllavët, një numër i madh tribushë që i dhanë jetë popujve sllavë. Mbi origjinat e historisë së sllavëve njohuritë janë modeste dhe jo aq të qarta. Emri i tyre del për herë të parë në shekullin VI pas J. K., kur shkrimtarë bizantinë fillojnë të flasin për sllavët….”! (Dushan Batakoviç, Milan St. Protiç, Nikola Samarxhiç, Aleksandër Fotiç. Histori e Popullit Serb. L’Age d’Homme. Lausanne. 2005. Fq. 3.)

Vladan Jovanoviç – bashkëpunëtor shkencor, ligjërues në programet e specializuara pasuniversitare në fushën e ndërmjetësimit në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd, pedagog, etj.:

Militarizimi i zonës erdhi si pasojë e sigurisë së dobët në zonat në kufi me Shqipërinë dhe Bullgarinë, që praktikisht u trashëgua nga vitet e fundit të Perandorisë Osmane. Problemi i popullsisë së armatosur shqiptare (i cili gjithashtu daton nga koha turke) kërcënoi vetë rendin kushtetues të Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene. Për shkak të këtij problemi forcat e ushtrisë dhe policisë u mobilizuan vazhdimisht, deri në vitin 1924, kur streha e kaçakëve në Drenicë u shkatërrua me ndihmën e zjarrit të artilerisë.

Nga ana tjetër, kolonistët armatoseshin sistematikisht nga magazinat që u përkisnin Zyrave Agrare, pasi ata ishin viktimat më të shpeshta të sulmeve kaçake. Vetëm pas incidentit në Llap, kur kolonistët serbë u shitën shqiptarëve sasi të mëdha armësh, u vendos që edhe ata të çarmatosen. Sinqeriteti i konceptit të çarmatimit në Kosovë u vu seriozisht në pikëpyetje kur, gjatë fushatës elektorale të vitit 1927, drejtuesi i listës zgjedhore të qeverisë u shpërndau 500 pushkë shqiptarëve në Gjilan. E thënë thjesht,- anarki e plotë. Teksa po shqyrtoja dokumentet e arkivës, pata përshtypjen se qeveria, me qëllim, i shtyu ata njerëz në Kosovë kundër njëri-tjetrit dhe, aq më tepër, ajo vazhdimisht ndërronte anë, në mënyrë alternative, për kolonistët dhe për shqiptarët.

Gjatë ndjekjeve të bandave të armatosura u krye një shtypje e pakontrolluar në fshatra të tëra, gjë që solli shqetësim shtesë tek të gjitha shtresat e popullsisë. Shqiptarët përfundimisht nuk i besonin shtetit, Qeveria serbe, e mbështetur nga ushtria, vendosi më 25 nëntor 1915 të largohet dhe të shkojë, për t’u rimëkëmbur, në bregdetin shqiptar. Tërheqja u bë në mesin e dimrit nëpërmjet majave me dëborë të Malit të Zi dhe të Shqipërisë së Veriut.

Ishte një eksod i vërtetë jo vetëm i ushtrisë, por gjithashtu edhe i institucioneve serbe të tilla si Asamblea Kombëtare, Gjykata, qeveria dhe një masë civilësh. Tërheqja u bë nën zjarrin e armikut, përfshirë edhe atë të tribuve armiqësore shqiptare. Qindra mijëra ushtarë, funksionarë dhe civilë ecnin gjatë dy muajve, pothuajse pa ushqim, gjatë Malit të Zi dhe Shqipërisë në drejtim të Adriatikut. (1)

1 – Vladan Jovanoviç. The colonization of Kosovo. (Kolonizimi i Kosovës). Peščanik. Net, 08.04.2013.                                                   

                                                                   ****

Vojislav Pavloviç – studiues në Institutin e Historisë të Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve, profesor në Universitetin e Beogradit, drejtor i Institutit për Studime Ballkanike SASA, etj.:

                                                                   ****

Z. Pukovnika Horvatoviç – ushtarak i lartë:

Ndërsa rrethi i Kurshumlisë, me largimin e shqiptarëve, ngeli pa banorë… Në fund të kësaj kam nderin t’ia përkujtoj shkëlqesisë suaj edhe këtë: Arnautllëku i qarkut të Leskovcit, ngeli pa banorë, duhet shpëtuar edhe dinjiteti i popullit serb përpara botës së kulturuar e demokratike të Europës, dinjitet të cilit Ballkanikus dhe dr. Vlladan i kanë dhënë një goditje të rëndë, duke dalë me broshurat e tyre para opinionit europian. Teoria e tyre barbare për shqiptarët është një refleks besnik, pasqyrë e saktë para Europës e asaj praktike barbare që ka ndjekur ushtria jonë në Shqipëri. Dhe nuk duhet të lejojmë që këta njerëz të pasqaruar të ruajnë përshtypjen se teoritë kanibale të Ballkanikusit dhe të Vlladanit janë shprehje e mendimit dhe ndjenjave të të gjithë popullit serb. Duhet  treguar se në Serbi ka njerëz, ka shumë njerëz, që mendojnë krejt ndryshe nga ata, dhe se në ballë të këtyre qëndron proletariati, qëndron Demokracia sociale. (2)

1 – Vojislav G. Pavloviç. La France et l’espace yougoslaves : la naissance de la Yougoslavie (1878-1918) – Franca dhe hapësira jugosllave; lindja e Jugosllavisë (1878-1918) – Balkanološki institut SANU, 1 janv. 2015. Fq. 254.

2 – Z. Pukovnika Horvatoviç: AS. PO, K- 29, br. 146 Niš 15, oktobra 1878, vladin poverenik, savetnik V. Vujović, srpskom knezu i komandantu Milana Obrenovića. (Z. Kolonel Horvatoviç: AS. PO, K-29, nr. 146 Nish 15 tetor 1878, komisar qeveritar, këshilltar i V. Vujoviqit, princit dhe komandantit serb Milan Obrenoviq).

Media:           

Borba; 16.10.1913:

Edhe ekspedita e dytë kundër Shqipërisë përfundoi me thyerjen e plotë të qeverisë serbe. Austro-Hungaria më 5 tetor i ka dërguar Serbisë ultimatumin, me të cilin e urdhëron që brenda 8 ditëve të tërheqë të gjithë trupat e saj nga territori i Shqipërisë autonome. E shtangur dhe e frikësuar nga hapi i papritur i diplomacisë austriake, qeveria serbe e bindur deklaroi se do të veprojë menjëherë sipas urdhrit; dhe kështu, ndërsa fqinji na rri me grushtin të ngritur mbi kokë, trupat tona, të cilat harxhuan kot gjithë atë gjak për pikat strategjike, tërhiqen shpejt dhe të turpëruara andej nga erdhën. Fund tjetër nuk shpresonim.

Borba; 16.12.1914, fq.130-131:

Politika; 5.9.1912:

Arnautët nuk do të shpëtojnë pa u dënuar për sulmet e tyre dhe ajo që po bëjnë ata, vetëm do të shpejtojë vdekjen e shtetit që duan të krijojnë.

Politika; 7.9.1912:

Në qoftë se banditët shqiptarë do të vazhdojnë të sulmojnë kufijtë tanë dhe të hedhin agjentë për të nxitur popullsinë për kryengritje, ne do të detyrohemi të kalojmë në territorin shqiptar për të kryer misionin që nuk mundi ta kryejë Europa.

Politika; 7.9.1913:

Trupat tona lanë në Shqipëri kujtimet më të bukura. Agjentët austriakë dhe italianë shfrytëzojnë tani largimin e trupave tona nga Shqipëria dhe ngrenë arnautët, të cilëve ushtria serbe nuk u bëri asnjë dëm e asgjë të keqe.

Politika; 9.9.1913:

Zor se mund të gjenden, madje edhe në shtypin austriak, kaq mashtrime dhe shpifje të rregulluara me plan, të cilat kanë të bëjnë me gjendjen në Shqipëri dhe me sulmet e arnautëve në territorin serb. Qeveria austriake nëpërmjet gazetave të saj thotë se Serbia është fajtore! Serbia, thotë ajo, u ka ndaluar arnautëve të venë në pazaret e Prizrenit, Gjakovës dhe vendeve të tjera, të cilat “ua rrëmbyen arnautëve të ngratë, dhe me këtë akt i dënoi ata me vdekje nga uria! Edhe në qoftë se ndonjë arnaut shkon në pazaret e këtyre qyteteve, ushtria serbe nuk bën gjë tjetër veçse qëllon mbi njerëzit”.

Politika; 13.9.1912:                                       

Duhet të lajmë hesapet me banditët. Qërimi i hesapeve nuk duhet të jetë i përkohshëm, por kaq rrënjësor, saqë të mos i bjerë më ndër mend askujt që të krijojë shqetësime. Serbia duhet ta mendojë vetë se si do ta kryej këtë, duke patur parasysh vetëm interesat e popullit të saj.

Politika; 20.10.1912:

Në mëngjes, në vendin ku një natë më parë ishte Ferizaj, shtrihej një shkrumbojë e madhe. Ferizaj u zhduk, ai tani ekziston vetëm në hartë. Tradhtinë e tyre shqiptarët e paguan shtrenjtë.

Politika; 21.10.1912:    

Më së fundi u plotësua ajo që priste çdo serb. Fuqia e forcave popullore, që shpartalloi turqit në Kumanovë dhe që theu për gjithmonë armatën e tërbuar në Kosovë e Sanxhak, do ta çojë shqiponjën serbe edhe nëpër grykat e Drinit dhe më tej në Detin Adriatik. Deti! Në këtë fjalë është i gjithë plani strategjik e taktik i prijësve tanë, në të është e gjithë politika e diplomatëve tanë.

Politika; 22.10.1912:

Me një tren special, që arriti në Beograd sot në mëngjes, u transportuan 1069 robër, kryesisht arnautë. Arnautët të lënë një përshtypje të mjerueshme. Midis tyre ka edhe pleq dhe fëmijë 14 vjeçarë. Të gjithë ata që mund të mbajnë pushkë u ngritën kundër nesh. Megjithëse janë veshur keq dhe të uritur nuk të shkaktojnë keqardhje. Në sytë e tyre ka diçka të egër, shtazore. Kur kapni vështrimin e arnautit të zënë rob, para jush krijohet menjëherë pamja e krimeve të tyre. Përpara kësaj panorame të zhduket keqardhja.

Politika; 22.10.1912:

Sot në mëngjes në hotelin “Londra” takova një fëmijë. I kishte apo s’i kishte 7 vjeç. Mban gurë në dorë dhe çan përpara. “Më lër xhaxhi, të lutem, që t’u gjuaj edhe unë një herë. Mjaft u kanë gjuajtur tanëve ata!

Politika; 23.10.1912:

Kush u ngrit herët dje për të parë robërit arnautë që janë sjellë në Beograd, duhet të ketë ndjerë, me gjithë neverinë e madhe që të krijonte ajo pamje, edhe një keqardhje të thellë. Dhimbja e kap njeriun kur shikon këta njerëz – për të cilët është thënë pak në qoftë se thuhet se janë të egër – që shkojnë si qen fshati para karrocës, zbathur, lakuriq si kafshë të egërsuara. Gjendja e tyre shpirtërore, me sa duket, i përgjigjet pikë për pikë mjerimit dhe dhimbjes që shihet në pamjen e tyre të jashtme.

Politika; 16.11.1912:

Komanda e Lartë krijoi rajonin serb me emrin “Qarku i Durrësit”…Arnautët do të marrin të gjitha liritë dhe në këtë liri të vërtetë shtetërore do të fisnikërohen. Serbia do të realizojë kështu një vepër kulturore.

___

Politika; 16.11.1912:

“Xhornale d’Italia” boton një thirrje të 80 komunave arbëreshe në Itali, në të cilën theksohet se Shqipëria u duhet lënë shqiptarëve. Renegatët dhe qullavecët arbëreshë, të cilët që para shumë dhjetëvjeçarësh u shpërngulën në Itali për të ruajtur kuletën dhe jetën e tyre, vetëm tani po shohin një “padrejtësi të madhe”.

Politika; 23.11.1912:            

Në shtypin austriak përsëri po dëgjohen zërat më të ashpër për “krimet” që kanë bërë trupat serbe gjatë kohës së përparimit të tyre drejt Manastirit e më tej drejt bregut të detit. Aty shpifet pa kurrfarë turpi vetëm për të provuar se ne jemi egërsira dhe se kemi asgjësuar popullsinë arnaute në territoret e pushtuara.

                                                                           ****

Radniçke novine; 12.10.1912. Rubrika “Lufta”:

Ushtria serbe deri më tani ka patur kryesisht përleshje me arnautët, të cilët nga instinkti i tyre për pavarësi e jetë të lirë, të shprehur kaq herë, e ndiejnë se “ndarja e Turqisë” do të kryhet në kurriz të tyre, prandaj luftojnë me tërbim kundër atyre që deshën të rrëzojnë sunduesin e tyre të deriatëhershëm me ndihmën e tyre, dhe pastaj të vendosnin sundimin mbi kufomat e tyre. Por, meqenëse ata po bëjnë një qëndresë të fortë, megjithëse nuk kanë as armë të mjaftueshme, as municion dhe pothuaj asnjë top, në qarqet ushtarake sundon një frymë barbarizmi, sipas së cilës ata duhet të shkatërrohen sa më energjikisht.

Radniçke novine; 6 .11. 1912. Artikulli – “Turpi përhapet”:

Për mizoritë e luftës (e cila tek një korrespondent gjerman linte përshtypjen e therjes) dhe për barbarizmat që po kryhen, filloi të shkruaj shtypi europian. Ai deri tani, në shumicën e rasteve, ka pasur një mendim të keq për serbët. Tashmë ai jep material të ri, me anën e të cilit i paraqet botës krimet e komitëve, bile edhe të ushtrisë kundër shqiptarëve, krime të cilat mund dhe duheshin shmangur.

“Dejli kronikell” shkruante gjerësisht për gjithçka bëhej kundër tyre. Dhe, sado të ishim të bindur se në luftë nuk mund të kishte gjë tjetër përveç egërsisë  dhe skenave më të llahtarshme e më të neveritshme të disa tipave të etur për gjak, të bishave të luftës, u bindëm edhe nga kjo anë se ishin shkelur të gjitha rregullat ndaj një numri të madh njerëzish në zonat e pushtuara, se është kryer një turp, që mund të na kushtojë shtrenjtë.

Radniçke novine; 18.12.1912:

Ia mbathin familjet e shkreta, 5, 6 dhe 10 ditë e, pasi gjysma e tyre kanë vdekur nga të ftohtit, uria e lodhja, ushtria jonë arrin dhe i kthen. Nëpër rrugë shihen gra të vdekura, fëmijë e njerëz të tjerë të shkretë. Është e dhimbshme të shohësh se si vdesin gratë me fëmijët e tyre në krahë. Tri ditë e tri net ka rënë shi, ndërsa këta të mjerë ecin ditë e natë të zhveshur, të zbathur, të uritur e të lodhur, dhe – ata që nuk mund të vazhdojnë më nga lodhja – vdesin. Por ata që kanë mbetur gjallë kërkojnë ndihmë e qajnë duke kërkuar bukë, por nuk u japin.

Atëherë komitët, që janë si egërsira të ndyra, i kapin ata e i torturojnë në mënyrë të tmerrshme. Njeri mban pushkën ndërsa tjetri shtyn turkun me thikën, që i ka vënë në gjoks. I pari e shpon me thikë dhe ia kthen shokut e ky e shkon përsëri në thikë, e kështu me radhë, 10, 20 herë, derisa të vdesë. Është tmerr ta shikosh, se ç’zemra kanë këta njerëz, ushtria serbe shfaroste shqiptarët në Serbinë e Vjetër dhe në Shqipëri, me një bindje kriminale se me këtë po bënte një vepër “kombëtare”, se duke zhdukur nga faqja e dheut këtë popullsi, po hiqnin qafe armikun, me të cilin në të ardhmen do të ishte e vështirë t’ia dilnin në krye.

Për çfarë janë fajtore ato gra të shkreta dhe fëmijët e tyre, këta engjëj të vegjël të bukur e të pafajshëm? Flisni, përgjigjuni ju, o nëna! Flisni dhe dënojeni luftën që ju shkatërron burrat, vëllezërit, të dashurit, motrat dhe fëmijët, “shqiptarët e egër” i çarmatosnin dhe pastaj i lironin ushtarët tanë, kurse ushtria jonë “e kulturuar” e shekullit të 20-të, po vret edhe fëmijët e tyre.

Radniçke novine; 22.10.1913:

Radniçke novine; 15.1.1914:

Ky do të ishte akti i fundit i ndjekjes së vazhdueshme të një politike të keqe, që filloi me shfarosjen e arnautëve në krahinat e reja, në mënyrë që të ngeleshin vendbanime të pastra serbe, pastaj u vazhdua me marrjen e krahinave të populluara nga arnautët.

Serbia ka pushuar së qeni një shtet i pastër nacional. Ajo, njëlloj si të tjerët, kundër të cilëve fliste deri më sot, është bërë pushtuese dhe shtypëse.

Radniçke novine; 29.12.1914:                                                                      

Me shumë tipa të degjeneruar dhe kriminelë që largoheshin nga trupat e rregullta, që të mund të vrisnin e prisnin lirisht, çetat e komitëve i kanë shkaktuar shumë dëme popullsisë së krahinave të reja dhe kanë turpëruar popullin serb.

Në këto çeta janë grumbulluar tipat më të dyshimtë. Ata i japin vetes të drejtën që të mbjellin pa mëshirë vdekjen edhe tek të pafajshmit. Për ta nuk ekziston çështja e pronës, as ajo e bukës së gojës dhe e nevojave të përditshme të ndonjë familjeje të varfër.

****

Samouprava; 13.11.1912:

Vetëm shqiptarët bëjnë përjashtim kështu. Një pjesë e madhe e tyre kanë qenë kundër serbëve, kështu që, për pasojë, filluan luftimet kundër ushtrisë serbe. Në këto luftime ndodhën ato që, për fat të keq, ngjasin gjithnjë në raste të tilla, kur popullsia  ngrihet me armë në dorë kundër ushtrisë fitimtare. Arnautët e humbitnin kaq shumë toruan saqë qëllonin ushtarët edhe pasi dorëzoheshin. Këtë e bënin jo vetëm nga pyjet, por edhe nga shtëpitë nëpër qytete. Në këtë mënyrë janë vrarë disa qindra ushtarë serbë. Natyrisht kjo nuk ka kaluar pa u ndëshkuar…

Samouprava; 13.11.1912:

Ushtria serbe, kur erdhi në këto zona, nuk preku asnjë nga ata që iu përgjigj thirrjes së pushtetit dhe dorëzoi armët. Por disa arnautë, pas dorëzimit, poshtërsisht dhe dinakërisht qëllonin ushtarët serbë. I tillë ishte rasti i Ferizajt, ku viktimë e poshtërsisë arnaute ishte oficeri serb Amar dhe shumë ushtarë serbë. Ata u mbrojtën dhe kjo është e gjitha.

                                                                           ****

Vesnik srpske crkve; tetor-nëntor- dhjetor 1912. Fq. 982:

Në Katedralen e Beogradit foli Zoti Mitropolit Dimitrie : …. Të shkojmë në Kosovën e lavdishme, në Deçanin madhështor, në Shkupin e mrekullueshëm, të kërkojmë fronin e Dushanit të fuqishëm. Të shkojmë në Prilep. Kalorësit tanë të lavdishëm tashmë u nisën, ndërsa unë si bari suprem dhe si at shpirtëror i tokës serbe jap bekimin.

Vesnik srpske crkve; tetor-nëntor – dhjetor 1912. Fq.1012.

Në disa vende ushtria jonë ka korrur fitore të mahnitshme dhe ia mori hakun Kosovës. Të faleminderit për ndihmën e deritanishme, o i madhi Zot!

I gjithë territori nga kufiri i Mbretërisë serbe e deri në Gjevgjeli, Dojran, Lerinë dhe lumi Shkumbin në jug, si dhe deri në Detin Adriatik në perëndim…u pushtua nga ushtria serbe.

Deri më 20 shtator detashmenti i dytë i ushtrisë kapërceu malet e Shqipërisë dhe doli në det, në Detin Adriatik serb. Janë të rralla në histori ekspeditat ushtarake, që mund të krahasohen me marshimin serb nëpër Shqipëri deri në det: shumë pengesa të pakapërcyeshme, tmerre e vuajtje u desh të kalonte ushtria jonë për një kohë të shkurtër, por heroike.

Vesnik srpske crkve; Janar-shkurt 1913. Fq. 75:

Kleri serb po kryen detyrën ndaj kishës dhe popullit, pasi përveç atyre që ka thirrur komanda ushtarake, ka pasur edhe priftërinj, që krahas detyrës së tyre priftërore, kanë shkuar edhe vullnetarisht dhe me praninë e tyre u kanë dhënë zemër vëllezërve të tyre. Me vetëmohimin e tyre ata kanë fituar admirimin e luftëtarëve dhe falënderimet e autoriteteve ushtarake eprore.

Vesnik srpske crkve; Mars-prill 1913. Fq. 255:

Shpallja e luftës për çlirim u prit me entuziazëm, por na duket se askush nuk e priti me aq entuziazëm çështjen e shenjtë të çlirimit sa priftërinjtë serbë. Ata nxituan me kryq në dorë që të vihen në krye të ushtrisë trime serbe, që të ndezin ndjenjat e ushtarëve me fjalimet e tyre. Shumë priftërinj janë regjistruar si vullnetarë e komitë dhe me kryq e me armë në dorë asgjësojnë aziatikët e egër. Gazetat janë plot me njoftime për qëndrimin heroik të disa priftërinjve në luftën e re.

—-

Vesnik srpske crkve; mars-prill 1913.Fq.268:

Përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha në Beograd më 17 mars kanë dorëzuar një notë, ku i bëjnë thirrje qeverisë serbe të heqë rrethimin e Shkodrës dhe të largohet sa më parë nga territoret e pushtuara të Shqipërisë. Ata mendojnë njëkohësisht se duhen marrë masa të menjëhershme për sigurimin e lirisë së vërtetë fetare të katolikëve dhe myslimanëve me kombësi shqiptare.

Ky peticion i Fuqive të Mëdha lidhur me kufijtë e Shqipërisë, dhe ende më tepër, me lirinë fetare në territoret e marra nga ushtria serbe, meriton çdo lloj dënimi. Shtetet aleate të Ballkanit janë shtete konstitucionale dhe të pavarura, ku të drejtat e qytetarëve janë të siguruara me ligj në masën më të plotë si për shembull liria e ndërgjegjes dhe e besimit të të gjithë qytetarëve të tyre. Mund të thuhet me siguri se Serbia, në këtë drejtim, paraprin. Muhamedanë e shqiptarë edhe deri më tani ka pasur në Serbi dhe ata kanë gëzuar mbrojtjen e plotë qytetare e fetare, kështu që në këtë drejtim askush deri më sot nuk ka pasur ç’të thotë. Kjo kërkesë ka gjetur dënimin e përgjithshëm.

Siç mund të pritej, zoti Pashiç, përveç të tjerash, iu përgjigj kështu këtij peticioni: Përsa i përket kërkesës së garancisë për sigurimin e besimit katolik e mysliman në krahinat e reja, qeveria mbretërore deklaron se nuk mund ta pranojë këtë kërkesë, pasi ajo është në kundërshtim me të drejtën e sovranitetit shtetëror.

Vesnik srpsk e crkve; mars-prill 1913.Fq.270:

Gjakova, atje në pjesën malazeze, ka marrë një pamje festive. Para komandaturës malazeze është grumbulluar populli. Mbi 600 frymë! Prifti katolik nga Gjakova thirri peshkopin e Prizrenit, duke i thënë se autoritete malazeze i kanë detyruar këta njerëz që të braktisnin fenë katolike.

Dhe erdhi peshkopi së bashku me një prift katolik të kishës së Prizrenit. Shkuan në kapitaneri tek sunduesi malazez i komunës, zoti Plamenac. Zoti Plamenac mori falën. Me fjalë të zgjedhura ai iu drejtua popullit me pyetjen: Vetëm me vullnetin tuaj kërkoni të ndërroni besimin? Mos ju ka detyruar ndokush? A keni frikë nga ndonjë gjë?

Dhe nga mbi 600 vetë dolën gjithsej 4 dhe deklaruan se do të ruajnë besimin katolik. Këta të katër janë farefis i peshkopit. Peshkopët katolikë nuk mund t’i ankohen askujt për dështimin e tyre. Me korrektesën më të madhe, autoritetet malazeze i lanë ata të ndërmarrin gjithçka që mund t’i ndihmonte. Memorie.al

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?