Pjesa e pestë
(KRIZA LINDORE DHE LUFTËRAT BALLKANIKE) “Serbët rrjedhin nga sllavët, një numër i madh tribushë që i dhanë jetë popujve sllavë. Mbi origjinat e historisë së sllavëve njohuritë janë modeste dhe jo aq të qarta. Emri i tyre del për herë të parë në shekullin VI pas J. K., kur shkrimtarë bizantinë fillojnë të flasin për sllavët….”! (Dushan Batakoviç, Milan St. Protiç, Nikola Samarxhiç, Aleksandër Fotiç. Histori e Popullit Serb. L’Age d’Homme. Lausanne. 2005. Fq. 3.)
NË VEND TË PROLOGUT – NJË PROJEKT, DY MEMORANDUME DHE NJË ANALIZË
Projekti ose Naçertania e Ilia Garashaninit – politikan, kryeministër i Serbisë gjatë viteve 1852-1853 dhe 1861- 1886:
Shqiptarët janë të paaftë për të bërë shtet
Stereotipi më i përhapur deri në Luftën e Parë Botërore, ishte se shqiptarët nuk kishin dëshirë të kishin shtetin e tyre, gjë që mbështeste tezën se ata, nuk kishin të drejtë të kishin një të tillë. Në vitin 1878, Dimitrije Aleksijeviç shkruante se; shqiptarët kishin të drejtë të formonin shtetin e tyre në perëndim dhe në jug të Drinit, por vetëm nëse do të tregonin se e meritonin moralisht, sepse asnjë shtet nuk ishte krijuar nga hajdutët dhe plaçkitësit.
Jovan Haxhi-Vasiljeviç, u ankua se shqiptarët kishin filluar të kërkonin pavarësinë dhe po ua mohonin serbëve të drejtën për tokën e tyre. Në prag të luftërave ballkanike, Ljuba Jovanoviç, shkruante se, situata ekzistuese në “Serbinë e Vjetër” ishte krijuar nga shqiptarët e egër dhe të shfrenuar, të cilët Stambolli nuk mund t’i qetësonte; se vetëm Serbia mund ta bënte këtë gjë; dhe se Serbia, duke çliruar “Serbinë e Vjetër” do t’i jepte fund edhe shfarosjes barbare të popullsisë serbe.
Sipas Jovanoviçit, meqenëse shkenca juridike nuk e njihte të drejtën e posedimit të diçkaje të fituar me mjete kriminale, Serbia dhe populli serb kishin të drejtë që nuk e njohën ligjshmërinë e gjendjes ekzistuese të krijuar nga banditizmi në këtë pjesë të famshme të territorit të atdheut serb. Dhe ndërsa besonte se shqiptarët nuk kishin të drejtë të qëndronin në një vend që e kishin marrë me mjete barbare, ai nuk ishte pro largimit të tyre me forcë ose, trajtimit të tyre si një masë e robëruar dhe e pushtuar.
Ai pranoi se ata mund të qëndronin atje si qytetarë serbë, pa humbur kombësinë e tyre; por njëkohësisht, sipas tij, Serbia nuk kishte përse ta bënte këtë gjë, meqenëse shkenca juridike nuk e njihte të drejtën e posedimit të diçkaje të fituar me mjete kriminale, kështu që Serbia dhe populli serb kishin të drejtë që nuk e njohën ligjshmërinë e gjendjes ekzistuese të krijuar nga banditizmi në atë pjesë të famshme të atdheut serb.
Vitet pas Luftërave Ballkanike, prodhuan një bollëk librash për shqiptarët, të kaluarën dhe karakterin e tyre. Objektivi kryesor i Serbisë ishte, të arrinte detin dhe tani ajo e ridrejtoi zgjerimin e saj nga Selaniku në Durrës, e bindur se kjo ishte e nevojshme për mbijetesën e saj ekonomike dhe politike. Kjo politikë, për të mbështetur planet e saj, kishte nevojë për argumente shkencore.
Tani ishte e nevojshme të përhapeshin në botë stereotipat e vjetra për Kosovën dhe shqiptarët e Maqedonisë dhe të krijohej një pamje e përgjithshme e shqiptarëve, që do të mbështeste argumentin se ata nuk ishin të aftë për të patur shtetin e tyre. Intelektualët nacionalistë serbë, të cilët shkruan gjerësisht për parimin e kombësisë, zgjimin e kombeve dhe se si Ballkani u përkiste vetëm popujve ballkanikë – dhe që këmbëngulnin në të drejtën e çdo kombi për të qenë i lirë – nuk i zbatuan kurrë këto parime për shqiptarët, as që menduan, madje, se të drejta dhe liri të tilla mund të vlejnë për ta.
Lufta serbe për liri, në sytë e këtyre autorëve, duhej të shpërblehej me territore, që nuk ishin domosdoshmëritë dhe qartësisht serbe. Ndërsa banditizmi shqiptar do të ndëshkohej, duke ua mohuar shqiptarëve të drejtën për shtet edhe në viset thjesht shqiptare. Kjo është arsyeja pse në këtë pjesë të elitës intelektuale, nuk gjejmë asnjë autor, që të ketë mbështetur të drejtën e shqiptarëve për të pasur shtetin e tyre. Përkundrazi, çdo kërkesë e tillë konsiderohej e panatyrshme dhe si një sulm i padrejtë ndaj Serbisë dhe përparimit të saj.
Dëshira për të vërtetuar se Serbia kishte të drejtë të pushtonte një pjesë të Shqipërisë, për të pasur bregdetin e saj, ishte aq e fortë sa që edhe autorë seriozë iu nënshtruan asaj. Jovan Cvijiç botoi disa artikuj në lidhje me Luftën e Parë Ballkanike, që synonin të vërtetonin pretendimet politike serbe.
Duke shkruar se; “Serbia e Vjetër” kishte një dalje në detin Adriatik, në një brez të ngushtë midis Shkodrës, Lezhës dhe Durrësit, ai mbrojti ndërtimin e një linje hekurudhore në drejtim të këtij bregdeti. Megjithatë, ai ishte i shqetësuar për faktin se kjo linjë, do të kalonte nëpër zona të banuara me shqiptarë, se ishte i njohur mosbesimi i këtij populli ndaj komunikimeve dhe se dihej gjithashtu që shqiptarët, ishin shumë të eksitueshëm dhe lehtësisht të provokueshëm. Pretendimet serbe në atë kohë përligjeshin në fakt jo aq me të drejtat që u përkasin serbëve, por me gjoja paaftësinë e shqiptarëve për të jetuar si komb i pavarur.
Jovan Radoniç, shkruante se në kohën e shpërbërjes së Perandorisë Serbe, shqiptarët nuk u përpoqën të krijonin shtetin e tyre, por vazhduan të jetonin si fise, duke mos ndier nevojën për një komunitet më të madh, duke dëshmuar kështu se nuk kishin aftësi për të bërë një komb. Dhe, duke qenë se këto fise çdo gjë jashtë kufijve të tyre e trajtonin si të huaj dhe armiqësore, nuk ishte e mundur të flitej për një popull shqiptar në tërësi.
Ai gjithashtu argumentoi se shqiptarët nuk krijuan sundimtarët e tyre, por mbetën kryesisht subjekt i efekteve të dobishme të kulturës serbe, gjë që u ndërpre nga pushtimi turk. Duke protestuar kundër krijimit të një Shqipërie autonome, që do ta shkëpuste Serbinë nga deti, Radoniçi këmbënguli se nuk kishte kombësi shqiptare; se shqiptarët nuk e ndienin nevojën për të pasur një shtet të tyrin; dhe se, gjithsesi, nuk mund të formonin një të tillë, pasi nuk kanë treguar prirje kulturore, vullnet dhe aftësi për të krijuar një bashkësi shtetërore, duke parapëlqyer të jetonin ashtu siç kishin bërë që në Mesjetë.
Ai nuk mund të pranonte që këta njerëz, të cilët kishin qenë gjithmonë të prirur ndaj çrregullimeve dhe dhunës, dhe që ishin kundërshtarët më të ashpër të barazisë, të shpërbleheshin me liri. Në vend që të përfshiheshin në shtetet e aleancës ballkanike ku, tani që Turqia u mund, ata do të gëzonin, si qytetarë të barabartë, përfitimet e kulturës dhe qytetërimit, atyre u propozohet të jenë të pavarur (Radoniç, 1912).
Vladan Gjorgjeviç, i quajti shqiptarët: ‘lëkurëkuqtë e Europës; portin shqiptar të Durrësit një port serb; dhe shtetin shqiptar, që Austria dhe Italia donin të krijonin, një episod të trishtë në poemën epike ballkanike të përgjakshme, por të lavdishme. Ai pyeti: “A do të ketë sukses kjo përpjekje e madhe e Austrisë dhe Italisë për të krijuar një shtet nga këta Lëkurëkuq? Dhe dëmi kolosal që fuqitë e mëdha do t’i shkaktojnë vetes në këtë mënyrë, a do të jetë në përpjesëtim me padrejtësinë, që do t’u bëjnë shteteve ballkanike”?
Duke argumentuar se prapambetja e shqiptarëve ishte një pengesë e pakapërcyeshme për krijimin e një shteti shqiptar, ai e quajti të habitshme që këta njerëz, që nuk e dinin se çfarë ishte një gjë e tillë dhe që mendonin se, bora ishte sheqer – hiqeshin sikur tani janë gati të vdesin për vendin e tyre.
Edhe pse ai e shkroi librin e tij për të vërtetuar korrektësinë e kërkesës serbe për dalje në det, ai ndjeu gjithashtu nevojën për të theksuar përfitimin që do të kishte Europa nga shqiptarët pa shtetin e tyre, duke argumentuar se Shqipëria, duke qenë një shtet mysliman, do të ishte një anakronizëm për Europën dhe për idealet e saj. Prandaj, sipas tij, parimi kolonial ishte e vetmja rrugë për zgjidhjen e problemit shqiptar, sepse vetëm një shtet i huaj mund të vendoste rendin publik në Shqipëri dhe të krijonte kushtet, që do t’i lejonin shqiptarët të bëheshin komb.
Duke pyetur veten se si një popull që, nuk e shihte veten si një komb të caktuar, mund të trajtohej tani e tutje si i tillë dhe duke këmbëngulur se, shqiptarët në zhvillimin e tyre, mbetën në fazën e parahistorisë, ai arriti në përfundimin se do të ishin të nevojshme, së paku, njëqind vite që ata, me të drejtë, të mund ta quanin veten komb. Me fjalë të tjera, slogani “Ballkani për popujt ballkanikë” nuk vlente për shqiptarët (Gjorgjeviç, 1913).
Në të njëjtin vit që u botua libri i Gjorgjeviçit, ministri i Brendshëm serb, Stojan Protiç, botoi një libër me pseudonimin ‘Balkanicus’. Edhe pse në dukje është më i moderuar në ton, ky libër përdor të njëjtat argumente dhe me të njëjtin qëllim. Libri është botuar edhe nga e njëjta shtëpi botuese, gjë që shtron pyetjen; nëse bëhej fjalë për bashkërendim të përpjekjeve për t’u shërbyer nevojave të caktuara politike.
Mesazhi kryesor i librit të Protiçit ishte gjithashtu se Serbia kishte të drejtë të kërkonte një dalje në det në bregdetin shqiptar. Duke cituar të gjitha llojet e autoriteteve “shkencore”, Protiçi argumentoi se; shqiptarët e Shqipërisë së Veriut kishin humbur shumë nga pastërtia e tyre racore, pasi gjaku i tyre përmbante një përbërës të rëndësishëm serb. Ai përsëriti argumentin se shqiptarët nuk kishin gjuhë apo alfabet të përbashkët, as një letërsi popullore apo thjesht artizanat të tyre.
Nga ana tjetër, Protiçi përmend një sërë autorësh të huaj, që kishin shkruar për prapambetjen e shqiptarëve, duke arritur në përfundimin se; ata mbetën në nivelin që kishin qenë një mijë vjet më parë. Duke vënë në pikëpyetje dështimin e qytetërimeve fqinje për të ndikuar tek ata dhe paaftësinë e tyre për të evoluar në një shtet të përbashkët, ai arrin në mënyrë sarkastike në përfundimin se një komb kaq i shëndetshëm, i zgjuar dhe i talentuar – siç kanë lënë të kuptohet disa zotërinj – nuk kishte arritur të përvetësonte asnjë nga të gjitha kulturat dhe qytetërimet e fqinjëve të tyre, por mbeti i veçantë dhe i vetëmjaftueshëm.
Ai argumentonte se; shqiptarët nuk ishin të aftë për një ekzistencë të pavarur kombëtare, sepse, duke qenë të lidhur me vullnetin personal dhe lirinë e shkretëtirës, ata nuk kishin dhe nuk mund të kishin asnjë ndjenjë lirie shoqërore.
Shpërblimi i tyre për shërbimet e tyre besnike ndaj sulltanit, sipas Protiçit, ishte leja për të vrarë dhe shfarosur serbët dhe për t’u sekuestruar pronën dhe tokën e tyre, gjë që ishte talenti i vetëm i shqiptarëve. Për të forcuar paraprakisht pozitën e tij politike, ai kërkoi të gjejë tek besimi fetar arsyet e përkeqësimit të marrëdhënieve ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, të cilët, sipas tij, ishin të mirë para se të bëheshin myslimanë:
Edhe në këtë luftë pamë që vetëm shqiptarët myslimanë luftuan kundër serbëve, ndërsa shqiptarët e krishterë i pritën serbët, pothuajse kudo, si çlirimtarë.
Protiçi argumentoi se asnjë çështje shqiptare nuk kishte ekzistuar para se ta shtronin të tjerët, pasi shqiptarët nuk po kërkonin një shtet për veten e tyre. Mbrojtja e zjarrtë e Austrisë për racën më të ulët dhe më të pa kultivuar të Gadishullit Ballkanik, e cila kishte rezultuar e paaftë për të shkuar përtej jetës fisnore gjatë dy mijë viteve të fundit ose, për të krijuar qoftë edhe një shtet të vogël – dhe kërkesa e saj, në përputhje me të ashtuquajturin parim të kombësisë, për kufijtë e zgjeruar për këtë racë në kurriz të racës serbe, më e fortë, më e kulturuar dhe shumë më e përshtatshme për jetën shtetërore, ishte në të vërtetë vetëm një alibi për zgjerimin e saj territorial. (Balkanicus, 1913).
Argumenti kryesor në shkrimet serbe të fillimit të shekullit ishte se; Shqipëria nuk ishte prodhim i aspiratave kombëtare të shqiptarëve dhe se asaj, i mungonin kushtet e nevojshme për një jetë të pavarur, sepse shqiptarët nuk ishin të bashkuar kombëtarisht. Shteti që po krijohej nuk u krijua për ta, por si një mënyrë për ta kthyer Gadishullin Ballkanik në një koloni të Gjermanisë së Madhe (Cemoviç, 1913). Ideja e pavarësisë nuk mund të kishte lindur tek vetë shqiptarët, por ishte vepër e të tjerëve. Në këtë Shqipëri të pavarur, asnjë serb, i krishterë apo edhe turk nuk mund të mbijetonte (Jasha Tomiç, 1913). Gjithashtu u tha se ushtria serbe mund ta kishte marrë zonën përreth Vlorës pa luftë.
Karakteri shqiptar
Megjithatë, disa nga këta shkrimtarë ishin të dyzuar për karakterin e shqiptarëve. Edhe ata, që zakonisht i vizatonin shqiptarët me ngjyrat më të zeza, kur viheshin në lidhje të drejtpërdrejtë me ta gjatë udhëtimeve, dallonin edhe anët e shumta pozitive të tyre, të cilat ndonjëherë edhe i ngrinin mbi serbët. Kështu, udhëtuesi Ivan Ivaniç i përshkroi shqiptarët e Kaçanikut si burra shtatlartë, të pashëm, të njohur për trimërinë e tyre, këngët e dashurisë së të cilëve ishin shumë emocionuese, pasi gjaku i tyre i fortë jugor, i bëri ata dashnorë pasionant.
Sipas tij, miqtë ishin plotësisht të mbrojtur në shtëpitë e tyre dhe gratë të paprekshme (Ivaniç, 1903). Haxhi-Vasiljeviçi, vlerësoi zellin e tyre. Ai deklaroi se arat dhe vreshtat e tyre, ishin të cilësisë më të mirë; se ata ishin më të mirët në blegtori dhe artizanët më të mirë; se kur kishin mjaft për të jetuar, ishin fqinjë paqësorë dhe të mirë, madje edhe miq të besuar; se ata ishin të shëndetshëm dhe rezistentë; se ata nuk flisnin shumë, por u pëlqente të tregoheshin; se ishin krenarë dhe u pëlqen vetja. (Haxhi-Vasiljeviç, 1909).
Stojan Novakoviç i përshkroi ata si njerëz kockorë dhe të dobët, të shëndetshëm dhe të fortë si stralli; por ai ankohej edhe se ata ishin të egër, se grabisnin dhe vrisnin çdo fshatar serb që takonin (Novakoviç, 1906). Jasha Tomiç, e pranoi aftësinë e tyre ushtarake, duke thënë se ata ishin luftëtarë jashtëzakonisht të aftë dhe askush nuk mund t’i akuzonte për frikacakë; se nuk i sulmonin gratë dhe ishin shumë mikpritës (Tomiç, 1913).
Megjithëse nuk i konsideronte të përshtatshëm për shtetësi, Toma Oraovac pranoi se ata ishin vendas nga Ballkani dhe një nga popujt e tij më të kulturuar dhe më të përparuar; ndërsa Dragisha Vasiç argumentoi se ata ishin jashtëzakonisht më të ndershëm dhe njerëzorë se bullgarët – gjë që është e kuptueshme në një libër për bullgarët (Vasiç, 1919).
Interesi për shqiptarët u zbeh shpejt pas formimit të shtetit jugosllav. Ata u përmendën me shkrim vetëm rastësisht, negativisht, sigurisht, por jo më si subjekt kryesor i interesit ose, si armiku kryesor. Këtë rol e morën kroatët, të cilët zëvendësuan fillimisht bullgarët e, më pas shqiptarët. (1)
1 – Pjesë nga “‘U tradiciji nacionalizma ili stereotipi srpskih intelektualaca XX veka o “nama” i “drugima”. (Në traditat e nacionalizmit ose stereotipet e intelektualëve serbë për “ne” dhe “të tjerët”)’, Ogledi n°1, Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi , 2002, ribotuar nga Pescanik (Hourglass) i Radios B92. Peščanik.net, 17. 07. 2008. Memorie.al
Hisroria ka treguar te kunderten,por me vjen shume inat dhe eshte per te ardhur keq,jemi nje popull hajdutesh
Përgjigju