Politikë

Libri ‘Lidershipi’/ Rama sjell në vëmendje çështjen Kina-Tajvan: Sot gjëra mund të ishin ndryshe nëse do kishte një Kissinger

9 Shtator, 20:12| Përditesimi: 9 Shtator, 20:34

  • Share

 

Në prezantimin e botimit në shqip të librit “Lidershipi” të diplomatit të njohur amerikan, Henry Kissinger, Kryeministri Edi Rama solli në vëmendje politikëbërjen e SHBA në raport me Kinën gjatë presidencës Nixon.

Çështja e nxehtë ishte Tajvani, siç vijon të jetë edhe sot.

Kryeministri përmendi strategjinë e Kissinger në atë kohë, kur ishte Sekretar amerikan i Shtetit, për raportet Kinë-Tajvan dhe zgjidhjen që ai propozoi.

E në këtë pikë, Rama thotë se nëse në gjeopolitikën e sotme, do të ishte Henry Kissinger, situata mund të kishte rrjedhur ndryshe dhe se kapaciteti strategjik i Kinës nuk duhet nënvlerësuar.  

“Ka një problem që është Tajvani. Kissinger aty bën një propozim që ka hyrë në terminologjinë historike si një inovacion i jashtëzakonshëm me termin “ambiguitet strategjik”, që propozon që të dyja palët, Kina dhe Tajvani, të pranojnë që ka një Kinë. Por secilës prej tyre t’u lihet liri që të mendojnë se ajo një Kinë është e tyrja. Një kinezëri domethënë. Edhe Zhou Enlai i thotë këtu nuk kam fuqi, duhet të pyes Mao Ce Dunin. Dhe shkon te Mao Ce Duni. I thotë, jemi ok me të gjitha pikat, ka një pikë që është Tajvani, ku Kissinger propozon të biem dakord që ka një Kinë dhe këtë të themi ne, këtë të thonë dhe në Tajvan, dhe jemi të lirë ta mendojmë që kjo një Kina është e njërit apo e tjetrit, por gjithmonë ka një Kinë. Dhe Mao i thotë, vetëm kjo është pika ku s’keni rënë dakord? Po. Epo mirë, i thotë, s’ka problem, pranojmë dokumentin, dhe tek çështja e Tajvanit kthehemi pas 100 vjetësh.

Këtu është një shembull që i thotë të gjitha për kapacitetin strategjik të Kinës që bazohet në sistemin e tyre, traditën e tyre, të cilin Perëndimi ose nuk do ta kuptojë ose nuk arrin ta kuptojë por që e bën Kinën një aktor me më shumë se sa atë palë të kartave që është në tryezën e lojës dhe duke kuptuar këtë, Nixon dhe Kissinger ndërtuan një strategji të tërë dhe pse ata ju afuan Kinës dhe sikur politikëbërja e lartë amerikane të lexohej vetëm ajo pjesë disa vite më parë, sot gjërat mund të kishin rrjedhur ndryshe dhe padyshim që nëse do kishte një Kissinger në atë tryezë, me siguri që gjërat mund të kishin rrjedhur ndryshe. Besoj që me kaq ne mund ta mbarojmë misionin tonë”, tha ndër të tjera Kryeministri Edi Rama.


Lajmi kryesor:

Prezantohet në shqip libri ‘Lidershipi’ i Henry Kissinger, Kryeministri Rama ka shkruar parathënien: Zor të ketë pasur të dytë si ai, kishte fiksim ekuilibrin e forcave


V.GJ /I.M/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Masakra me 2 viktima në Shkodër, sa të sigurt ndiheni?