Libri “Ndërkombëtarët” në italisht, ish ambasadori: Shqipëria ka keqkuptime të gabuara nga të huajt

20 Janar 2019, 14:33| Përditesimi: 20 Janar 2019, 18:28

  • Share

“Një rrëfenjë me ndërkombëtarë” e Ylljet Aliçka e cilësuar si një dëshmi nga një letërsi e madhe, tepër argëtuese edhe njëkohësisht shpirtërore botohet edhe në gjuhën italiane. Libri që blasfemon arrogancën elitare të një pjese të opinionit ndërkombëtar, transmeton frymën kritike ndaj kulturës së nënshtrimit, duke qenë aktuale ende dhe sot, 13 vite nga botimi i parë. Për kamerën e “Report Tv”, shkrimtari dhe ish-ambasadori, Ylljet Aliçka, rrëfen arsyet se përse tematika e trajtuar prej tij në këtë libër, ka interes për botuesit e huaj

Intervista e plotë

Zoti Aliçka, 13 vite nga botimi i parë i librit “Ndërkombëtarët” në shqip. E keni botuar gjatë këtyre viteve edhe në anglisht, frëngjisht, edhe në italisht kësaj here. Por,  përse e zgjedhin botuesit e huaj këtë libër?

Se është libër i mirë (qesh). Por, mesa duket tematika e tij nuk është vetëm shqiptare që u intereson. Raporti i çdo vendi me institucionet e huaja ndërkombëtare, problematikat që lindin, ballafaqimet dhe sfidat i interesojnë çdo vendi. Por, ka edhe motive të ndryshme, për shembull në Novergji e morën, si roman, në Itali i intrigon tematika, më shumë sesa si  aspekt eseistik. Përpos që i vënë edhe një farë theksi, në mënyrën e të shkruarit, që më shumë sesa letrare, ka ironi.

Kanë kaluar 13 vjet edhe vijon ende që të jetë aktual edhe për vendin tonë. Në shqip janë bërë disa ribotime të tij, nga shtëpi botuese të ndryshme...

Së pari, e shikoj si shitje. Kërkohet. Ndërsa, si tematikë vijon që të mbetet aktuale. Gjithmonë Shqipëria ka keqkuptime edhe perceptime të gabuara nga të huajt, qoftë në nivel të opinionit publik, qoftë në nivel institucional. Gjë, e cila shpeshherë ka pasoja jo vetëm traumatike për individin shqiptar, por dhe në nivele institucionale të politikës së madhe të Shqipërisë. Nga vjen kjo? Ka qenë shumë më e theksuar, por sërisht vazhdon perceptimi i keq, ose i stereotipive. Zakonisht, institucionet ndërkombëtare kur vijnë për herë të parë janë shumë të ngarkuar me opinione bindëse edhe steriotipike. Kjo shkon për një fazë të gjatë që kryesisht përzien edhe me shijen individuale, aq sa shpeshherë Shqipëria bëhet subjekt denigrimi edhe për shkak të përzierjes së shijeve individuale të komunitetit ndërkombëtarë në Shqipëri. Kjo sjell pasojat përkatëse. Në kohë të ndryshme ka pasur raporte të ndryshme, por ka qenë më e theksuar se në fillim. Edhe sot Shqipëria vazhdon që të ketë probleme me imazhin. Integrimi Europian është proces që do të kalojë nga opinionet e evropianëve ose nga parlamentet. Parlamentet s’janë gjë tjetër veçse zëri i opinionit publik evropian edhe domosdoshmërisht do të ketë probleme gjithmonë. Ndonjëherë me meritë, por në romanin tim e kam pa meritë. Deri në blasfemi ka ndodhur alibia e Carla del Ponte, që në Shqipëri bëhen trafikim organesh. S’ka përdhosje më të madhe, janë alibi, që nëse nuk u përgjigjesh me një plan politik të sakë, lënë gjurmë. Unë më tepër u nisa nga një mllef personal, por që dalin edhe problemet.

Në këtë libër vjen si na shohin ne të huajt, si e shohim ne veten edhe si jemi realisht. A duhet që të nisin ndryshimet këtu, para se ta kërkojmë nga ndërkombëtarët?

Ne shqiptarët kemi kontributin tonë në imazhin e keq. Kjo nuk vihet në dyshim. Mua më tepër kjo më shqetëson kur hiperbolizohet. Nga përvoja që kam them se ne nuk jemi as më të mirë edhe as më të keq se vendet e tjera. Ka fenomene negative, vlera edhe antivlera, mosgjetja e kësaj harmonie që ju thoni, si na shohin ne të huajt, si e shohim ne veten edhe kush jemi ne realisht, këto dy të fundit janë subjektive. Çdonjëri ka prirjen për t’i dhënë një imazh pozitiv vetes, por shpeshherë bëhet modë degradimi i vendit tënd, flitet për fenomene negative. Mbaj mend kur po mbronim hyrjen e Shqipërisë në NATO, një grup parlamentarësh të Partisë së Majtë, s’lanë fjalë pa thënë për Shqipërinë. Një degradim i tmerrshëm. Pas kësaj pyeta: “Nga i kanë të dhënat?” Thanë nga mediet shqiptare. Mendoni sa i tmerrshëm është bërë degradimi i vendit. Kjo shfrytëzohet qoftë me ndërgjegje, qoftë pa ndërgjegje. Janë probleme jo vetëm deficitit politik, por janë deficite komunikimi.

Nga ndërkombëtarët në Shqipëri, cili është zhgënjimi më i madh që keni përjetuar?

Duhet të them një gjë, se Shqipëria pa mbështetjen ndërkombëtare, por edhe sot, nuk do t’u bënte dot ballë shumë sfidave. Shqiptarëve u humbi busulla, pa mbështetjen e ndërkombëtarëve në Shqipëri nuk do të ecte aq sa ka ecur. Ka probleme politike, ideologjike, por për të thënë këtë, pjesa zhgënjyese ka qenë me ata ndërkombëtarë që në vendet e tyre janë nëpunës normal dhe me të ardhur në Shqipëri ose në një vend në tranzicion, ndodh feshitizimi i të huajës. Papritur edhe pa kuptuar ndihen të rëndësishëm. Nuk e llogarisin dot sesa më shumë të nënshtrohet tjetri aq më shumë ndihesh i rëndësishëm, marrin vlera që e tejkalojnë dimensionin real të vlerës real, bëhet ireal. Shpesh ky aspekt psikologjik, bindja diskriminuese për të mos thënë raciste, pavetëdijshëm marrin vlerën se janë njerëz që i ka ngarkuar historia për t’i dhënë rrugën këtij vendi, që është mbrapa edhe i pagdhendur. Kjo indigjecë të fyen. Kur ndodhesh përballë një denigrimi të tillë do të reagosh instinktivisht. Kjo ndodh edhe kur udhëton për jashtë vendit, që në aeroport do të mbajnë më gjatë, vetëm se je shqiptar. Janë elementë, që si meriton edhe mban mbi shpatulla perceptimin e gabuar të një ndërkombëtari klishe.

Ju thatë se media, por edhe politika vendëse flet negativisht në aktivitete ndërkombëtare me rëndësi për Shqipërinë...

Shpesh kur bëhet fjalë për identitetin apo vlerat e saj harrohet niveli pragmatist i gjërave. Shpesh partia që është në opozitë ka interes që ta denigrojë partinë që është në pushtet. Edhe në nivele individuale. Kjo qasje ka të bëjë me maturimin e  klasës politike, por jo vetëm edhe të asaj që do ta quaja aleanca fluide tek të huajat, ka të bëjë me nivelin e vendit në përgjithësi. Por kjo nuk është vetëm në  Shqipëri. italianët, francezët tani me grevat që po kalohen në dhunë, duke ripërsëritur revolucionin e vitit 1789. Prandaj varet nga shkalla maturimit të klasës së politikës së një vendi.

Por a ka pasur edhe ndërkombëtarë, që kanë lënë gjurmë pozitive?

Kjo është subjektive, se varet nga miqësitë që krijon. Në një plan të më gjerë, Shqipëria pa ndihmën e BE-së nuk i përballon dot sfidat. Pak, por dihet që ndihmat që vijnë nga BE-ja janë falas për vendin. Do të ishte e turpshme për shqiptarët që të denigrojnë çdo gjë, po ashtu dhe në plan individual kemi miq të huaj edhe e vrejmë nëse janë të mirë ose jo. Në mendimin personal, m.q.s kam jetuar edhe gjashtë vite në Francë, mua më duket e njëjta gjë, sikundër edhe në Shqipëri.

Cili është mendimi juaj për anëtarësimin e Shqipërisë në BE?

Nuk e di. Di këtë që në një plan objektiv, kontekst më të gjerë europian, është vit i pavolitshëm për Shqipërinë, sidomos mosmiratimi i Brexit. Ndërkohë, që ka forca popullore në Gjermani që kanë nisur edhe e përmendim gjithmonë edhe më shumë daljen. Në Francë me një gjuhë më të veshur ish- Partia e Frontit Popullor, thonë se nëse nuk plotësohet kjo, mirë është që të dalë Franca nga Europa. Edhe në Hungari ka parti populiste që po preferojnë që të dalin nga Europa. Është situatë konfuze edhe në opinion publik Europian për çështjen e integrimit. Ka shumë probleme variable në Shqipëri, ka probleme imazhesh. Imazhi është i rëndë edhe ndryshon me vështirësi. Zgjedhjet evropiane që bëhen në qershor, tendencat poluliste të shumë vendeve, edhe nëse pyetet kryeministri i Hungarinë për zgjerim, ata as që e e mendojnë në këto momente. Por po mendojnë nëse duhet ta lënë si strukturë politike, ushtarake e sigurisë apo vetëm strukturë ekonomike. Nuk parashikon dot. Është shumë afër, por edhe shumë larg.

Edhe së fundmi, kur mendoni që të sillni një libër të ri?

Libri më i ri sapo kam përfunduar së shkruari. Është “Metamorfoza e një kryeqyteti”, sepse mua më intereson që të sjell evolucionin e individit kryeqytetas nga pikëpamja ekonomike-sociale, shpirtërore dhe politike, që njoh që nga vitet ‘70 gjatë komunizmit, deri më sot.  

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?