Asgjë të egër përveç titullit nuk ka në brendinë e librit, i cili vjen nga një poezi brigjesh e ndarjesh, malli dhe brenge. Poezia mbyll ciklin poetik në fundin e librit, por jo egërsinë e detit në ndarjet e autorit me dashurinë dhe mallin për njerëzit.
Anija u trondit fort nga breg i ndarjes…/Silueta jote e heshtur e mbetur atje larg!/ (Duhej forcë e madhe mallin ta ndante)/ Puthja e egër në çastin e ndarjes u kthye në dallgë…
Janë dyzet poezi të shkruara me sqimën e një poeti. Emigranti, shtegtar i përjetshëm, midis brigjesh dhe ndarjesh, të cilit poezia i doli si ulërimë e shpirtit. Megjithatë vargjet e tij nuk janë rebele edhe pse ka jetuar midis sfidash. Ismeti, nuk rebelohet në poezi. Revolta e tij e brendshme kthehet në dhimbje kur e gjen atdheun, ashtu si e la vite më parë. Nuk ka poezi me tituj euforikë për atdheun dhe natyrën me stinët e lulëzuara. As detit romantik e plazheve diellore. Poezia e tijka dhimbje dhe mall nga shpërthejnë tallazet. Ku Ismet Mehmetin, më të tjerë shqiptarë,i hodhi tej dallga, e i shpërnguli shtrëngata si pulëbardhat në shtegtim. Ai jeton midis dy shtetesh e midis dy brigjesh, mes ndarjesh i trishtuar, mes dashurisë dhe shpresës për një fillim të ri.
I mësuar me praninë e mungesës, poezia e tij kushtuar atit, larguar herët nga kjo botë, përcjell dhimbjen e një amaneti të pathënë; “ Ç’fjalë e pa thënë të mbeti,/ Ç’brengë apo ç’merak?/ Ngulur majë kodrinës /Si ushtar romak./ Mbase ëndër e vrarë, / A ndoshta një maraz./Varret larg të prishur, mbetur në Filat./ Sollopia e gjelbër të mbeti kryefjalë, / Ëndra jote e heshtur, ëndrra jote e vrarë./ Llakë e Meçes tutje, verës me bostane, /Baloku në ahur,/ Nusja me tumane……”
Brenda tij është dhimbja e ndarjes së babait, prej trojeve dhe varreve të shkatërruara të të parëve, lënë tutje në Çamëri. Në qytetin e bukur të Filatit e fshatin e origjinës në Sollopi. Atje ku rreh zemra dhe gjaku i paraardhësve të tij. Ai ka mbi shpinë e mban me vete dhe mallin e babait për tokat e mbjella me bostane dhe Balokun, qenin besnik që e ndiqte gjithmonë pas. Amanetet e babait shpesh i duken si klithma që vinë nga një tjetër botë.
Poezia, e parëqë të trondit është,“ Novelë e pa mbaruar për nënën”. Është vuajtja e birit, që sheh dhimbje dhe lot në sytë dhe portretin e saj. ..” Si sot mbaj mënd atë kohë të largët,/ Fëmijë 9-vjeçar me trup të brishtë./ Në dorë mbaja një fletore me vija,/ Dhe një laps jeshil me gomë në bisht./ Në faqen e parë skicova titullin NËNË,/ Me shkronja të mëdha me gaz fëmije, në vargje ajo bëhej diell, dhe hënë,/ Me lapsin e gjelbër në fletoren me vija…”
Dhe një pas një,poezitë për vëllain “Raxhkapur”, për nipin e vogël me emrin e madh Aleksandër, ështëdhe poezia, “Ditëlindjet e mia” …Ditëlindjet e mia, mbetur larg,/ Prilleve të prerë,/ Si zgjedhimi I foljes, në kohën e shkuar,/ Orëve të rusishtes,/ Nga pluhuri i shkumsit përzjerë.
E deri tek “Detari Plak”, mbartin ndër vargje dashuri, dhimbje, brenga dhe mesazhe dramatike, shkruar me dashuri, me një varg të butë, herë klasik e herë të lirë, me strofa të thjeshta dhe figurave letrare të pa sforcuarame kode emetafora. Janë vargje të dashura plot harmoni dhe lexohen me një frymë.Brenda tyre ka gjendje malli. Ndarje dhe kujtime të trishta brigjeve të detit. Poeti nuk ka poezi të mirfillta për detin, po oshtimat e tij, vijnë në poezi si rënkime e mërmëritje të dallgëve, brigjeve tëndarjes në të gjitha kohët. Poezitë marrin jetëprej përvojës dhe egzistencës.
Ismeti, i dyzuar midis punës dhe politikës, vendosi të kthehet tek dashuria e parë.Poezia. Te fletorja e zhubrosur me vija. Të cilën një ditë me drojë, zgjati dorën drej mjeshtrit të letrave, shkrimtarit të madh Ismail Kadare.I cili për fatin e tyre, në ato vite, jepte një cikël leksionesh në auditoret e universitetit, mbi letërsinë moderne. Këto leksione të veçanta, intriguese, që jepeshin nën thundrën e censurës komuniste, mbi korifejte e postmodenizmit, si Franc Kafka, Albert Camys, Marsel Prous, Jean Paul Sartre, Charles Boudelaire, James Joyce, etj.Kush më mirë se ai mund të perifrazonte, nën maskën e refuzimit nga sistemi diktatorial të këtyre kryeveprave botërore. Mjeshtëria e profesorit të rrallë, është më e fortë se vetë mjeshtri, nën frazat e shkëputura të “Kohës së Humbur” e “Metamorfozës”, vargjeve të ”Albatrosit”, që diku krahasoj me poetet-“Kështu dhe poeti ngjan me këtë princ të reve / Që endet mes stuhish dhe qesh me shkreptima:/ mbërthyer në të huajën tokë mes talljesh mizore/ Me krahë madhështorë, që dot s’marrin fluturim…”
Kështu i grishte mjeshtri studentët e tij për t’i kërkuar e lexuar librat e ndaluar, ku ata do zbulonin një tjetër botë e cilado ndikonte fort tek ata, ashtu si vetë letërsia e shkrimtarit të tyre Universal, Kadare.
Ndërsa dëgjonte i mahnitur, studenti Ismet Mehmeti,morri guximin dhe i zgjati mjeshtrit fletoren e zhubrosur me vija... Ai, buzëqeshi me ngrohtësi dhe e futi në xhepin e tij të xhaketës.
Poeti i ri, nuk e kish pritur kurrsesi, të shihte poezitë e tij të botuara tek “ Nëntori”, revista letrare, më e rëndësishme e kohës. Në numrin e parë të vitit 1985. Poezitë e tij qëndronin krahas autorëve të njohur dhe novelës “Nata me Hënë” e gjeniut të letërsisë shqipe, Ismail Kadare.
Gëzimi ishte çmenduri, që nuk zgjati shumë. Novela “Nata me Hënë”u bllokua nga diktatura, së bashku me revistën, ashtu si shpesh ndodhte me librat e Mjeshtrit. Revista “Nëntori”,u zhduk nga qarkulli dhe u fundos diku në pus të thellë. Më pas, poeti irido të ndjente përsëri magjinë e botimit, në numrat e tjerë të kësaj reviste e shtypit letrar të kohës. Kësaj here shokët dhe miqtë,do ta thërrisnin, “nxënësi i Kadaresë”, kompliment që nuk do ti shqitet asnjëherë nga memoria në çdo sfidë dhe gëzim të jetës. Këtu mori krahë ëndrra e tij për tu bërë poet dhe shkrimtar. Vazhdoi të shkruante poezi e prozë dhe botoi në shtypin e kohës krahas shokëve dhe pedagogëve të tij të fakultetit.
Po jeta është stuhi, që të hedh nga një breg në tjetrin. Nxënësin e Kadaresë, do ta hidhte në lëmin e diplomacisë në një shtet ballkanik, ku edhe do të mësonte nga kultura dhe letërsia bullgare. Ai kishte mbrojtur shkëlqyer diplomën me poetin bullgar Nikolla Vapcarov.
Pas kthimit në vendin e tij, gjeti një tjetër atmosferë të zymtë, të panxënë ende me lirinë. Më pas emigrimi në shtetin fqinj Itali. Përpjekjet për një jetë më dinjitoze do ta largonin nga dashuria e parë poezia, e cila herë flinte në sirtarë e herë ngrinte krye e rebelohej dhe i jepte krahë. Pas tridhjetë e ca vjetësh, pa se poezia kishte mbetur si vullkan në shpirtin e tij, tashmë i burrëruar. Është i njëjti temp e njëjta ndjenjë, me figuracionet e saj. Ka mbetur besnik i krijimtarisë së tij. Poezia dhe dashuria për jetën, nuk humbën kurrë nga ndarjet e brigjeve dhe udhëtimet nga njëri në tjetrin breg.
Megjithëse fletorja e zhubrosur me vija, bashkë me poezitë e tij, humbi diku brigjeve, e morri ndonjë dallgë dhe e shpuri diku. E s’dihet se ku?..........
Me ndihmën e vajzave të mira të Bibliotekës Kombëtare, ai i gjeti ato në shtypin e kohës dhe në revistën “ Nëntori”, të fundosur në bodrumet e lagështa të diktaturës, të mbetura po ato të asaj kohe e pas kaq vitesh, të mbijetuara falë kujdesit të punonjëseve dhe drejtuesve të përgjegjshëm të këtij institucioni të rëndësishëm për memorien e kombit. I mori në duar poezitë e viteve studentore, i përlotur, fotografoi i lumturuar dhe nga ai çast, shkroi e shkruan pa fund.
Vendosi ti botonte, askush e as vetë ai, nuk mundi të dallojë, cilat ishin të parat dhe cilat ishin poezitë e shkruara së fundmi. Kuptoi se edhe tani i burrëruar pas shumë vitesh, i zbardhur prej dhimbjeve llahtar, ai kishte mbetur në shpirt ende tek ëndrrat e dëshirat rinore dhe kishte dashur ta thërrisnin përsëri “nxënësi i Kadaresë”. Idhullin e tij dhe të shumë shqiptarëve për të cilin këmbëngul të përgatis një emision të rëndësishëm në mediat e përtej detit.
Nuk mundi të ndryshonte në poezi, as formën e as mesazhet e dhimbjeve dhe dashurisë, sepse ishte mënyra e tij e të jetuarit, plot ndjenjë e këmbëngulje, përpjekje dhe dashuri. Ashtu si mbarti ndër vite mbi supe, amanetin e pathënë të atit, për Filatin dhe Çamërinë, ku ndodhen tokat dhe varret e të parëve. Nënën e dhimbsur, lotët dhe dashurinë e saj tek përcillte të birin emigrant me: “ Një çantë mbi shpinë,/ Brenda dy ftonj të mëdhenj, erëmirë,/ Të ruajtur në sënduk, /Siç ruanin dikur florinjtë./ Nëna në prag,/ Mbetur statujë,/ Në vesh zëri i saj/ si sirenë trageti:/” Udhë të mbarë, bir!”.
Ai bën “ Bisedë me Hënën” në “Muzgun e Durrësit” po nuk i hiqet nga mendja “ Qyteti I Borës”, i një dashurie të humbur, mbetur tremijë vjet të ndarë. “Flet në Heshtje” kur ndjen në shpirt “Ftohtësinë e Bardhë”, “ Kur vdes Zemra” në një “Natë të vetmuar”. .. deri te pluhuri i shkumësit dhe pluhuri i dheut të tij që mbulon gjithçka.
Ismeti përsëri vazhdon e shkruan, me të njëjtin pasion si për dashurinë e mikes së tij studente : “ …Ty sonte dikush të pret, ora ka shkuar,/ Kurora e mimozës do lëshojë për ju fishekzjarrë të verdhë./ Pas të vijnë zërat e shoqeve që ëmbël fëshfërijnë,/ Leksioni i fundit, ka mbetur i hapur mbi komodinë”.
Nuk mund të harrojë as takimin pas kaq vitesh në, “Kafe Flora”… ata erdhën sërish atje,/tek strehëza e tyre emërbleruar./ Tek ajo tavolinë ku vinin çdo ditë,/ Ku dhjetëra dashuri patën gjethuar. / Atje ku Eseninin lexonin çdo ditë./ Për t’i shfaqur njëri-tjetrit dashurinë,/ Ai me fletoren e vjershave në dorë, ajo me çantën e sportit në shpinë.”…
Ismeti iu përket të dyja brigjeve, këtej e andej detit. Shqipërisë që e lidi e riti dhe e formoi, dhe Italisë qe e priti dhe e burrëroi, për t’u kthyer herë pas here, ndoshta përgjithmonë. Po s’mundet t’i harroi rrënjët ku vrapoi brigjeve të lumenjve e deteve, aty ku gatoi brumin e poezisë.
Emigranti, si një zog shtegtar fluron mbi Tiranë, Milano, Firence e mbi Ravena. Me poezinë ngarkuar e cila për të është frymë, që del prej shpirti. Vargu i tij i lehtë dhe herë i rëndë, të bën të mendohesh gjatë, sepse është një personazh që jeton midis nesh dhe letërsisë. Është një udhëtar i përhershëm që mban mbi shpinë, çantën me bagazhe, shkrime dhe libra. I mirëpritur nga mediat e shkruara, nga miq dhe shokë, ja del mban me sukses, si në rastin e këtij libri të bukur me poezi, që lexohet me një frymë ashtu si është shkruar dhe redaktuar me shumë kujdes nga poeti Demir Gjergji. Ismeti, është sqimatar, përzgjedh vetëm40 prej tyre, më të bukurat, më të dashurat e tij.
Ndërkohë shkruan një libër për vajzën “Meribona”, një histori rrëqethëse emigrantësh shqiptarë, të shpërndarë si zogjtë shtegtarë anë e mbanë botës. Një skenar filmi. Një tjetër libër… e plot projekte, për të kapur kohën e humbur. Nuk harron ti thur me dashuri vargje qenit të tij “Dudul”, e çmon dhe e do për besnikërinë e mirësinë,ashtu si ati për Balokun e tij.
Në libër dëgjohet fort zëri i brendshëm i poetit dhe e bashkudhëtarëve të tjerë, grimca jete pëshpëritëse, buçimë zemre dhe jehonë zëri. Ndërsa dallgët e detit përplasen në bregun e përgjumur duke pëshpëritur fjalë të fshehta dashurie. Durrësi dhe Ravena, janë dy qytete binjakë që ai i do kaq shumë. Me të njëjtën dashuri i këndon Valbonës sykaltër dhe Venecias, nimfës së lagur. Po aq të dashura janë për të, “Bukuroshja e Durrësit” dhe “Santa Sofia” në bregun tjetër.
Libri “Puthja e Egër”, është një përzgjedhje poetike ku shpalos ndjenjat e një të riu të së djeshmes dhe po aq i ri në përjetimet e të sotmes, me dëshirë për të ecur më tej. Është një shpërthim kundër dhimbjes. Është një poezi ndjenjash jo çastesh midis dy brigjeve, përjetë përballë, përjetë të ndarë. Reciton shpesh dhe poezi të poetëve Italinë e të huaj. Po poezinë “Mall”, të mjeshtrit të tij Kadare, përlotet sa herë e lexon, sepse malli është dhimbje fizike, të dhemb zemra, kraharori, dhemb shpirti dhe dhembjet e tij, i kthen në poezi. Malli i thërret kujtesës, e nëpërmjet saj thërret poezinë. Poezia është dashuri.
“Fëmijë dhjetëvjeçar mbaj mend të kem qenë,/ Kur e pyeta time më, se ku kisha dal në dritë,/ Se kush ishte mamia e parë që më priti në duar,/ Se si ishte koha atë ditë./ Nëna më vështroi me sytë e saj të butë/- “Shtëpia e Kocaqëve”,- i thonë,-/ Brenda kishte një çerdhe me dallëndyshe, / Kopshtin mbuluar me portokaj e limonë./ Nuk pata pranë doktorë e mami/ Veç dy gra të mira, njëra prej tyre evgjitkë. Ajo të priti ndër duar të mblodhi në gji”….
Poezitë e librit “ Puthja e egër”, janë ndjenjë që të ngjall emocion e të fut në kujtime sepse thotë të vërtetat e jetës, të cilat burojnë nga fëmijëria, kalojnë në rininë e poetit e vinë deri më sot tek ndarjet, nëpër të cilat kalon dashuria. Ai e njeh dhuntinë e tij dhe beson tek ajo që vlon së brendshmi si vullkane që tronditin shpirtin.
Rrjedha e pandalshme e kohës e shpie atë në shtigje të reja krijimtarie. Është lënda njerëzore e jetës së tij me detaje të prekshme. Është, sigurisht, novela e pa mbaruar për nënën, që e nisi kur qe fëmijë në fletoren me vija, me lapsin jeshil me gomë në bisht.
“ I mblodha vitet,/ Si gurë tespihesh,/ me një fill të lidhur,/ Një e nga një;/ Njëri i lumtur,/Tjetri i hidhur,/ Me një fill të lidhur:/ Ky erdhi atë vit,/ Ai vitin tjetër ka ikur./ Unë prapë aty,/ Me fillin e tyre të lidhur./ Bashkë me të ardhurit,/ Bashkë me të ikurit”.
Poezia e Ismetit është klithma e shpirtit dhe ja vlen të dëgjohet dhe të bëhet e parapëlqyera jote. Gjithçka qe lind në shpirt nuk mund të fshihet nga kujtesa. Nuk ka brenda saj profeci filozofike dhe as premtime. E nesërmja nuk dihet se çfarë sjell përpos dëshirës. Shpreh realitetin duke qenë dëshmitar i saj, me një dialog e monolog të brendshëm tepër elegant. Klithmën e shpirtin nuk e kthen në denoncim. Po thjesht ëndërron një jëtë më të mirë, pa ndarje. Ai e di se ëndërrimet janë hija e zbehtë e një jete reale, e cila është një stuhi errërash e dallgë ndarjesh. Ashtu si dikur ati, u nda me brigjet e tij, nëna me brigjet e jetës së saj ku kërkon të prehet. Poeti Ismet Mehmeti, do prehjen midis brigjeve, e nëse rilind përsëri të jetë po aty…”Ndërsa vitet e thinjur/ Që nga thellësitë,/ Si këngët e Milosaos në miniaturë,/ Fëshfërijnë, / Fëshfërijnë./ Dhe valët ikin/ dhe valët vijnë”….
*Autorja e esesë Nadire Buzo është studiuese arti.
Poeti, Ismet Mehmeti