Libri "Demokratura shqiptare"

Libri publicistik/Demokratura shqiptare, e shkuara komuniste në plagët e tranzicionit të gjatë shqiptar

29 Prill 2018, 11:48| Përditesimi: 29 Prill 2018, 11:53

  • Share

Sa më i gjatë dhe i egër një regjim totalitar, po aq i gjatë dhe i vështirë është tranzicioni që e pason.  Kjo sentence plotësisht e vërtetuar në Shqipërinë e tranzicionit, na zbulohet  dhe dëshmohet katërcipërisht në librin e vyer të Eugjen Merlikës “Demokratura shqiptare në vështrimin e një mërgimtari”, një libër tek i cili shihen si në një skaner, gjithë plagët e pashërueshme a zor të shërueshme të shoqërisë sonë, e cila ngjan se është lidhur me miliona fije të padukshme me të shkuarën e saj tragjike të para një çerek shekulli.

Ndërsa lexon këtë libër, vëren se kjo e shkuar ngre krye në çdo krizë politike e shoqërore të këtyre viteve, në çdo ngërç a tragjedi, në çdo histori të pazgjidhur e të mbajtur peng, në të gjithë manipulimet e përsëritura të të gjithë zgjedhjeve të mbajtura në Shqipëri, në çështjet e korrupsionit apo akrobacitë e pafund  të pushtetit, në një maratonë të gjatë e të lodhshme ngjarjesh që riciklohen, si në një rreth vicioz, me pagabueshmërinë e frikshme të një skeme të mirëllogaritur.

Në librin e tij “Demokratura shqiptare në vështrimin e një mërgimtari” Eugjen Merlika ka përmbledhur një varg të gjatë shkrimesh dhe analizash nga vitit 2004 deri në vitin 2017, mbi çështje të politikës së sotme e të shkuar dhe plagët e saj në ekonomi, arsim, e të gjithë sferat e tjera të jetës. 

Me pozicionin e lakmueshëm që të jep analiza në distancë, Merlika na sjell sot, me këtë libër,  “historinë e munguar të tranzicionit shqiptar”, një histori që mban vulën më të dukshme të vërtetësisë e të paanshmërisë, një studim shumë i vyer e i nevojshëm, në kushtet e Shqipërisë me arkiva të shkatërruara dhe media të kapura nga pushteti. 

Nëse do t’i kalonim njeri pas tjetrit gjithë artikujt e përmbledhur në këtë libër do të kuptonim lehtësisht se çfarë shenjash lanë këto vite të vështira në jetën e Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Por do të vërenim edhe se si autori, një idealist i kulluar na sugjeron në çdo rast shtigje drite për zgjidhjen e çështjeve që ai trajton. Dhe kësisoj na projekton me këtë libër Shqipërinë e ëndërruar që prej më shumë se një shekulli, kur gjyshi i tij Mustafa Kruja dhe shumë idealistë të tjerë si ai, projektonin atdheun që ende sot e kemi veç në ëndrra. 

Mes temave të shumta trajtuar në këtë libër, do të doja të ndaloja tek trajtimi që studiuesi Eugjen Merlika iu bën temave mbi të shkuarën komuniste. Kjo është linja ime e parapëlqyer në këtë libër jo vetëm për aftësinë e veçantë analitike që autori shfaq me stilin e tij publicistik, por edhe për faktin e të qenit një dëshmitar i dorës së parë mbi persekutimin e gjatë e të vështirë komunist dhe kthjelltësinë e pashoqe që e karakterizon në trajtimin e këtyre temave.

Në këtë linjë, vlen të përmenden shkrime si  “Rrethimi i kuvendit”, ku autori trajton çështjen e dëmshpërblimeve të të përdnjekurve të regjimit komunist, një temë që politika gjatë 27 viteve e ka parë gjithmonë me meskinitet, pa menduar kurrë se ai nuk është një dëmshpërblim, por  një borxh real që shteti shqiptar ju ka gjithë ish të bugosurve politik dhe të internuarve, për punën e detyruar e të papaguar në miniera, në ndërtime fabrikash, uzinash, tharje kënetash, hapje rrugësh e çdo objekti tjetër infrastrukturor që rezulton të jetë bërë mbi 80 përqind prej punës së tyre.

Në artikullin analitik “VONESA TË  PAPËRLIGJURA”, ku flet për “dekomunistizimin”, “dosjet”, dhe sërish “dëmshpërblimet”, autori fokusohet në projektligjin që diskutohej në vitin 2009, të cilin që atëherë e quante të vonuar, një proces që  edhe sot nuk ecën përpara sado që riciklohen ngjarje, diskutime, debate të ashpra e strategji të reja mashtruese.

Pasi fakti është se dekomunistizimi dhe zbardhja e krimeve të komunizmit është ende retorikë boshe dhe po, kjo është me të vërtetë thembra e Akilit për të mbyllur realisht hesapet me të shkuarën e për të ecur drejt të ardhmes europiane.

Por thelbin e kësaj marrëdhënie delikate me të shkuarën komuniste, e gjejmë të trajtuar bukur veçanërisht tek artikulli me titullin “KEQARDHJE APO CINIZËM SKAJOR?”, një analizë e studiuesit Merlika mbi një intervistë të Ramiz Alisë në televizionin skocez BBC Scotland, e cila u realizua në vitin 2009 pas zbulimit të një varreze masive pranë Tiranës, një prej vend varrimeve të fshehta të regjimit komunist.

Këtu Merlika shfaqet si një vëzhgues i hollë. Ai e trajton me kujdes të veçantë këtë intervistë. Zbërthen çdo prapaskenë të fshehur pas frazave të  Ramiz Alisë e deri tek mimikat, gjendjet shpirtërore dhe lëvizjet taktike të ish-shefit komunist gjatë inervistimit përballë gazetarit skocez.  

Studiuesi Merlika ndalet tek një frazë e Ramiz Alisë, kur ai ngulmon në intervistë se “thelbësore për Shqipërinë nuk është fokusimi tek e shkuara por tek e tashmja”.

Merlika vëren se gajtë kësaj fraze maska e tij qëndron bukur, duke u shfaqur si njeri me mendje të hapur e vështrimin nga Perëndimi. Maska e tradhëton vetëm kur komenton ngjarjet e 1990, mbase të vetmet çaste në projektimet e tij politike, kur shpërtheu një vrull që ai s’mundi ta kontrollojë siç do të donte, por shpejt në intervistë, siç vëren Merlika, Ramzi Alia  e rimerr veten, e ndreq maskën dhe vijon me hipokrizitë e tij.

Të gjithë djallëzinë, me të cilën Ramiz Alia luan gjatë intervistimit, (tipar i të gjithë daljeve të tij publike që nga viti 1990 e derisa vdiq) studiuesi Merlika  e zbërthen në analizën e tij duke i zbuluar lexuesit gjithë honet e prapaskenave të mendimeve të ish-shefit komunist, sidomos mbi krimet e përbindshme që ai me dredhitë e tij tipike përpiqet ti justifikojë si “raste të veçuara e të ndëshkuara pas ’90”.

Pse vallë askush nuk kujton një ndëshkim? - pyet autori dhe kushdo tjetër që lexon analizën e tij.

 

Merlika analizon më tej dredhitë politike të Ramiz Alisë në zbatimin e përpiktë të planit të Katovicës, që edhe pse, prej vitesh e kanë kundërshtuar fort si një teori konspirative, sot të gjithë e kuptojmë se kjo skemë është zbatuar, pikë për pikë, fatkeqësisht!

Linja e shkrimeve të Merlikës mbi ngjarje që lidhem me të shkuarën komuniste vijon gjatë në këtë vëllim publicistik, e na siguron sot një prej analizave më të qenësishme mbi të shkuarën komuniste dhe trajtimin e saj gjatë këtyre 27 viteve.

Kjo linjë së bashku temat e tjera që trajton “Demokratura” e Eugjen Merlikës, duhet parë si një mozaik, që plotësohet pjesëz pas pjesëze, duke sjellë në finale një imazh të qartë e një analizë të plotë të tranzicionit të gjatë shqiptar, historia e të cilit do të plotësohej, me botimin e kolanës së plotë të publicistikës së tij që nga shkrimet e para të vitit 1991 e deri në analizat e ditëve të sotme. 

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?