Mjeku Isuf Kalo promovoi librin “Blloku, rrëfimi i mjekut personal i Enver Hoxhës”. Në këtë botim autori sjell fragmente kujtimesh, mbresa ngjarjesh të jetuara dhe reflektime e analiza, në të cilat sjell përpjekjen e tij, për të vlerësuar në mënyrë retrospektive, pa nostalgji dhe pa mllef, atmosferën dhe jetën e banorëve të Bllokut. Gjatë promovimit vet autori i librit Isuf Kalo rrëfen se kjo iniciativë e tij, nuk është as për të bërë histori shkencore apo letërsi të mirëfilltë, por është thjeshtë rrëfimi i një mjeku, që ka qenë shumë pranë personazheve të bllokut.
“Ky libër nuk është histori në kuptimin shkencor, nuk është letërsi në kuptimin artistik, nuk është memuar apo profil i autorizuar i dikujt. Është thjesht rrëfimi i një mjeku, i cili duke qenë shumë pranë tyre, vetvetiu ka asimiluar edhe gjëra që ishin të pamundura për njerëzit jashtë territorit të Bllokut. I quajta me vend që t’ja përcjell publikut, pasi në to nuk ka vetëm kuriozitete, por ka edhe mesazhe, që ndoshta do t’u vlejnë brezave të rinj, që disa gjëra nga e kaluara edhe t’i çmojë, ndërsa disa gjëra të tjera t’i shikojë me sy kritik edhe t’i ndryshojë”, shprehet mjeku Isuf Kalo.
Kalo tregon se në këtë libër figura e diktatorit, Enver Hoxha, nuk është kryesor. Në libër nuk mungojnë rrëfimet për Nexhmije Hoxhën, Ramiz Alinë, Mehmet Shehun, Kadri Hazbiun, Hysni Kapon, Beqir Ballukun apo edhe shumë figura të tjera pranë diktatorit
“Ky libër nuk është për Enver Hoxhën, është për Bllokun, që më shumë se territor ishte një mendësi, për ata që jetonin atje, për rolin e tyre edhe për marrëdhëniet me publikun që ata kishin. Ky libër përshkruan jetën e brendshme, atmosferën në relacionet e tyre edhe natyrisht, që figura e Enver Hoxhës del herë pas here, qoftë si pacient, si banor i atij blloku, qytetar apo udhëheqës. Por nuk ka qenë në profilin tim që të hyjë në politikë edhe të them, se përse Enver Hoxha bëri këta apo atë. Unë kam shpjeguar relacionet e tij me Mehmet Shehun edhe përse rrodhi puna deri në dramën e tij, kam folur edhe për Hysni Kapon meqenëse vdekja e tij është mediatizuar. Apo për mënyrën se si u trajtuan Kadri Hazbiu apo Beqir Balluku. Kam përcjell atmosferën edhe marrëdhëniet mes tyre kur ishin herë të sinqerta edhe herë dredharake”.
Ai tregon, se edhe pse mjek i Enver Hoxhës është bërë rastësisht, komunikimi mes tyre ka qenë shumë i mirë.
“Unë e kam quajtur vlerësim, se në lidhje me të zgjidhej më e mira. Por unë nuk bëra ndonjë konkurs për të qenë pranë tij, mbase ishte rastësi që sëmundja e tij u përputh me ekspertizën time, edhe ndofta kjo ishte edhe një arsye, se përse kimizimi i komunikimit midis nesh ishte i tillë, që unë komunikoja mirë me të, edhe ai mirë me mua”, vijon Kalo.
Besimi që Enveri ka pasur tek mjeku Isuf kalo ka qenë i madh, por frika e mjekut që mund të gabonte gjatë mjekimit të diktatorit nuk ka munguar.
“Padyshim. Ishte një ndjenjë dyshimi që duhej verifikuar, pasi mjekësia është e tillë që nuk është një shkencë ekzakte, për të ka shumë interpretime për të njëjtën çështje. Padashje ti mund të marrësh një zgjedhje, e cila përfundon keq, por dhe kur çdo gjë e bën mirë, mund të dalin rezultate të tjera”, shton mjeku.
Ndërsa, një nga pyetjet më të mëdha që ngre autori në këtë libër është, nëse diktatorët lindin gjenetikisht të përçudnuar apo bëhen në rrethana të caktuara?
“Kam mendimin se nëse Enver Hoxha nuk do të jetonte në atë kohë, nuk do të ishte bërë diktator, por do të ishte bërë një mësues shumë sharmant, sepse ishte shumë simpatik si njeri. Pasi aty ku u fut u modelua”.
Mjeku Isuf Kalo, shpreson që pas leximit të librit lexuesit ta vlerësojnë vet rëndësinë e tij, duke e hedhur ose duke iu rikthyer sërish.