SPAK ka kërkuar dënimin e kryebashkiakut të Devollit Eduard Duro me 1 vit dhe heqje të të drejtës për të ushtruar funksione për 5 vite
Prokuroria e Posaçme ka lexuar pretencën këtë të mërkurë për kryebashkiakun socialist të Devollit Eduard Duro, duke kërkuar dënimin e tij me 1 vit burg për shpërdorim detyre, që konvertohet në 3 vite shërbim prove si dhe me dënimin plotësues që për 5 vite të mos ushtrojë funksione publike.
Të njëjtin dënim prokurori Dritan Prençi kërkoi edhe për 4 zyrtarët e tjerë, përkatësisht Astrit Seferkolli, Gazment Haxhia, Gazment Mali dhe Vosjava Bregu
Në seancën e radhës që do mbahet javën e ardhshme mbrojtja do paraqesë kundërshtimet e saj dhe në fund gjykata do të vendos mbi dënimin ose jo të tij
Kryebashkiaku i Devollit Eduard Duro është marr zyrtarisht i pandehur nga SPAK më 29 tetor 2024, dhe akuzohet se licencoi një biznes, pikë karburanti në Bilisht, që ishte ndërtim pa leje. Hetimi i SPAK vjen pas një kallëzimi të depozituar në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion, nga një subjekt tjetër. Veç Duros, janë u hetuan edhe 4 punonjës të Bashkisë së Devollit, mes tyre specialistë të taksave dhe sekretari i përgjithshëm i Bashkisë.
Licensimi i karburantit pa leje
Bëhet fjalë për pikën e karburantit “Genci Petrol”, e cila sipas SPAK, që prej vitit 2015 kur ka marrë licencimin në shkelje të ligjit e deri më tani, ka realizuar përfitime të padrejta. Vojsava Bregu, në cilësinë e administratores së komanduar të Njësisë Administrative Qendër Bilisht, akuzohet për dhënien e lejes më datë 27 gusht 2015, për aktivitetin e tregtimit të karburanteve. Sipas Prokurorisë, kjo leje u dha në kundërshtim me ligjin, pasi shoqëria “Genci Petrol” nuk dispononte dokumentacionin e nevojshëm, përfshirë aktin e kontrollit për ndërtimin, lejen e shfrytëzimit dhe autorizimin për hyrje-dalje në rrugë nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
Ndërkohë SPAK thotë se Eduard Duro, në cilësinë e kryetarit të Bashkisë Devoll, në bashkëpunim me Astrit Seferkollin (Sekretari i Përgjithshëm i Bashkisë Devoll), Gazmend Haxhijen dhe Gazmend Malon (zyrtarë të Sektorit të të Ardhurave dhe Licencimit), licencuan pikën e karburantit në shkelje të ligjit edhe pse nuk plotësonte kriteret. Për këtë objekt, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit kishte vendosur prishjen që në vitin 2019, për shkak të mosrespektimit të kritereve ligjore.