Ditën e sotme liderët e shtatë vendeve më të industrializuara në botë (G7) do të mblidhen për samitin treditor që do të zhvillohet në Pulia, në Italinë jugore.
Diplomatët e 7 vendeve kanë rënë dakord që ti japin Ukrainës 50 miliardë dollarë hua duke i përdorur asetet e ngrira ruse për të rindërtuar infrastrukturën e shkatërruar të vendit.
Detajet e marrëveshjes do të diskutohen gjatë takimit të tyre, ndërsa shteti ukrainas pritet që t’i marrë fondet në fund të këtij viti.
Në këtë samit i pranishëm do të jetë edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i cili do të nënshkruajë një marrëveshje tjetër dypalëshe sigurie me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.
Vendet e G7-ës ku përfshihen Britania e Madhe, Franca, Kanadaja, Gjermania, Italia, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara, ngrinë fondet ruse me një vlerë rreth 300 miliardë dollarësh, vetëm pak kohë pasi Moska nisi luftën ndaj Ukrainës në shkurt të vitit 2022.