Bota

Liderët europianë nesër takim urgjent në Paris! Rutte: BE duhet të luftojë për të qenë në tryezën e negociatave për luftën Rusi-Ukrainë

16 Shkurt, 10:57| Përditesimi: 16 Shkurt, 15:47

  • Share

Liderët europianë pritet të mblidhen të hënën në Paris me ftesë të presidenti Macron për diskutime mbi Ukrainën pas telefonatës që presidenti amerikan Donald Trump zhvilloi me presidentin rus Vladimir Putin dhe shqetësimit se në bisedimet për paqen Europa po lihet jashtë.

Sipas mediave ndërkombëtare në samitin e Parisit pritet të marrin pjesë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte dhe liderët e Italisë, Gjermanisë, Polonisë dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Kryeministri britanik Starmer deklaroi se Europa duhet të marrë një rol më të madh në NATO dhe të punojë me SHBA për të "siguruar të ardhmen e Ukrainës". Edhe ministri i Jashtëm polak Radosław Sikorski deklaroi në konferencën e sigurisë në Mynih se ishte i kënaqur që presidenti Macron po mbledh liderët evropianë në Paris dhe shpresonte se ata do ta trajtojnë këtë çështje me seriozitetin që meriton. Ai më vonë postoi në X se ishte gjithashtu i kënaqur për pjesëmarrjen e planifikuar të kryeministrit polak Donald Tusk në Paris me ftesë të Macron.

"Ne duhet të demonstrojmë forcën dhe unitetin tonë," shkroi Sikorski.

Kjo vjen pasi i dërguari i posaçëm i Donald Trump në Ukrainë, tha se liderët evropianë do të konsultohen, por nuk do të marrin pjesë në asnjë bisedë midis SHBA-së dhe Rusisë për përfundimin e luftës.  

Në një intervistë për La Stampa, Shefi i NATO-s thotë se Europa duhet të luftojë për të qenë në tryezën e negociatave dhe në vend që të ankohet për përjashtimin nga bisedimet duhet të gjejë ide të reja për shembull për rrjedhën e armatimeve në Ukrainë ose për trajnimin e ushtarëve.

"Nevojitet një qëndrim më i pjekur, nuk mjafton vetëm të thuash 'duhet të jem atje' - thotë ai. Arsyetimi im është: organizohuni, diskutoni një plan të mbrojtjes, zhvilloni një plan strategjik dhe mendoni se çfarë jeni në gjendje të bëni Në të ardhmen e afërt dhe në atë moment do të ktheheni në tryezën e bisedimeve” deklaroi Rutte. 

Në samitin e Parisit do të diskutohet edhe për qëndrimin e zëvëndëspresidentit amerikan JD Vance në konferencën e Mynihut ku shprehu kritika për Europën. 

Ndërkohë pritet që Zyrtarë të lartë të administratës së Presidentit amerikan Donald Trump të fillojnë bisedimet e paqes me negociatorët rusë dhe ukrainas në Arabinë Saudite në ditët në vijim.

Zyrtarët amerikanë thanë se Ukraina ishte gjithashtu e ftuar - megjithëse Presidenti Volodymyr Zelensky thotë se vendi i tij nuk ka marrë një ftesë të tillë.

Sipas Reuters, Sekretari i Shtetit Marco Rubio, Këshilltari për Sigurinë Kombëtare, Mike Waltz dhe i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff do të udhëtojnë në Arabinë Saudite. 

Të shtunën Sekretari amerikan Rubio zhvilloi një telefonatë me homologun e tij rus, Sergei Lavrov gjatë së cilës ata diskutuan për konfliktin në Ukrainë, thanë të dyja palët. dhe sipas ministrisë së Jashtme ruse, ata ranë dakord për kontakte të rregullta për të përgatitur një takim midis presidentit rus Vladimir Putin dhe Presidentit Trump.

Xh.K/E.H/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Grupi i PS në listë të hapur, përveç drejtuesve politikë, si iu duket?