Kryeministri Edi Rama ka ndarë një video të projektit të hekurudhës kuq e zi, e cila lidh Durrësin me Prishtinën. Në video, shpjegohet ‘rruga’ që do të përshkrojë hekurudha, stacionet që do të ketë, stacioni lindor i Shkodrës, i Prekalit, i Tropojës, një stacion ndërkufitar, si edhe një tjetër që do të jetë në Gjakovë.
“Hekurudha kuq e zi tashmë merr udhë”, ka shkruar kryeministri krahas videos.
Ministri i Financave Petrit Malaj, në prezantimin e këtij projekti një ditë më parë, tha se financimi për këtë projekt do të kalojë në disa faza.
“Linja hekurudhore Durrës–Prishtinë është një hap i guximshëm drejt një të ardhmeje ku lëvizshmëria, tregtia dhe bashkëpunimi do të rrëzojnë kufijtë dhe do të krijojnë mundësi të reja për qytetarët e kombit tonë', tha ai.
Hekurudha që lidh Durrësin me Prishtinën, ka rëndësi jo vetëm për transportin e mallrave dhe qytetarëve por do të përdoret edhe për qëllime ushtarake.
Hekurudha pritet të kalojë pjesërisht në gjurmën ku do të ndërtohet hekurudha Vorë-Hani i Hotit, pritet të kalojë nga Durrësi, drejt Milotit, Mjedë, Shkodër, Gjakovë dhe më pas në Prishtinë.
Komente
