E menjëhershme ka qenë përgjigja e kreut të shtetit Ilir Meta kundrejt kryeministrit Edi Rama i cili e ka akuzuar Metën për politizim të ngjarjes në Kavajë ku mbeti i plagosur sekretari i PD-së Bledar Okshtuni. Rama e ka ironizuar me mesazhin që vajza i kishte dërguar ku i thoshte të shkonte në shtëpi, pasi patronazhistët i kishin çuar lajmin se ai kishte përmendur gruan e Damian Gjiknurit.
“Lidheni të Marrin shokë socialistë përpara se të ketë fatin e furgonit në Berat. Pse Meta u tha tre banditëve të “Rilindjes” të hynin në zyrën elektorale të PD dhe të qëllonin me armë Sekretarin demokrat? Me kë janë në këtë foto këta të katërt? Me Metën apo me Kryebashkiakun e emëruar rilindas të Kavajës dhe shtabin e tij elektoral? Pse Meta e porositi Damjanin publikisht të përsërisë “tërmetin” e Dibrës në Vlorë? Pse Meta emëroi një ushtri patronazhistësh për të survejuar e shantazhuar 900 mijë qytetarë të Qarkut Tiranë? Kush e prishi Marrëveshjen e 5 Qershorit nga tmerri i zgjedhjeve të lira?", shkruan Meta.
Gjithashtu Meta shprehet se kryeministri Rama do të marrë përgjigjen më 25 prill nga vota e shqiptarëve, ndërsa thekson se në shtëpi ai do të shkojë kur Rama ta ikë në psikiatri.
"Bablok, shqiptarët e dine shumë mirë se ku kurdisesh ti për t’i përçarë shqiptarët në Shqipëri dhe rajon. Me qetësi dhe vendosmëri do e marrësh përgjigjen më 25 Prill nga të gjithë shqiptarët patriotë dhe europianë. Dhe në radhë të parë nga socialistët, që u shkatërrove çdo vlerë pozitive dhe njerëzore. Unë do shkoj në shtëpi kur ti të shkosh në psikiatri! Shqipëria e shqiptarëve! Shqipëria në Bashkimin Europian! Pas 25 Prillit kjo rrugë nuk ndalet më asnjë sekondë”, shton Meta.
Kryeministri Rama deklaroi se Meta duhet të shkojë në shtëpi, pasi është President akoma dhe askujt nuk i ka bërë vaki kjo. Me ironi Rama th se Presidenti duhet të dëgjojë vajzën. Kjo përgjigje erdhi ndërsa Rama po komentonte ngjarjen në Kavajë, ku mbeti i plagosur sekretari i PD-së Bledar Okshtuni. Sipas tij terrori që kanë krijuar mes njerëzve me historinë e patronazhistëve është shkaktuar nga Ilir Meta, Sali Berisha dhe Lulzim Basha vetëm për qëllime elektorale. Rama nuk ka kursyer ironitë me Ilir Metën.