Xi Jiping dhe Joe Biden

Lidhjet e Koresë së Veriut me Rusinë, në qendër të takimit të fundit të presidentit Joe Biden me presidentin Xi Jiping

16 Nëntor, 20:49| Përditesimi: 16 Nëntor, 20:54

  • Share

LIMA, Peru - Presidenti Joe Biden pritet të shfrytëzojë takimin e tij të fundit me udhëheqësin e Kinës, Xi Jinping, për t'i kërkuar atij që ta dekurajojë Korenë e Veriut nga thellimi i mbështetjes për luftën e Rusisë ndaj Ukrainës.

Bisedimet e së shtunës në takimin vjetor të nivelit të lartë në Peru të Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor vijnë pak më shumë se dy muaj përpara se Presidenti Biden të largohet nga detyra dhe t'i lërë detyrën Presidentit të zgjedhur republikan, Donald Trump. Ky do të jetë takimi i fundit i Presidentin Biden me Presidentin Xi, që presidenti demokrat e konsideroi si homologun më të rëndësishëm në skenën botërore.

Në takimin përfundimtar, zyrtarët thonë se Presidenti Biden do t’i kërkojë Presidentit Xi të rrisë angazhimin kinez për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të një momenti tashmë të rrezikshëm me Korenë e Veriut.

Presidenti Biden të premten, së bashku me Presidentin e Koresë së Jugut, Yoon Seok Yul dhe Kryeministrin e Japonisë, Shigeru Ishiba, dënuan vendimin e udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un për të dërguar mijëra ushtarë për ta ndihmuar Moskën të zmbrapsë forcat ukrainase që kanë marrë territor në rajonin kufitar të Rusisë, Kursk.

Presidenti Biden e quajti atë një "bashkëpunim të rrezikshëm dhe destabilizues".

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë gjithashtu kanë shprehur zhgënjimin me Pekinin, që është partneri më i madh tregtar i Koresë së Veriut dhe që nuk ka bërë më shumë për ta frenuar Phenianin.

Presidenti Biden, Presidenti Yoon dhe Kryeministri Ishiba u përqëndruan gjatë diskutimit të tyre 50-minutësh kryesisht tek kjo çështje, duke rënë dakord se "nuk duhet të jetë në interesin e Pekinit që të ketë këtë bashkëpunim destabilizues në rajon", sipas një zyrtari të lartë amerikan që foli me kusht ruajtjen e anonimitetit.

Koreja e Veriut gjithashtu i ka dërguar Rusisë artileri dhe municione të tjera, sipas zyrtarëve të zbulimit të Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut. Shtetet e Bashkuara, Japonia dhe Koreja e Jugut kanë shprehur alarmin lidhur me ritmin e shtuar të provave të raketave balistike nga Pheniani.

Udhëheqësi koreanoverior Kim urdhëroi zhvillimin e manovrave në prag të zgjedhjeve të këtij muaji në Shtetet e Bashkuara dhe pretendon se ka arritur përparim në përpjekjet për të ngritur kapacitetet për të goditur brenda territorit të Shteteve të Bashkuara.

Presidentët Biden dhe Xi kanë edhe shumë çështje të tjera për të diskutuar përtej Koresë së Veriut, përfshirë mbështetjen indirekte të Kinës për Rusinë, çështjet e të drejtave të njeriut, teknologjinë dhe Tajvanin e vetëqeverisur demokratik, për të cilin Pekini pretendon se është pjesë e territorit të tij.

Kina gjithashtu ka njoftuar se do të jetë organizatore e takimit të nivelit të lartë të vitit të ardhshëm të Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor.

Ka pasiguri për atë që pritet në të ardhmen e marrëdhënieve SHBA-Kinë nën drejtimin e Presidentit të zgjedhur Trump, i cili bëri fushatë duke premtuar të vendosë tarifa prej 60% për importet kineze.

FBI-ja ofroi këtë javë detaje të reja nga një hetim federal mbi përpjekjet e qeverisë kineze për ndërhyrje kibernetike në rrjetet e telekomunikacionit në Shtetet e Bashkuara. Gjetjet fillestare kanë zbuluar një fushatë "të gjerë dhe domethënëse" të spiunazhit kibernetik, që synon vjedhjen e informacionit nga amerikanët që punojnë për qeverinë dhe në politikë.

Zyrtarët amerikanë të zbulimit gjithashtu kanë vlerësuar se Kina ka rritur shitjet në Rusi të makinerive, produkteve të mikro-elektronikës dhe teknologjive të tjera, që Moska po i shfrytëzon për të prodhuar raketa, tanke, avionë dhe armatime të tjera, për luftën në Ukrainë./ VOA

K.M/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?