Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e ish-gjyqtares Pajtime Fetahu për ndryshimin e masës së sigurisë.
Fetahu kundërshtonte vendimet e Apelit të GJKKO, pasi më 29 prill, i rrëzoi kërkesën për lirim nga qelia me pretendimin se ishte e sëmurë.
Fetahu ndodhet në qelinë e paraburgimit që prej muajit nëntor të vitit 2024 në kuadër të një urdhër arresti të lëshuar nga SPAK, mbi hetimet për Suel Çelën dhe anëtarët e grupit të tij në Elbasan, e cila akuzohet se i ka favorizuar dhe ka pasur komunikime, të zbuluara nga përgjimet në aplikacionin Sky Ecc.
Emri i saj doli sërish më pas në operacionin e SPAK “Plumbi i Artë 2” për grupet kriminale, ku u lëshuan mbi 30 urdhër-arreste. Ish-gjyqtarja Fetahu dyshohet se mund të ketë lidhje me historitë e vëllezërve Franc dhe Hajdar Çopja, të cilëve u ka dhënë informacione sekrete.
Ish-gjyqtarja dyshohet se mori 11 mijë euro, një monedhë floriri dhe priste edhe një aparat celular nga anëtarë të grupit kriminal “Çopja”.
Ajo akuzohet për korrupsion, ndërsa dha dorëheqjen nga sistemi i drejtësisë më 16 nëntor 2022, vetëm pak ditë para kur duhej t’i nënshtrohej procesit të Vettingut.
Komente
