Ceske Budejovice, Çeki - Shqipëria e vajzave luajti pasditen e së martës (25 shkurt) ndeshjen ndaj Çekisë, e vlefshme për fushatën e Ligës së Kombeve. Në takimin e zhvilluar në Çeki, vajzat kuqezi të drejtuara nga trajneri Armir Grima u mposhtën me rezultatin 5-1.
Trajneri Grima hodhi në fushë këtë 11-she titullare: Viona Rexhepi (GK), Armera Tukaj, Arbenita Curraj, Fortesa Berisha, Valentina Troka, Qëndresa Krasniqi, Megi Doçi, Ezmiralda Franja, Ilarja Zarko, Klea Hamonikaj, Alma Hilaj.
Takimi nisi shumë mirë për përfaqësuesen kuqezi, të cilat kaluan të parat në avantazh në minutën e 16-të, por goli u anulua nga gjyqtarja kryesore. Megjithatë, skuadra ishte e vendosur për të kaluar e para në epërsi dhe goli erdhi në minutën e 24-t nga këmbët e kapitenes Megi Doçi, e cila ktheu në gol një penallti.
Avantazhi zgjati pak minuta, pasi vendaset barazuan rezultatin me Svitkova në minutën e 34-t. Është sërish Svitkova ajo e cila shënoi golin e dytë për çeket 7 minuta më vonë, ndërsa Bartonova trefishon shifrat në minutën e 41-të. Me rezultatin 3-1 u mbyll pjesa e parë në favor të çekeve.
Përfaqësuesja çeke shënoi edhe dy gola të tjerë në minutat 60-të dhe 62-të duke i dërguar shifrat në 5-1. Përpjekjet e skuadrës kuqezi nuk munguan, por nuk ia dolën dot të ndryshonin fatin e ndeshjes, që u mbyll me shifrat 5-1.
Kjo ishte ndeshja e dytë e Shqipërisë në grupin B4. Vajzat kuqezi renditen aktualisht në vendin e tretë (të parafundit) me zero pikë pas dy humbjeve.
Komente
