Kroacia hakmerret ndaj Spanjës dhe e mposht 3-2 në Zagreb në një ndeshje spektakolare e vlefshme për grupin A4 të Ligës së Kombeve. Çdo gjë nis në pjesën e dytë ku nënkampionët e Botës shënojnë me Kramaric në minutën e 54-të dhe iberikët barazojnë pas dy minutash me Dani Ceballos.
Heroi i ballkanasve ishte Jedvaj autor i një dygoëlshi në minutat 69 dhe 93 ndërsa përkohësisht për djemtë e Luis Enriques kishte barazuar kapiteni Sergio Ramos.
Grupi bëhet shumë interesant dhe çdo gjë do të vendoset në ndeshjen e fundit Angli-Kroaci. “Furitë e kuqe” kryesojnë ende grupin me 6 pikë por mund ta humbasin mundësinë për të kaluar në “Final Four”.
Me një dygolësh të Batshuay Belgjika fitoi pastër 2-0 ndaj Islandës duke i zbritur vikingët në Ligën B. Sulmuesi shënoi në minutat 65 dhe 81 për të ngjitur “djajtë e kuq” në kuotën e 9 pikëve në vendin e parë në grupin A2.
Zvicra është e dyta në grup me 6 pikë dhe ndeshja e së dielës Zvicër-Belgjikë do përcaktojë fituesen e grupit. Bosnje Hercegovina barazoi pa gola me Austrinë dhe siguroi vendin e parë në grupin B3 duke u ngjitur në Ligën A për edicionin e ardhshëm. Ndërsa sot luhet Holandë-Francë.