TIRANË- Kombëtarja sot kërkon revanshin ndaj Lituanisë. Duke nisur nga ora 18:00 në Vilnius luhet Lituani-Shqipëri ndeshja e katërt në grupin 4 të Ligës C shumë e rëndësishme për fatin e të dyja ekipeve që janë me nga katër pikë.
Lituania triumfoi në Tiranë një muaj më parë ndaj kuqezinjve dhe sot është mundësia më e mirë jo vetëm për një hakmarrje por për t’i dhënë edhe një goditje të fortë rivalë në grupin tonë të Ligës së Kombeve.
Atmosfera në skuadër është optimiste pavarësisht faktit që vetëm tre ditë më parë ndaj Kazakistanit nuk u arrit një fitore. Futbollistët janë stërvitur dje në stadiumin ku do luhet sot ndeshja dhe nga ajo që u vërejt, Reja pritet të bëjë tre ndryshime në formacion. Porta dhe mbrojtja janë të konfirmuara me Berishën, Gjimshitin, Dermakun dhe Kumbullën. Po ashtu edhe mesi i fushës nuk pritet të ketë ndryshime me Baren , Abrashin dhe Kallakun që do e nisin nga minuta e parë. Ato që pritet të ndryshojnë në skemën 3-5-2 janë krahët. Veseli dhe Trashi do ulen në stol dhe pritet të zëvendësohen nga Albi Doka dhe Hysen Memolla.
Në sulm të sigurt e ka vendin Armando Broja ndërsa Manaj do ulet në stol. Për ta zëvendësuar janë në balotazh Taulant Seferi me Xhakomo Vrionin me të parin të avantazhuar. Në konferencën përpara ndeshjes tekniku Edoardo Reja tha se Shqipëria fitoi 10 lojtarë të rinj dhe se objektivi i vetëm sot është fitorja. Ndërsa për kapiteni Etrit Berisha kjo ndaj Lituanisë është ndeshje kyçe.