Foto ilustruese

Liga e Kombeve/ Sot ndeshja e rëndësishme me Gjeorgjinë, Policia publikon planin e masave! Rrugët që bllokohen, kontrollet ndaj tifozëve dhe penalitetet

10 Shtator, 08:57| Përditesimi: 10 Shtator, 09:10

  • Share

Teksa kombëtarja kuqezi përballet sot në takimin e dytë të grupit, të vlefshëm për Ligën e Kombeve, nga mund të sigurohet një biletë për Botërorin e ardhshëm të vitit 2026 në SHBA-Meksikë-Kanada, interesimi i tifozëve është i madh, pasi takimi me Gjeorgjinë cilësohet si një pikë kyçe për të kapur vendin e parë.

Por edhe Policia e Shtetit nuk ka mbetur pas, duke hartuar një plan masash për ndeshjen ndërkombëtare të futbollit Shqipëri-Gjeorgji, që do zhvillohet në orën 20:45 në stadiumin “Air Albania”.

Zbatimi nis të paktën dy orë para, kur këshillohen edhe tifozët që të hyjnë në stadium dhe deri pas ndeshjes, për të shmangur incidentet. Masat dhe kontrollet do jenë të rrepta dhe nuk do lejohet asnjë send i kundraligjshëm apo që cenon sigurinë sipas rregullave të FIFA-s.

Gjithashtu do të bllokohen edhe disa akse kryesore apo dytësore në Tiranë, duke u devijuar trafiku për disa orë.

Mbi 200 forca policore parashikohet të jenë të përfshira në këtë operacion, bashkë me Policinë Rrugore, duke përfshirë edhe eskortimin e dy ekipeve, e veçanërisht Gjeorgjisë, nga aeroporti për në hotel apo stadium.

“Janë vendosur kontakte dhe po bashkëpunohet dhe me personelin e shërbimit të sigurisë të ekipit të futbollit të Gjeorgjisë, në funksion të rritjes së standardeve të sigurisë para, gjatë dhe pas zhvillimit të kësaj ndeshjeje ndërkombëtare”, njofton Policia.

Hyrja në stadium e tifozëve dhe e sportdashësve që kanë blerë biletë, fillon në orën 18:00.

“Kërkojmë mirëkuptimin e tifozëve që të paraqiten në hyrjen e stadiumit, duke filluar nga kjo orë, pasi për shkak të fluksit të tifozëve, pak para fillimit të ndeshjes, mund të humbasin mundësinë për të hyrë në stadium”, sqaron policia e kryeqytetit.

 

Plani i masave të Policisë së Shtetit
-Eskortimi dhe sigurimi i futbollistëve të ekipit të Gjeorgjisë, nga aeroporti i Rinasit, në hotel, në stadium dhe në kthim për në Rinas;     
-Eskortimi dhe sigurimi i futbollistëve të ekipit të Shqipërisë, në stadium;  
-Kryerja e kontrolleve të hollësishme në mjediset e stadiumit dhe brenda stadiumit, për shtetas të paautorizuar, sende dhe lëndë të ndaluara, para se të futen tifozët; 
-Organizimi i shërbimeve për garantimin e rendit publik para, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes së futbollit, jo vetëm pranë stadiumit, por edhe kontrolli i territorit në të gjithë qytetin e Tiranës;
-Sigurimi i rrugëkalimeve të shërbimeve të emergjencës;
-Menaxhimi i trafikut rrugor në qytetin e Tiranës, para, gjatë dhe pas ndeshjes së futbollit.

Gjithashtu për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, si dhe për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve në qytetin e Tiranës, ditën e sotme, nga ora 15:00 deri në përfundim të ndeshjes, nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me bashkinë e Tiranës, do të aplikohen kufizime të qarkullimit të mjeteve në disa akse rrugore në afërsi të stadiumit.

Rrugët që do të jenë të bllokuara
* Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, 20 m mbi urën e Dajtit 
* Rruga “Papa Gjon Pali II”
* Rruga “Dervish Hima”, pranë ambasadës së SHBA-së
* Rruga “Asim Zeneli”, pranë ambasadës së SHBA-së
* Rruga “Themistokli Gërmenji”
* Rruga “Ismail Qemali”, kryqëzimi i Liceut
* Rruga “Mustafa Matohiti”, pranë shkollës “Kosova”
* Rruga “Jul Variboba”, pranë postës
* Rruga “ Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës
* Rruga “Avdyl Frashëri”, pranë kryqëzimit të Librit Universitar

Çfarë nuk u lejohet tifozëve:

Në zbatim të planit të masave, punonjësit e Policisë së Shtetit do të ushtrojnë kontroll të imtësishëm ndaj tifozëve, para futjes në stadium, me qëllim parandalimin e futjes në stadium të:

-Banderolave me përmbajtje raciste
-Të fishekzjarrëve
-Flakadanëve
-Lëndëve piroteknike
-Monedhave metalike
-Çadrave, çakmakëve
-Karikuesve të celularëve
-Mjeteve/produkteve për përdorim kozmetik
-Sendeve të tjera të forta, të rrezikshme

“Me këtë rast, informojmë shtetasit shqiptarë dhe të huaj, se në bazë të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, veprimet e dhunshme në aktivitetet sportive, si hyrja në fushën e lojës gjatë kohës së zhvillimit të aktivitetit sportiv nga persona të paautorizuar, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga 50 000 deri në 100 000 lekë. Kur nga kjo vepër, ka ardhur pengimi i zhvillimit normal të aktivitetit sportiv, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre muaj”, sqaron policia.

Hedhja e sendeve të forta në fushën e lojës ose mbi njerëzit, mbajtja apo përdorimi i lëndëve piroteknike, fishekzjarrëve, flakadanëve, gjatë zhvillimit të një aktiviteti sportiv, dënohen gjithashtu me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.

Legjislacioni penal shqiptar e konsideron vepër penale, goditjen apo çdo vepër tjetër dhune, ndaj sportistit, trajnerit, arbitrit, ndërmjetësit sportiv, për shkak të veprimtarisë sportive, dhe i dënon me burgim nga një deri në tre vjet. Kjo vepër, kur kryhet në ambiente sportive, më shumë se një herë, apo nga drejtues apo anëtarë të klubeve sportive, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.

Paralajmërim për tifozët: Mos u mashtroni për biletat, do ndëshkoheni për dublikimet

Gjithashtu, apelohet për tifozët dhe për qytetarët që të jenë vigjilentë për të mos rënë pré e mashtrimit me çmimet e biletave, të cilat janë të bëra publike zyrtarisht, si dhe që të mos publikojnë në rrjete sociale biletat e blera, pasi mund të dublikohen në kundërshtim me ligjin.

“Çdo biletë është e pajisur me barkode, është personale dhe duhet të mbahet vetëm nga shtetasi që e posedon, i cili sipas radhës, do të kalojë vetëm, për t’iu kontrolluar barcode nga pajisja që regjistron automatikisht çdo tentativë për të hyrë me biletë të falsifikuar ose të dublikuar”, thuhet në njoftim.

Më tej sqarohet se “dublikimi/shumëfishimi i biletës, konsiderohet falsifikim dhe mashtrim, vepra të cilat ndëshkohen nga Kodi Penal i Shqipërisë”.

Policia këshillon që “në rast se gjendeni në situata të tilla paligjshmërie, denonconi menjëherë në numrin 112”.

Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti sportiv, Policia e Shtetit ka angazhuar qindra punonjës policie, të cilët do të garantojnë rendin dhe sigurinë publike.

A.Q//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?