Bojkoti i kampionatit të futbollit në vend do të vijojë edhe këtë javë. Por Liga Profesioniste e Futbollit bën me dije se i ka dërguar një material të zgjeruar deputetit Fidel Ylli që është edhe negociatori mes qeverisë dhe Ligës për kërkesat konkrete që kanë klubet e futbollit.
Pas takimit të fundit që është mbajtur të hënën mes Ligës dhe deputetit socialist Fidel Ylli ky i fundit u kërkoi edhe njëhere që kërkesat e tyre të detajuara t’ia përcillnin atij.
Liga dëshiron të sqarojë se materiali me kërkesat e klubeve është përgatitur nga ekspertë dhe fokusohet tek ligji i sponsorizimeve si një akt ligjor i domosdoshëm për zhvillimin e sportit në Shqipëri.
Po ashtu thuhet se propozimet e paraqitura nga Liga për qeverinë në këtë dokument përcaktojnë qartë idetë dhe rrugëzgjidhjen për një sport më cilësor të paktën në fushën e administrim dhe formalizimit. Tashmë topi kalon në fushën e qeverisë e cila do të shqyrtojë materialin.
Edhe nga sa ka deklaruar ministrja e Financave Denaj shihet shumë e vështirë që të plotësohen të katërta kërkesat por e rëndësishme është që të gjendet një zgjidhje dhe kampionati të fillojë kërkesë kjo edhe e futbollistëve.
Përgatiti Andi Kapxhiu