Skuadra nga Suhareka, Ylli, është shpallur fituesja e parë e Superkupës Mbarëkombëtare në basketboll ku morën pjesë katër skuadra, dy nga Shqipëria dhe dy nga Kosova. Pasi mposhti Teutën në gjsyëmfinale Ylli fitoi edhe finale kundër Prishtinës 76 me 67 me pikë.
Gëzim Morina, kapiten i Yllit: “Jemi shumë të kënaqur. Është një prej trofeve që e kemi dëshiruar. Është historike të fitosh superkupën e parë mbarëkombëtare dhe ky trofe ka një rëndësi shumë të madhe për ne.”
Ky kompeticion qëllimin e tij e ka përtej rezultatit sportiv, pasi për herë të parë skuadrat shqiptare nga Shqipëria dhe Kosova morën pjesë në një garë të përbashkët.
Avni Ponari, president i FSHB: “Ia vlen të festohet jo vetëm për komitetin e basketbollit, por për të gjithë ata që e duan këtë sport dhe Ligën Unike. Ky është niveli i lartë i basketbollit.”
Ilir Trebicka, Kryetar i Bordit të Ligës Unike: “Ky është një hap i rëndësishëm për ne si komb që të luajmë në të dy fushat. Në fushën shqiptare të Shqipërisë dhe në fushën shqiptare të Kosovës. Kjo është shumë e rëndësishme për basketbollin shqiptar dhe për sportin shqiptar në përgjithësi.”
Po të dielën është hedhur shorti për sezonin e ri të Ligës Unike me ndryshimin se këtë herë do të ketë ndeshje edhe mes femrave.